Kurti ia dokumentoi shkeljet e Serbisë, BE-ja hesht/ Analistët zbardhin “komplotin” që po i përgatitet Kosovës

Politika

Kurti ia dokumentoi shkeljet e Serbisë, BE-ja hesht/ Analistët zbardhin “komplotin” që po i përgatitet Kosovës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 maj 2023 Në ora: 16:26
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Qeveria e Kosovës nuk ka pranuar ende ndonjë raport nga Bashkimit Evropian mbi denoncimet për shkeljet që Serbia i ka bërë Marrëveshjeve të Brukselit/Ohrit.

Kështu të paktën ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjersa ka theksuar se në takimin e nivelit të lartë të 2 majit në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi i ka dorëzuar ndërmjetësit të procesit një dokument me të gjitha shkeljet e Marrëveshjes të bëra nga Serbia.

Kurti më tej ka bërë të ditur se Kosova është e interesuar të zbatohet në tërësi Marrëveshja e Brukselit/Ohrit, por jo vetëm neni i 7 i marrëveshjes që flet për të drejtën e vetë-menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë.

“Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë e të menjëhershëm të marrëveshjes, pra pa kushte dhe pa vonesa. Është problemi te pala tjetër e cila nga pesë pikat e preambulës dhe 10-të nenet e marrëveshjes, dëshiron që ne të përqendrohemi vetëm tek neni 7. Natyrisht se neni 7 është pjesë e marrëveshjes, por neni 7 nuk është marrëveshja dhe këtë gjë Bislimi e ka bërë të qartë mbrëmë në Bruksel”.

Plani i zbatimit i Marrëveshjes së 27 shkurtit sipas Kurtit duhet të jetë i hollësishëm, konkret, i balancuar dhe gjithëpërfshirës.

A është koha që BE të jep përgjigjen e duhur për Serbinë?

Qarri: Serbia nuk zbaton asnjë marrëveshje në terren

Në lidhje me këtë temë në një prononcim për “Bota sot”, ka folur analisti politik Gani Qarri.

Ai u shpreh se Serbia ka vazhduar tash e disa vite të zhbëj Kosovën duke shkelë çdo marrëveshje që është nënshkruar.

“Serbia përveç shkeljeve të vazhdueshme flagrante, të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve nën Serbi, të cilët regjistrimi i fundit i popullsisë, i nxjerr ata si njërën ndër pakicat më të mëdha në këtë vend, i cili është plotësisht armiqësor ndaj tyre dhe shtetit të Kosovës dhe përveç problemeve të pazgjidhura e obligimeve të paplotësuara asnjëherë ndaj tyre. Tash e pas 12 vite, zhbën dhe pasivizon vetëm adresat e shqiptarëve, në vendbanimet e veta autoktone, duke mos figuruar si banor rezident as shqiptarët që punojnë përkohësisht jashtë vendit. Serbia nuk zbaton asnjë marrëveshje në terren dhe shkel pa precedent edhe dakordimet e arritura me Kosovën në Bruksel dhe Ohër”, u shpreh ai.

Image
Gani Qarri

Analisti më tej thekson që nuk pret vërejtje serioze nga BE për Serbinë.

“Prandaj duke parë se BE, hesht për të gjitha sa ndodhin, kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës, për shkeljet e fundit të marrëveshjes që i ka bërë Serbia, janë detyruar që të gjitha, ti denoncojnë në Bruksel, për çka dhe gjenden në pritje të daljes me një qëndrim «adekuat» nga Bashkimi Evropian, gjë që parimisht dhe objektivisht, do duhej të ndodhte, megjithëse unë nuk pres as vërejtje serioze se lëre më, edhe ndonjë dënim të Serbisë, nga ana e BE-së”, potencoi analisti.

Ndër të tjera analisti shton që nëse edhe këtë herë nuk vepron BE atëherë do të vërehet një anshmëri ndaj saj

“E nëse BE, vërtetë as kësaj radhe nuk e dënon Serbinë për shkeljet e saj të vazhdueshme, bindja ime është se Bashkimit Evropian, përveç ndërmjetësimit, njëjtë si deri më tani, me njëanshmërinë që veçanërisht Josepp Borell dhe Mirosllav Lajçak në vijimësi tregojnë ndaj Serbisë, duke kërkuar publikisht formimin e një «republike serbe» edhe në Kosovë, as që do të mund të arrijnë ndonjë përparim të theksuar.

Kështu që me pajtimin edhe të emisarit Gabril Eskobar, vazhdimi i ndërmjetësimit të bisedimeve nga BE, vazhdon vetëm sa për të shmangur tensionet ndërmjet të dy vendeve dhe për të kamufluar ndërhyrjet e vrazhdta e të vazhdueshme të Serbisë hegjemoniste, që me lejen e vet BE-së, vazhdojnë edhe sot të bëhen, në çështjet e brendshme të Kosovës, duke mos i lejuar vendit tonë, as hapjen e një ure tradicionale qendrore, për qarkullim të njerëzve dhe automjeteve, në të dy anët e qytetit të minatorëve dhe krenarisë së Kosovës-Mitrovicës tonë heroike”, nënvizoi Qarri për “Bota sot”.

Elezaj: Nuk e besoj që BE do ta dënoj Serbinë

Ndërsa, analisti tjetër politik Rexhep Elezaj, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë që Serbia që nga fillimet e bisedimeve nuk ka respektuar asnjë marrëveshje, duke e thënë me zë të lartë që edhe nuk do ta njeh asnjëherë Kosovën.

“Nuk ka dyshim, dhe kjo ka qenë e ditur për palën e Kosovës, se presidenti serb, A. Vuçiq, që kur ka filluar dialogu Kosovë-Serbi me 2011, ai asnjëherë nuk e ka implementuar në praktikë cilëndo marrëveshje të nënshkruar në Bruksel me Kosovën, madje as ato që i ka nënshkruar ai vet, ose ndonjë ministër i tij, duke manipuluar me fjalë dhe premtime boshe para ndërmjetësuesve ndërkombëtarë, se gjoja Serbia i ka realizuar të gjitha marrëveshjet me Kosovën, gjë që kjo është një gënjeshtër e kulluar..!?

Në fakt, pala serbe gjithnjë ka vazhduar që ta akuzon palën e Kosovës, qoftë në takimet e Brukselit, qoftë ato ndërkombëtare, se kinse ajo nuk e ka realizuar asnjë marrëveshje, duke marrë gjithnjë si shembull mos formimin e Asociacionit për komunat me shumicë serbe (AKS) nga ana e Prishtinës, siç e quan ai Kosovën!

Pra, Vuçiq, përveç se nuk i ka zbatuar marrëveshjet e nënshkruara në Bruksel me palën e Kosovës, përkundrazi ai gjatë dhjetë viteve të kaluara në çdo takim në Bruksel, në konferenca ndërkombëtare, apo tubime në nivele të larta në Evropë dhe SHBA, ka punuar natë e ditë që sa më shumë ta dëmtojë pavarësinë e Kosovës, e lere më të implementon ndonjë marrëveshje”, tha ai.

Image
Rexhep Elezaj

Elezaj më tej, thotë që Serbia me votën kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i ka shkelur zotimet e marrëveshjes së Ohrit.

“Mbase, edhe në takimin e Ohrit (18 mars) dy dyfëtyrshi Vuçiq deklarativisht u pajtua me pikat e Aneksit për implementimin e marrëveshjes BE-së, siç ishte Deklarata për të pagjeturit dhe specifikimi i nenit 7 i marrëveshjes bazë për vet-menaxhimin e komunitetit serb në Kosovë. Mirëpo, Serbia me votën kundër pranimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, i ka shkelur zotimet e marrëveshjes së Ohrit, kur dihet se vet presidenti serb Vuçiq ishte pajtuar, që Serbia të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në mekanizmat evropiane dhe ato ndërkombëtare, prandaj vota kundër e Serbisë në Këshillin e Evropës paraqet shkelje të marrëveshjes së Ohrit, ashtu siç edhe parashihet me nenin 4 dhe 5 të Marrëveshjes bazë prej 11 pikave, e arritur në Bruksel me 27 shkurtit të këtij viti”, potencoi analisti.

Në fund, ai shprehet skeptik në dënimin e Serbisë nga ana e BE-së.

“Prandaj, pala e Kosovës me të drejtë e ka denoncuar pranë BE-së palën serbe për shkelje të marrëveshjes së Ohrit, por a do ta ndëshkojë BE-ja Serbinë për këtë devijim dhe shkelje të marrëveshjes në fjalë, këtë nuk e besoj, kur dihet ashiqare se përkëdheljet e shefit të BE-së për politikë të jashtme, z. J. Borrell, ndaj Serbisë janë bërë të përditshme”, përfundoi Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat