“Ky është sinjal shumë i mirë”, deklarohet ish-ambasadori holandez për Asociacionin – kërkon t’i thuhet kjo gjë Hill-it!

Politika

“Ky është sinjal shumë i mirë”, deklarohet ish-ambasadori holandez për Asociacionin – kërkon t’i thuhet kjo gjë Hill-it!

Nga: A.M. Më: 20 maj 2023 Në ora: 14:06
Christopher Hill

Së fundi, kryetari i Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë, Bob Menendez kritikoi trysninë e shtuar ndaj Kosovës për krijimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe, me gjithë shqetësimin që ai mund të bjerë ndesh me Kushtetutën e vendit.

“Jam i shqetësuar për disa nga propozimet, siç është asociacioni i komunave serbe dhe gjasat që kjo mund të sjellë paqëndrueshmëri, në vend të qëndrueshmërisë. E kemi parë në të kaluarën në vende të tjera. Nëse ato nuk strukturohen siç duhet, mund të krijojnë paqëndrueshmëri”, tha zoti Menendez për Zërin e Amerikës.

Ai i bëri këto komente pas seancës dëgjimore për Ballkanin Perëndimor të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë në Senatin amerikan.

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli për shqetësimin e ngritur nga senatori amerikan Menendez.

Fillimisht, ai u shpreh se ky është një sinjal që ambasadori amerikan në Beograd, Christopher Hill duhet të ‘qetësohet’.

Image
Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch

“Është sinjal shumë i mirë, tani ambasadorit Hill duhet t'i thuhet të qetësohet. Serbia de fakto ka thënë se nuk do ta pranojë kurrë propozimin gjermano-francez, nuk do të shohë vijat e tyre të kuqe, asnjë njohje de facto apo de jure dhe Kosova kurrë në OKB, e cila është thelbi i marrëveshjes gjermano-gjermane të viteve shtatëdhjetë mbi të cilën u bazua marrëveshja e Ohrit”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, ish-ambasadori holandez vlerësoi se nuk duhet bërë presion ndaj Qeverisë së Kosovës për themelimin e Asociacionit, deri kur Serbia ta pranojë planin franko-gjerman.

“Pra, pse të vazhdoni t'i kërkoni Kosovës që të vijë e para me një ASMM para se të flasim më shumë kur ata tashmë kanë thënë se nuk do të japin kurrë. Pra, ndaloni këtë derisa Beogradi të thotë se do të pajtohet me planin gjermano-francez”, potencoi Robert Bosch për “Bota sot”.

Duke iu përgjigjur shqetësimit të Senatorit Menedez se Asociacioni do të kthehej në një lloj "Republika Serbska" në Kosovë, i dërguari i Uashingtonit për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar tha se Asociacioni do të krijohet brenda Kushtetutës së Kosovës dhe i bazuar në modele evropiane që tashmë ekzistojnë.

"Dhe në asnjë nga ato modele, një vend fqinj nuk mund të futet në territorin e një fqinji tjetër për të penguar kushtetutshmërinë ose strukturën e tij ligjore. Ky është synimi ynë. Ndërsa ato vende normalizojnë marrëdhëniet mes tyre, ato harmonizohen me Bashkimin Evropian, në rrugëtimin e tyre drejt integrimit", tha zoti Escobar.

Megjithatë as zoti Chollet, as zoti Escobar nuk thanë konkretisht se si do të garantohet kjo përputhje me Kushtetutën.

Dhe ndërsa udhëheqësit e Kosovës kanë thënë se kërkesat që themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe të jetë parakusht për zbatimin e pikave të tjera të marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, dëmtojnë procesin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve, zyrtarët e lartë amerikanë veçuan pikërisht këtë çështje, edhe në kuadrin e përmirësimit të shanseve për njohjen nga pesë vendet e BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën dhe afrimin me BE-në.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat