“Kurti po nënçmohet në dialog”/ Alarmon juristi: BE ka 23 modele për Asociacionin, nëse ndodh kjo - Qeveria të jep dorëheqje!

Politika

“Kurti po nënçmohet në dialog”/ Alarmon juristi: BE ka 23 modele për Asociacionin, nëse ndodh kjo - Qeveria të jep dorëheqje!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 17 maj 2023 Në ora: 22:45
Pamje nga Brukseli

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian po kërkojnë nga Kosova themelimin e Asociacionit.

Themelimin e Asociacionit e kërkuan sot edhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar, Nicholas Abbott dhe ambasadori i Gjermanisë, Jorn Rohde.

Që të dy kërkuan nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që ta përgatis një draft për statutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Abbott i kërkoi që statutin ta hartojë duke u mbështetur në vizionin që ai e prezantoi në takimin e fundit me presidentin serb, Aleksnadar Vuçiq, ndërsa Rohde thotë se duan ta shohin një draft me ide konkrete për Asociacionin.

Emisari i BE-së, Miroslav Lajça i cili ishte javën e kaluar në Prishtinë, ia ka dhënë një metodologji për formimin e kësaj bashkësie komunash.

Në anën tjetër, drafti i statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, i prezantuar nga Ekipi Menaxhues në takimin e 2 majit ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq u hodh poshtë nga ana e Kosovës dhe serbët që e hartuan u shkarkuan menjëherë.

Madje, Qeveria e Republikës së Kosovës thotë se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Ky “nivel i vetëmenaxhimit” parashihet me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër, më 19 mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Për këtë, Kurti, paraqiti “draft-vizionin” e tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

Draft-vizioni erdhi si përgjigje ndaj një draft-statuti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Kurti e refuzoi, duke thënë se nuk është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Në lidhje me këtë çështjem profesori dhe juristi Blerim Burjani thotë se BE po flet ndryshe nga ajo që po flet kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Sipas tij, fatkeqësisht BE po e pranon draftin e 2 majit për diskutime të mëtejme.

“Kjo është situatë shumë e komplikuar dhe pa dalje. BE nuk po lejon alternativë tjetër për të ofruar një draft normal, pra draft statut, ndërsa ky aktua i paraqitur herën e fundit është draft kundër pavarësisë së Kosovës, statutit të pavarur dhe kundër shtetit unitar të Kosovës”, thotë Burjani për gazetën “Bota sot”.

Profesori ripërsërit se kryeministri Kurti po nënçmohet nga ndërmjetësuesit dhe Serbia me kapacitetet qeverisëse të deritashme, dhe me njerëzit që ka për rreth është një nënçmim politik në dialog të Kurtit.

“Ky dialog, sidomos për gjatë kësaj kohe është tepër cirk dhe tallje me Kurtin. Duhet ta trajtojnë të barabartë në dialog. Modeli kroat nuk është në rend dite njëherë dhe nuk dihet a do të jetë, pasi që BE ka kartën rezervë nga 23 modelet evropiane për të prezantuar. Përshtypja imer është se do të ofrohet një draft evropian, sepse palët nuk do të arrijnë në asnjë mënyrë të gjejnë përmes negociatave ndonjë zgjidhje”, thotë ai.

Sipas tij, një model unik evropian mund të paraqitet nga BE.

“Modeli kroat është interesant, por mund të jetë i fundit që do të mund të u prezantohet palëve, edhe pse këtë Serbia nuk e pranon për pakicën serbe në Kosovë”, shton ai.

Juristi tutje thekson se, ideja serbe tash po dihet, e ajo është përgatitja që përmes asociacionit të shkëputin një pjesë të territorit të Kosovës.

“Mendoj se nëse veç insistohet në vazhdimësi një model kundër Kushtetutës, qeveria e Kosovës duhet të jep dorëheqje dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme”, përfundon profesori dhe juristi Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat