“Kosova nuk është e vetme në ‘luftën’ e saj”, pasi mori mbështetjen e fuqishme nga ky shtet – qeverisë Kurti i kërkohet ‘kujdes’ nga Lajçaku!

Politika

“Kosova nuk është e vetme në ‘luftën’ e saj”, pasi mori mbështetjen e fuqishme nga ky shtet – qeverisë Kurti i kërkohet ‘kujdes’ nga Lajçaku!

Nga: A.M. Më: 18 maj 2023 Në ora: 22:07
Gabriel Escobar, Albin Kurti dhe Miroslav Lajcak

Administratorja e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), Samantha Power, deklaroi se udhëheqja e dialogut nga BE-ja po bëhet për shkak se të destinacionit përfundimtar të Kosovës.

Në një intervistë televizive, ajo shtoi se SHBA është mbrojtëse e interesave të popullit të Kosovë, që së bashku me BE-në, do t’i sigurojë dhe drejtojë bisedimet.

“Është e drejtë që BE-ja po udhëheq këtë dialog për shkak të destinacionit përfundimtar të Kosovës. SHBA-ja po bashkëpunon ngushtë me z. Lajçak, dhe mendoj se është me rëndësi që populli i Kosovës të dijë se SHBA është mbrojtëse e interesave të tij, dhe po e bën këtë tashmë një kohë të gjatë. Miqësia në mes dy popujve tanë është e palëkundshme. Kjo miqësi tashmë ka dhënë fryte të jashtëzakonshme për të dyja vendet. Pra, jini të sigurt se parimet që ne kemi artikuluar publikisht janë ato që ne, së bashku me BE-në, do të sigurojmë se do t’i drejtojnë negociatat”, tha Power.

E lidhur me këtë deklaratë të Power dhe dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, për gazetën “Bota sot” ka folur doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi. Sipas tij, qëndrimet e administratores së USAID janë shumë pozitive krahasuar me anshmërinë e treguar nga Miroslav Lajçak në bisedimit Kosovë-Serbi.

“Qëndrimet e Samantha Power, administratore e Agjencisë Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi dhe theksimi i saj se SHBA-të janë mbrojtëse të interesave të popullit të Kosovës, krahas BE-së, dhe përkushtimi i tyre për të siguruar dhe udhëhequr bisedimet, sugjeron një rritje të mundshme të besimit për Kosovën. Kjo deklaratë tregon se Kosova në proces nuk është e vetme përball njënashmërisë së Lajçakut dhe reprezaljeve të Serbisë”, deklaroi ai.

Image
Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi

Krahas kësaj, Kuçi tha se vizita e Power në Prishtinë është sinjal i përkushtimit për gjetjen e një zgjidhjeje për çështjen e Asociacionit.

“Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se vizita e zonjës Power në rajon nuk ishte vetëm për Kosovën, pasi ajo në fillim qëndroi në Beograd. Kjo vizitë duhet parë në lidhje me përpjekjet që po bëhen për të gjetur një zgjidhje për asociacionin e komunave me shumicë serbe, një çështje me rëndësi në dialogun e vazhdueshëm”, vlerësoi njohësi i çështjeve ndërkombëtare.

Sipas tij, është thelbësore që këshillat e Power të merren parasysh dhe të kundërshtohen fuqishëm qëndrimet e njëanshme të Lajçakut e BE-së.

“Ndërsa zonja Power jep garanci se Kosova nuk është e vetme në luftën e saj dhe se ka mbështetjen e SHBA-së, është thelbësore të merret parasysh konteksti i përgjithshëm, duke përfshirë pozicionet pro-serbe të vërejtura brenda BE-së dhe qëndrimin e Lajçakut. Kosova nuk duhet të heshtë vetëm në bazë të deklaratës së zonjës Power, si dhe qëndrimet e BE-së dhe Lajçakut që ka demonstruar një anim drejt Serbisë”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, Kuçi kërkoi nga Ksoova që të angazhohet në dialogun me Serbinë dhe t’i marrë parasysh kërkesat dhe mbështetjen e Amerikës.

“Prandaj, derisa mbështetja nga SHBA-të është inkurajuese, Kosova duhet të ruajë vigjilencën dhe të vazhdojë të angazhohet në procesin e dialogut. Vizita e zonjës Power ka sjellë edhe kërkesa të qarta që dialogu të mos ndalet, duke theksuar nevojën për një vrull të vazhdueshëm dhe përkushtim për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare.

SHBA-ja është e vetëdijshme mbi dëshirën e Rusisë dhe Serbisë që Kosova të përfundojë në një konferencë ndërkombëtare ku do të ndahet edhe fati i luftës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës”, përfundoi Gurakuç Kuçi për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat