26 maji i porosive ogurzeza të Vuçiqit/ Vjen thirrja e fundit për ndërmjetësit ndërkombëtarë, Kosova mund të marr këtë vendim për dialogun

Politika

26 maji i porosive ogurzeza të Vuçiqit/ Vjen thirrja e fundit për ndërmjetësit ndërkombëtarë, Kosova mund të marr këtë vendim për dialogun

M.Lakna Nga M.Lakna Më 17 maj 2023 Në ora: 18:41
Takimi i Ohrit, 18 mars

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se më 26 maj do të organizojë “tubimin më të madh të mbajtur ndonjëherë në Serbi” para Kuvendit Kombëtar ose në sheshin e Beogradit. Gjatë ditës ka pasur raportime se Vuçiq nëpërmjet disa masave po i detyron edhe serbët e Kosovës që të marrin pjesë në këtë tubim.

Në mesin e këtyre masave, është edhe urdhri për të ndërprerë pushimet vjetore për të gjithë ata që atë ditë do të ishin në pushime.

Madje, në pikën katër të kësaj liste, iu kërkohet të gjitha ndërmarrjeve publike që të themelojnë komisione për verifikimin e pushimeve mjekësore dhe që të identifikojnë serbët që kanë hyrë në pushim mjekësor pak para 26 majit.

Gjithashtu Vuçiq e ka shfaqur ashpërsinë e tij përmes këtyre urdhrave strikte, ku obligohen të gjitha shtypshkronjat serbe që të shtypin flamuj dhe materiale propagandistike me imazhin e tij dhe të flamurit serb.

Ky organizim ka nxitur reagime të shumta në Kosovë.

Ka qenë shefi i stafit të presidentes Vjosa Osmani, Blerim Vela, ai i cili ka thënë se grupet kriminale po përpiqen që t’i detyrojnë serbët e Kosovës që të marrin pjesë në tubimin e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Po përgatiten listat e të gjitha personave që do të udhëtojnë, po merren me qira gjithë autobusët në dispozicion në veri të Kosovës, pushime vjetore të anuluara të punëtorëve. Kanë urdhëruar institucionet që të rishikojnë të gjitha lejet që u janë dhënë punëtorëve në terren dhe po ashtu të gjitha objektet shëndetësore janë paralajmëruar të mos miratojnë pushime mjekësore. Detyruan të gjitha furrat e bukës të përgatisin pako ushqimore për njerëzit që udhëtojnë në Beograd, ndërsa detyruan të gjitha shtypshkronjat të përgatisin materiale për tubime”, shkroi Vela në rrjetet sociale.

Ndërkaq, lidhur me këtë cështje për gazetën “Bota sot”, foli analisti Gani Qarri.

Ai ka thënë se tubimi i Vuçiqit vjen pas zhvillimeve të fundit në Serbi e veçanësirsht pas kërkesave për dorëheqjen e Aleksandër Vulinit.

Image
Gani Qarri

“Në fakt ka disa ditë që krimineli Vuçiq ka paralajmëruar plot pompozitet, një tubim me 26 maj në Serbi, i cili, siç thotë ai do ta ndryshojnë Serbinë, megjithëse fillimisht lë përshtypjen se kjo po ndodhë, pas zhvillimeve të fundit me protesta masive në Serbi, pas dy sulmeve me armë zjarri, që lanë të vdekur mese 17 persona, në mesin e të cilëve edhe tetë fëmijë të një shkollë fillore, duke kërkuar dorëheqjen e zyrtarëve më të lartë të qeverisë dhe mbylljen e gazetave si dhe të televizioneve që sipas tyre promovojnë dhunën.

Por ajo që ka prekur më tepër Vuçiqin, duket se janë kërkesat e protestuesve serb për dorëheqjen e ministrit të brendshëm dhe ati të shërbimit të fshehtë, BIA-s, e që këtë të fundit e udhëheq ultra nacionalisti pro rus Aleksandër Vulin, shkarkimi i të cilit do të kundërshtohej edhe nga Rusia, ndaj Vuçiq akuzon opozitën se kinse ajo është fajtore për gjendjen e krijuar, ngase kinse dëshiron me forcë, të vije në pushtet, pa zgjedhje dhe pa vullnetin e qytetarëve, që sipas Vuçiqit, asnjëherë nuk i kanë dashur "njerëzit e opozitës”.

Prandaj me mesazhin që Vuçiq u dërgoi qytetarvë, se vetëm brenda një dite mblodhën mbi 3 mijë armë dëshiron ti bind serbët, se vetëm ky është në gjendje ta luftojë krimin dhe shpëtojë, ata që kanë pasur fatin të jenë gjallë, me çka në situatën e krijuar me shumë rreziqe për te dhe qeverinë serbe, Vuçiq faktikisht kërkon një lloj mbrojtje nga populli, për vete dhe qeverinë e Serbisë”, shprehet Qarri.

Ai ka komentuar edhe raportimet se Vuçiq mund të jap dorëheqje për shkak të marrëveshjeve me Kosovën, të cilat nuk po i zbaton.

“Përndryshe, ka edhe spekulime, se për shkak të gjendjes eksplozive të krijuar në Serbi dhe për të mos zbatuar marrëveshjet e dakorduara me Kosovën, Vuçiq mund ta shkarkojë tërë Qeverinë, nëse me këtë rrugë, nuk jep dorëheqje të pa revokueshme edhe ai personalisht, pasi që me këtë datë, ka paralajmëruar vendimeve të mëdha dhe të rëndësishme për Serbinë?!”, potencon analisti.

Në anën tjetër, Qarri ka thënë se qysh nga konstruktimi artizanal i listës serbe nga siç shprehet “ustallarët harambash” Hashim Thaçi e Aleksandër Vuçiq, udhëheqësit kriminel të kësaj dore të zgjatur të Serbisë në Kosovë, gjithmonë kanë punuar nën diktatin e Vuçiqit dhe sipas porosive të marra nga Beogradi, për llogari të Serbisë.

“Madje Vuçiqi rregullisht ka mbajtur takime të hapura e të mbyllura me udhëheqësit dhe deputetët e katapultuar të listës serbe, në Kuvendin e Kosovës, duke u dhënë porosi dhe instruktuar ata, se si ta pengojnë vendosjen e rendit e të ligjit dhe mos lejojnë shtrirjen e shtetësisë së vendit tonë, në këtë pjesë integrale të territorit të Kosovës.

Përmes kryesuesve të listës serbe, Vuçiqi ka manipuluar në vazhdimësi edhe me pjesëtarët e pakicës serbe në veri të Kosovës, por pas dakordimeve të fundit në Bruksel dhe Ohër, në fakt Serbia ka marrë përsipër obligim për të mos u përzier në punët e brendshme të Kosovës dhe kjo nuk do duhej lejuar më, as nga BE dhe SHBA.

Megjithatë Vuçiq duke parë se BE, hesht për të gjitha sa ndodhin, përveç shkeljeve të vazhdueshme flagrante, të të drejtave kombëtare e njerëzore të shqiptarëve nën Serbi, ai ka filluar serish të ndërhyjë edhe në çështjet e brendshme të Kosovës, tani duke ftuar edhe pjesëtarët e pakicës serbe, që me detyrim, të marrin pjesë në tubimin e Vuçiqit me 26 maj në Serbi, ani pse ata janë qytetarë të Republikës së Kosovës”, është shprehur ai.

Në këtë mënyrë, Qarri ka theksuar se Vuçiq përveçse është duke shkelur me të dy këmbët, marrëveshjen e dakorduar me ndërmjetësimin e BE-së e SHBA-ve, ai vazhdon të mbajë edhe më tej, qëndrim armiqësor ndaj shtetit të Kosovës dhe deklaron publikisht se nuk do ta zbatojë asnjë marrëveshje nga dakordimet e arritura me Kosovën në Bruksel dhe Ohër.

Madje duket se tubimi i Vuçiqit në Beograd, mbahet me qëllim, pikërisht në ditët kur do duhej të jepnin betimin kryetarët e sapo-zgjedhur në zgjedhjet e lira e demokratike në katër komunat në veri, që përsëri ka të bëjë me porosi ogurzeza, për krijimin e problemeve të reja dhe tendosjen e serishme të gjendjes në këtë pjesë të vendit tonë.

Kryeministri Kurti dhe Qeveria e Kosovës, për shkeljet e fundit të marrëveshjes që përsëri vazhdon ti bëjë Serbia, janë detyruar që të gjitha, ti denoncojnë në Bruksel, për çka dhe gjenden në pritje të daljes me një qëndrim «adekuat» nga Bashkimi Evropian, gjë që parimisht dhe objektivisht, do duhej të ndodhte, megjithëse unë nuk pres as vërejtje serioze se lëre më, edhe ndonjë dënim të Serbisë, nga ana e BE-së.

Por në qoftë se edhe pas marrëveshjeve të dakorduara në Bruksel dhe Ohër, vazhdon praktika e Vuçiqit dhe përsëri lejohet përzierja e Serbisë dhe orkestrimi i pjesëtarëve të pakicës serbe nga krimineli Vuçiq, në veri të Kosovës, atëherë kjo na bënë me dije se nuk duhet të mbahet më fajtor vetëm Vuçiqi por edhe ndërmjetësuesit e BE-së, Borelll e Lajçak si dhe vet emisari amerikan Gabriel Eskobar, për çka Qeveria Kurti, definitivisht duhet të paralajmërojë largimin nga bisedimet, dhe vendos kusht për vazhdimin e tyre me krijimin e kushteve normale pa tension, ultimatume dhe presione të orkestruara nga Serbia në dhe ndaj Kosovës”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat