Ish-ambasadori holandez ngre dyshimet për draftin e Edi Ramës: E çuditshme, pse ky ndryshim?

Politika

Ish-ambasadori holandez ngre dyshimet për draftin e Edi Ramës: E çuditshme, pse ky ndryshim?

Nga: A.Zh Më: 16 qershor 2023 Në ora: 09:53
Robert Bosch

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë Robert Bosch, e ka quajtur të çuditshëm propozimin e draftit nga kryeministri shqiptar Edi Rama, për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Rama njoftoi ditë më parë se propozimin ia ka dërguar Gjermanisë dhe Francës dhe se i njëjti është konfidencial, i hartuar nga nga ekspertë të nivelit më të lartë evropianë dhe amerikanë.

Por, sipas ish-ambasadorit Bosch, kjo është detyrë e Qeverisë së Kosovës, përkatësisht e ekipit menaxhues për Asociacionin.

“Meqenëse nuk jam në dijeni të përmbajtjes, është e vështirë për mua të komentoj. Por gjithçka është e çuditshme këto ditë pasi qeveria detyrohet si nga BE ashtu edhe nga SHBA të hartojë tekstin për virusin "Asociacionin e Komunave me shumicë serbe" sipas marrëveshjes së vitit 2015, kjo duhet të bëhet nga i ashtuquajturi ekip menaxhues? Pse ky ndryshim dhe në bazë të cilave vendime?”, ka deklaruar Bosch për gazetën “Bota sot”.

Drafti që sipas Ramës, merr në konsideratë që asociacioni është pjesë e organizimit të jetës në Republikën e Kosovës, duke adresuar të gjithë rekomandimet apo konkluzionet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, ngjalli reagime të shumta.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i është kundërpërgjigur homologut të tij nga Tirana, se meqë drafti qenka “i mirë”, të njëjtin t’ia propozojë presidentit të Serbisë për shqiptarët në Luginë, e jo për serbët e Kosovës.

“Nuk kam dyshim që Rama që beson se propozimi i tij është i mirë, dhe duke qenë kështu atëherë krejt që unë propozoj është që kryeministri Edi Rama këtë propozim t’ia prezantojë presidentit të Serbisë më së largu në takimin e radhës të Ballkanit të Hapur për shqiptarët në Preshevë e Bujanoc. Pra, pa dyshim që kryeministri Rama beson që ky është model i mirë, pra do të duhej t’ia bënte si propozim Vuçiqit për shqiptarët në Luginën e Preshevës.Propozimi im është që duke besuar në atë që beson kryeministri Edi Rama që modeli i tij është i mirë, në vend se të propozohet për serbët në Kosovë, t’ia propozojë Beogradit në Serbi”, ka thënë kryeministri Kurti.

Ndërsa, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca e ka quajtur veprim të njëanshëm vendimin e Edi Ramës.

Ndërkohë, nga Bashkimi Evropian e kanë quajtur “tekst serioz” propozimin e Edi Ramës për Asociacionin e Komunave serbe në Kosovë.

“Teksti është i shkruar me shumë seriozitet, dhe për nga mënyra e të shkruarit ka një cilësi shumë të lartë. Nuk është aq e rëndësishme se si e trajton BE-ka këtë draft, por si e trajtojnë palët, Prishtina dhe Beogradi. U takon atyre që, në kuadër të dialogut, të avancojnë në drejtim të përmbushjes së këtij obligimi", ka thënë një diplomat i BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat