Presioni për themelimin e Asociacionit - Qeverisë i vjen thirrja: Të jep dorëheqje ose t’i dal përpara krijimit të një ‘Republike Serbe”!

Politika

Presioni për themelimin e Asociacionit - Qeverisë i vjen thirrja: Të jep dorëheqje ose t’i dal përpara krijimit të një ‘Republike Serbe”!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 20 maj 2023 Në ora: 18:43
Albin Kurti

Ky draft statut ishte hedhur poshtë nga ana e Kosovës dhe serbët që e hartuan u shkarkuan menjëherë nga Qeveria e Kosovës.

Pas kësaj, Qeveria e Republikës së Kosovës tha se për të krijuar një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb, do të shtyjë përpara një model kroat për pakicat kombëtare.

Ky “nivel i vetëmenaxhimit” parashihet me një marrëveshje që Kosova dhe Serbia arritën në Ohër, më 19 mars, me qëllim normalizimin e marrëdhënieve.

Për këtë, Kurti, paraqiti “draft-vizionin” e tij për këtë qëllim gjatë një takimi që zhvilloi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, më 2 maj në Bruksel.

Këtë propozim të Ekipit Menaxhues i cili është shkarkuar nga Qeveria e ka komentuar analisti politik, Gani Qarri.

Ai thotë se, në takimin e organizuar nga shefi për politikë të jashtme të Bashkimit Evropian, Joseph Borrell, Ekipi Menaxhues i formuar prej 4 serbësh, madje vet kryesusja anëtare e partisë së Vuçiqit dhe deputete e parlamentit të Serbisë, por asnjë shqiptar dhe asnjë përfaqësues të shtetit të Kosovës, ekip i miratuar nga Qeveria Hoti, shpalosi një draft-statut, jo thjeshtë për Asociacion, por për shtet brenda shtetit, me një republikë serbe në Kosovë!

Image
Gani Qarri

Prandaj, sipas tij, kryeministri Kurti, nuk kishte rrugëdalje tjetër përveçse të deklarohej plotësisht “qartë" dhe pa hezitim, se draft statuti i ekipit të Vuçiqit, ishte i papranueshëm për Kosovën, përderisa aty nuk bëhej fjalë për asociacion apo vet menaxhim të pakicës serbe, por shprehej hapur tentimi për imponimin e një Republike "srpska" edhe në Kosovë.

“Një dokument oportun, që ashtu siç u shpreh edhe kryeministri Kurti, ishte fundamentalisht në kundërshtim të plotë me ligjet dhe kushtetutën e Republikës së Kosovës! Por me kërkesën e BE-së dhe emisarit amerikan, kryeministri Kurti, po në këtë takim, ofroi “një draft-vizion serioz dhe përmbajtjesor, me vlerat, principet dhe kornizën që e rregullon vet menaxhimin e komunitetit të pakicës serbe në Kosovë” duke propozuar formulën e asociacionit të komunitet serb në Kroaci, të cilën e kanë pranuar Serbia dhe vet serbët që jetojnë atje”, thotë Qarri për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, ky është shembulli më praktik, që mund të aprovohej edhe në rastin e Kosovës, duke pasur parasysh faktin se formula e asociacionit të komunitetit serb në Kroaci, është miratuar edhe nga Bashkimi Evropian!

“Prandaj unë nuk shoh asnjë arsye, se pse sërish Kosovës, duhet t’i bëhet presion, kur nga kryeministri ynë, është dorëzuar edhe në BE, shembulli konkret për formimin e asociacionit, që në bazë të principeve tani më ekzistuese dhe të dëshmuara si të suksesshme në Kroaci, i njëjti mund të formohet edhe tek ne”, thekson Qarri.

Analisti pohon se, në Kosovë, formulën e katapultuar nga Serbia, e ka hedhur poshtë Kushtetuta e Kosovës, e cila as që lejon krijimin e entiteteve inekzistente, me kompetenca shtetërore dhe republikë "srpska", në emër "asociacionit", për 30 mijë pjesëtarë të pakicës serbe.

“Këte nuk do ta lejonte asnjë shtet në botë, kështu që habit shumë fakti se si, po thuajse të gjitha shtetet perëndimore parashtrojnë një kërkesë të tillë, para se të sqarojnë paraprakisht, se çfarë entiteti kërkojnë të formohet, asociacion, apo "republikë serbe" për shkatërrimin e rregullimit të brendshëm shtetëror, ndarjen dhe shuarjen e Republikës së Kosovës. Për aq më tepër, imponimi i asociacionit me kompetenca ekzekutive, është qëllimi i vetëm i Vuçiqit, si hapi vendimtar, për shkatërrimin e shtetit të Kosovës, i cili, po qese arrin ta realizojë edhe këtë, ai nuk do të pranojë më, të bisedojë për asgjë tjetër, përveçse për ndarjen e Kosovës”, pohon ai.

Ai shton se, ky akt jo vetëm që është shumë i padrejtë dhe si i tillë edhe tërësisht i papranueshëm, por nuk garanton në asnjë mënyrë as marrëveshjen përfundimtare Kosovë-Serbi

“Kështu që nëse vërtetë, nga faktori ndërkombëtar, Kosovës i kërkohet vetëvrasja me asociacion kundër kushtetues një etnik serb, pa u ofruar shqiptarëve nën Serbi, asnjë të drejtë kombëtare dhe njerëzore, Qeveria një padrejtësi të tillë, ose duhet të gjejë forcë dhe mënyra, që ta kundërshtoj dhe hedhë poshtë me vendosmëri, ose duhet menjëherë të jap dorëheqje dhe ftoi popullin në rrugë, që pas gjithë atyre masakrave dhe gjenocidit të shkaktuar nga Serbia fashiste ndaj shqiptarëve të pafajshëm, t’i dal përpara, krijimit të një republike "srpska" në vendin tonë, duke ndërprerë tërësisht edhe procesin e bisedimeve, përderisa Serbia të lejohet nga faktori ndërkombëtar, jo vetëm të vazhdojë të përzihet në çështjet e brendshme shtetërore të Kosovës, por edhe ta zgjerojë fushatën e saj të çmendur, kundër shtetit të lirë e të pavarur të Kosovës!”, përfundon Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat