Lidhja e afërt Shqipëri–Serbi: Vuçiq përdor Ramën si mjet shfajësimi për politikat e tij agresive ndaj Kosovës

Politika

Lidhja e afërt Shqipëri–Serbi: Vuçiq përdor Ramën si mjet shfajësimi për politikat e tij agresive ndaj Kosovës

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 19 maj 2023 Në ora: 18:12
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Në zgjedhjet e 14 majit në Shqipëri, Partia Socialiste që udhëhiqet nga Edi Rama shënoi një fitore absolute.

PS fitoi plotë në 59 bashki, ndërsa 7 bashki do të drejtohen nga koalicioni “Bashkë Fitojmë” i drejtuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta, të cilët shënuan rezultatin me të keq në historinë e tyre.

Kurse Bashkia e Finiqit në jug të vendit do të drejtohet nga partia minoritare greke, MEGA.

Por sa do të ndikojë kjo fitore e Edi Ramës në Kosovë?

Lidhjet Rama-Vuçiq

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot”, foli profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi, sipas të cilit, ka dy pikëpamje për sa i përket fitores së Rilindjes në zgjedhjet e 14 majit.

“Ka nga ata që thonë se fitorja e Edi Ramës në këto zgjedhje është një e mirë e madhe në marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shqipërisë. Dhe në këtë krah qëndron edhe ambasadori Christopher Hill, kur shprehej se kjo fitore e nxit bashkëpunimin shumë të mirë midis këtyre dy vendeve. Por, askënd prej kësaj kategorie nuk dëgjova të thotë, nëse kjo marrëdhënie dhe kjo fitore është në dobi apo në dëm të Kosovës dhe perspektivës së saj shtetërore dhe integruese. Unë e kam shprehur pikëpamjen time në këtë rast. Dihet dhe është i shpallur qëndrimi dhe dëshira e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për fitoren e Edi Ramës në zgjedhjet elektorale në Shqipëri. Ai e shprehu këtë qëndrime dëshirë pak ditë para zgjedhjeve të 25 prillit 2021, kur bëri thirrje që të votohej Rama, sepse Sali Berisha është prapa Lulzim Bashës, shprehej ai. Por, nuk ka nevojë të japim shembuj të tillë për të provuar që Serbia është e gëzuar për fitoren rozë në Shqipëri. Nuk ka njeri normal që nuk e di këtë. Festa e vërtetë e fitores së Edi Ramës bëhet në Beograd”, thotë Bytyçi.

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, doktor Enver Bytyçi.

Sipas tij, lidhjet e kryeministrit të Shqipërisë me presidentin e Serbisë janë të afishuara.

“Ato o ka parë dhe i njeh çdo shqiptar. Këto lidhje kanë shkuar gjithnjë në dëm të Kosovës. Asnjëherë në favor të saj në këto dhjetë vite të regjimit. Mesa duket miqtë e Vuçiqit e të Serbisë besojnë se një pushtet autokrat e shndërruar në regjim në Shqipëri është më i vlefshëm për paqen e stabilitetin në rajonin e Ballkanit Perëndimor, sesa vlerat e demokracisë e të lirisë. Dihet tashmë se diplomacia amerikane nuk ka parime të bazuar në vlera kur është fjala për vendet e treta. Diplomacia amerikane është pragmatike. Si e tillë nuk ka kriter themelor vlerat e lirisë e të demokracisë te vendet partnere. Pragmatizmi është një lloj përshtatje në kushtet e rrethanat gjeopolitike në një hapësirë e kohë të caktuar. Për këtë arsye p.sh Hill është i lumturuar për fitoren e Ramës, e cila garanton marrëdhëniet e mira të Serbisë me Shqipërinë”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.

Më tej, ai thotë se fitorja e Ramës shihet si faktor ndikues në “zbutjen” e Kurtit dhe Osmanit.

“Po harrohet se lidhjet e Shqipërisë e të Serbisë nuk janë bërë asnjëherë shkak i destabilitetit në Ballkan së paku në 100 vitet e fundit. Shkak i destabilitetit mbetet ende projekti serb për „botën serbe“ dhe Serbinë e Madhe. Kjo është shtysa serbe në marrëdhëniet me Kosovën, jo me Shqipërinë. Atëherë pse vihet në dukje lidhja Tiranë-Beograd. Është shumë e thjeshtë. Qeveria e Kosovës është ende shumë e vendosur për ta mbrojtur shtetësinë, territorin dhe sovranitetin e Kosovës dhe nuk po bën ende kompromise p.sh për të krijuar një Republikë Srpska në veri të vendit. Fitorja e Ramës shihet si faktor ndikues në “zbutjen” e zotit Kurti dhe zonjës Osmani”, deklaron Bytyçi.

Ai thotë se edhe ky është motivi që shtyn Beogradin ta duartrokasë fitoren e Ramës në Shqipëri.

“Kjo është arsyeja pse Hill i gëzohet kësaj fitoreje, pavarësisht se ajo erdhi me vjedhje, shit-blerje, presione, paligjshmëri, grabitje votash dhe lloj-lloj manipulimesh të regjimit të Edi Ramës. Kjo provon edhe njëherë atë qe thashë më lart. Nuk u intereson diplomatëve, sidomos atyre amerikanë se ka apo nuk ka demokraci në Serbi e në Shqipëri. Interesi i tyre është paqja në rajon. Dhe natyrshëm paqja është shumë e rëndësishme, por pa kurban Kosovën”.

“Kosova mund të bëhet viktima kryesore e forcimit të pushtetit auto dhe kleptokratik të Edi Ramës. Kosova duhet të bëjë kujdes kur kryeministri i Shqipërisë merr pozat e patriotit, në fushatë elektorale ose jo. Kosova nuk duhet të mashtrohet e të intimidohet nga pesha e madhe e pushtetit që fiton kryeministri i Shqipërisë. Kosova dhe shqiptarët duhet të dëshpërohen kur kjo peshë pushteti i shkon vetëm një politikani, kushdo qoftë ai, edhe më nacionalistit shqiptar. Ajo që ndodhi në Shqipëri më 14 maj është një ngjarje që duhet të na mërzisë, jo të na gëzojë. Jo pse humbi opozita! Kjo nuk ka shumë rëndësi, sa lidhet kjo fitore me prishjen e ekulibrave politikë, krahinorë, e civilë në Shqipëri. Njerëzimi ka mbijetuar si rezultat i ruajtjes së ekulibrave, sidomos në ushtrimin e pushtetit. Edhe para 2500 viteve, kur u krijua Republika e Romës, kishte në themel balancën e pushteteve midis perandorit dhe senatit. Nuk e lejonte perandorin të ekzekutonte vendimet e tij pa i miratuar në senat”, shprehet Bytyçi.

Bytyçi thotë se autokracia në Shqipëri nuk e ndihmon, por e dëmton Kosovën.

“Shqipëria ka devijuar së paku prej 6-7 viteve nga harmonia soaciale e politike. Zgjedhjet e 14 majit e thelluan këtë dis’harmoni. E kanë bërë më të thellë konfliktin politik dhe e kanë shndërruar vendin në një lloj monizmi partiak. Kjo nuk e ndihmon Kosovën. E din pse në vitet 1990 Kosova pati mbështetjen më të madhe se në çdo kohë tjetër? Sepse Shqipëria ishte një demokraci, ndonëse me problemet e deficitet e saj. Një Shqipëri jo demokratike kurrë nuk ka qenë avantazh për Kosovën. Ata që besojnë se përqendrimi i pushtetit, i të gjitha pushteteve, në dorën e një njeriu, sidomos të një njeriu të çekuilibruar si Edi Rama, është i dobishëm për Kosovën dhe çështjen shqiptare, ata gabojnë rëndë. Edhe sikur të mos ekzistonin marrëdhëniet e lidhjet vëllazërore të Ramës më Vuçiqin, autokracia në Shqipëri nuk e ndihmon, por e dëmton Kosovën. Por po të shtojmë këtë lidhje të veçantë, unike në historinë e të dy vendeve, atëherë dëmi shumëfishohet”, shpjegon Bytyçi.

“Serbia merr më shumë zëmër e kurajo të bëjë diversion ndaj Kosovës. Kosova është e pambrojtur përballë Serbisë në shpinën e saj. Vuçiq e përdor Ramën si mjet shfajësimi për politikat e tij agresive ndaj Kosovës, duke u thënë se „E keqja gjendet në Kosovë, se ndryshe ne nuk do të kishim këto marrëdhënie kaq vëllazërore me Edi Ramën“! Duke thënë se „Shqiptarët në Shqipëri janë të arsyeshëm, por këta të Kosovës nuk kuptojnë“! Pra diversioni serb vishet me manipulimin dhe përpjekjet serbe për t’i përçarë shqiptarët e Kosovës dhe ata të Shqipërisë. Rama përdoret si model, apo ta themi si mostër e kësaj alibie! Për të gjithë arsyet që thamë më lart është e dëmshme “fitorja” e grabitur e Edi Ramës më 14 maj. Ndoshta për këtë shkak Albin Kurti dhe Vjosa Osmani nuk e kanë uruar kryeministrin e Shqipërisë. Megjithëse urimit të tyre nuk i ka ikur koha!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Fitore pa ndikim në Kosovë

Kurse analisti politik, Faton Mehmeti nuk pret që fitorja e Edi Ramës të ndikojë edhe në Kosovë.

Image
Analisti politik, Faton Mehmeti

“Fitorja e PS nuk mund të ndikojë në Kosovë në aspektin zgjedhor, kjo gjë s’ka ndodhur dhe nuk besoj se mund të ndodhë. Konfigurimi politik në Kosovë është ndryshe, andaj vështirë të mund të thuhet se mund të ketë ndikim. PS zakonisht ka qenë e afërt ne PDK në vendin tonë, parti e zhytur në korrupsion për të cilën qytetarët edhe e kanë ndëshkuar”, shprehet Mehmeti.

Sipas Mehmetit, me një fitore të tillë, Shqipëria do të shkojë drejt forcimit të marrëdhënieve me Serbinë.

“Mirëpo, kjo fitore do i jap forcë Ramës për të shtrirë sundimin e tij të brendshëm Në raport të jashtëm vetëm sa do të vazhdojnë marrëdhëniet e mira me Vuçiqin dhe jo të mira me Kurtin. Uroj që ky rezultat mos të jetë njësoj në zgjedhjet nacionale të 2025, ndryshe Shqipëria do fundoset edhe më shumë, si dhe dëmet ndaj Kosovës do të jenë të mëdha”, përfundon për “Bota sot”, analisti Faton Mehmeti.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat