Pas paralajmërimit befasues të senatorit amerikan, vjen thirrja për Kosovën: Të thellohet bashkëpunimi me diasporën në SHBA!

Politika

Pas paralajmërimit befasues të senatorit amerikan, vjen thirrja për Kosovën: Të thellohet bashkëpunimi me diasporën në SHBA!

Nga: A.M. Më: 20 maj 2023 Në ora: 09:55
Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez

E ardhmja e dialogut Kosovë-Serbi ishte në qendër të një seance dëgjimore për Ballkanin Perëndimor të mbajtur të enjten në Komisionin për Marrëdhënie me Jashtë në Senat të Shteteve të Bashkuara.

Gjatë kësaj seance, kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme të Senatit amerikan, Bob Menendez, e mbështeti publikisht Kosovën në dialogun e saj me Serbinë.

Menendez tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, publikisht është deklaruar se nuk do ta respektojë Marrëveshjen drejt normalizimit.

Ai shtoi se ndaj Beogradit nuk po ushtrohet presion, teksa shtoi se Vuçiq po vazhdon të përqafojë narrativë nacionalistë.

“Nuk ka garanci që Asociacioni nuk do të bëhet një Republika Sërpska, sikurse në Bosnjë e Hercegovinë”, paralajmëroi Menendez në nisje të kësaj seance të komitetit.

E për këtë temë në një prononcim për gazaetën “Bota sot” foli profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

Fillimisht, ai u shpreh se ky diskutim në senatin amerikan ishte shumë i rëndësishëm për Kosovën, mirëpo vlerësoi se Senati ndjek një linjë tjetër të qëndrimeve politike amerikane për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor nga ato të DASH.

Image
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi.

“Ishte në interes të Kosovës dhe shumë i rëndësishëm raporti që disa personalitete të DASH paraqitën para Komitetit të Jashtëm të Senatit Amerikan situatën dhe problematikat në Ballkanin Perëndimor. Ishte një komunikim dhe debat shumë interesant. Aty u shfaqën shqetësimet, tensionet, grindjet, konfliktet, korrupsioni etj. Madje këshilltari i sekretarit të Shtetit, Chollet, pranoi edhe faktin se artikujt e Neë Times për presidentin e Serbisë si bashkëpunëtor i grupeve kriminale ishin me fakte të vërteta.

Kosova ishte në epiqendër të pyetjeve dhe përgjigjeve, si dhe shqetësimeve të Senatit. Por në këtë diskutim unë kam vënë re një diferencë të theksuar midis pikëpamjeve të senatorëve dhe tre përfaqësuesve të departamentit amerikan si raportues. Përshtypja ime është se Senati ndjek një linjë tjetër të qëndrimeve politike amerikane për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor nga ato të DASH. Diferenca dukej te qëndrimi për krijimin e asosacionit të komunave me shumicë serbë në Kosovë. Ndoshta edhe në çështje të tjera, por kjo temë qe më e lakueshmja”, deklaroi ai.

Sipas Bytyçit, në këtë mbledhje u vërejt qartë se senatori amerikan, Bob Menendez ishte kundër formimit të Asociacionit, derisa shtoi se Chollet e Escobar nuk dhanë përgjigje shumë të prera për këtë çështje.

Madje, përmendi faktin se si u mbështet edhe nisma e “Ballkanit të Hapur”.

“Kryetari i Komitetit të Jashtëm në Senat, senatori Menendez, këmbënguli disa herë për atë, nëse asosacioni mund të shndërrohej në një Republikë Srpska në Kosovë. Ai e përsëriti po ashtu se ishte skeptik nëse mund të ruhej stabiliteti e paqja në Kosovë e në rajon, nëse krijohej asosacioni. Dhe dukej shumë qartë që ai ishte kundër këtij asosacioni. Ndërkaq senatorët patën kontestime dhe dyshime rreth Ballkanit të Hapur, duke vënë në dukje se kjo iniciativë mund të rritë ndikimin rus në Ballkan. Por kundërshti e pikëpamje të kundërta pati edhe për çështje të tjera të zhvillimeve në rajonin tonë.

Megjithatë, për sa dëgjova, nuk m’u duk se Chollet e Escobar dhanë përgjigje të qarta e të prera për këto tema. Ata thanë se asosacioni duhet krijuar. Thanë edhe se përkrahin Open Balkan. Dhe shpesh herë barazuan përgjegjësitë midis Serbisë dhe Kosovës, kur u fol për dialogun midis këtyre dy vendeve. Shqetësimi është se politikat vërtet formulohen në Senat e në Kongresin Amerikan, ku senatorët e kongresmenët në shumicë përkrahin të drejtën e Kosovës për pavarësi të plotë e liri në implementimin e politikave të saj bazuar në kushtetutë. Por këto politika i ekzekuton administrata amerikane, përkatësisht Departamenti i Shtetit, të cilin e përfaqësonin Chollet dhe Escobar”, nënvizoi profesori.

Më tej, ai tha se qëndrimet e DASH i shoh si një vijë e mesme midis qëndrimeve të Menendez dhe të Lajçak e Borrell.

“Këta të dy nuk më bindin se ndajnë shqetësime të njëjta me senatorin Menendez. Përkundrazi, më duket se u përpoqën t’i relativizojnë ngjarjet dhe rreziqet që paraqet sidomos krijimi i asosacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë. Qëndrimet e DASH i shoh si një vijë e mesme midis qëndrimeve të Menendez dhe të Lajçak e Borrell. Ndërsa Miroslav Lajçak e Joseph Borrell duan të krijojnë një asosacion pro-serb, senatori Menendez është kategorikisht kundër kësaj. Kurse Chollet dhe Escobar duan të bëjnë një asosacion të përzier, i cili të konsiderohet edhe me kompetenca ekzekutive, edhe pa këto kompetenca. Duan një asosacion të interpretushëm nga të dy palët, nga pala serbe dhe pala kosovare në mënyrën e vet.

Është në traditën e diplomacisë amerikane që kur nuk gjen dot zgjidhje të pranueshme në të drejtën, të krijojë një simbiozë të intepretueshme nga palët. DASH edhe raportet vjetore kur i bën, për t’i dhënë mundësi djallit të justifikohet, në fillim ia bën ndonjë elozh e më pas ia numëron dështimet. Djalli, si djall që është, kapet fort pas elozhit të pavend e të pavërtetë. Ndërkohë që kundërshtarët e djallit ia numërojnë dështimet. Por gjithë këtë diskurs e mundëson vetë raporti. E njëjta gjë ndodh edhe me marrëveshjet e imponuara, kur palët nuk bien dakord”, shtoi Bytyçi.

Ndër të tjera, profesori potencoi se i gjithë spektri politik në Kosovë duhet të mbështetet te senatori Menendez dhe të kërkojnë me ngulm që të mos implentohet Asociacioni.

Po ashtu, ai e përmendi diasporën, duke thënë se përmes tyre është e lehtë të krijohen lidhjet me senatorë e kongresmenë të shumtë.

“Unë besoj se qeveria e Kosovës, presidentja dhe akterët e tjerë politikë, deri dhe opozita, duhet të mbështeten te senatorët siç është senatori Menendez dhe të kërkojnë përkrahjen e tyre në qëndrimet që kanë lidhur me asosacionin dhe të gjitha çështjet që lidhen me raportet me Serbinë. Ne kemi një diasporë të mrekullueshme dhe aktive në SHBA. Përmes tyre është shumë e lehtë të krijohen lidhjet me senatorë e kongresmenë të shumtë. Mund të aktivizohen edhe ish-kongresmenët e ish-senatorët, si p.sh Dioguardi. Duhet ndryshuar mentaliteti i bashkëpunimit me diasporën dhe sidomos autoritetet shqiptare në SHBA. Ndërsa qeveritë e kaluara, saktësisht grupi i Thaçit, i ndërtoi marrëdhëniet me shqiptarët e Amerikës bazuar te mbështetja ose jo ndaj tij, qeveria dhe institucionet e sotme duhet të nisen nga interesat e Kosovës për këtë”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat