“Serbia po e përgatit planin e ndarjes së Kosovës”, alarmon veprimtari, zbulon dy fazat serbe, ja plani!

Politika

“Serbia po e përgatit planin e ndarjes së Kosovës”, alarmon veprimtari, zbulon dy fazat serbe, ja plani!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 16 qershor 2023 Në ora: 15:56
Ilustrim

Veprimtari i çështjes kombëtare prof. Fahri Mahalla, po kërkon nga qytetarët që të mos befasohen me pozitën dhe opozitën, që nuk po bashkohen, për ta shpëtuar ndarjen e  Kosovën.

Profesori thotë se, këta që janë në pozitë dhe ata që janë në opozitë, nuk janë bashkuar, kur Serbia donte t’i shfaroste shqiptarët e  Kosovës.

Sipas tij, nuk janë bashkuar as kur Millosheviqi me ushtri dhe me polici, ishte duke e pastruar Kosovën nga shqiptarët.

“Këta edhe në atë kohë ishin të përçarë, dhe të ndarë mes veti, dhe në atë kohë disa mendonin si me marrë pushtetin, çka duhej të ndodhte më keq, për t’u bashkuar përfaqësuesit e subjekteve politike, të shqiptarëve në Kosovë. Përfaqësuesit e subjekteve politike të Kosovës, dhe të Shqipërisë, ishin të përçarë, edhe gjatë luftës se fundit”, thotë Mahalla për gazetën “Bota sot”.

Profesori shton se, tani Kosova është në rrezik, edhe shqiptarët janë të përçarë, pra institucionet e Shqipërisë, me të Kosovës.

“Në luftën e fundit në Kosovë, Serbia fashiste i vriste. fëmijët, pleqtë dhe plakat, i vriste burrat dhe gratë, i dhunonte vajzat dhe gratë, djemtë dhe burrat, i digjte shtëpitë bashkë me banorët shqiptar.  I rrafshonte shtëpitë e shqiptarëve me eksploziv. Edhe në atë kohë nuk u bashkuan përfaqësuesit e partive politike të shqiptarëve”, thotë ai, teksa shton se, këta janë ata që ishin dikur, shumë pak dallojnë nga njëri tjetri, me përjashtim të LDK-së së Ibrahim Rugovës. 

Image
Veprimtari i çështjes kombëtare prof. Fahri Mahalla

“Ibrahim Rugova ishte për afrimin dhe bashkimin të shqiptarëve. LDK-ja e tanishme e shkatërruar dhe e minuar nga Isa Mustafa, me direktiva që ai e di, nuk dallon nga të tjerët në opozitë. Si pozita edhe opozita janë të njëjtit që ishin dikur, të ndara dhe të përçara. Përfaqësuesit e partive politike të asaj kohe, tani janë të shpërndarë nëpër parti të ndryshme politike të shqiptarëve në Kosovë. Në çdo parti politike të shqiptarëve ka udhëheqës konstruktiv, dhe destruktiv”, potencon ai.

Ai shton se, tani në demokraci, shumica po e mund pakicën me vota.

“Kjo është demokracia, dy antikombëtar me vota e mundin një kombëtar. Në këso raste Këshilli Kombëtar duhet të intervenoj, kur është në rrezik shteti, dhe çështja kombëtare. Duhet të vendos këshilli Kombëtar përmes Institucioneve. Ju që e keni përjetuar luftën e fundit në Kosovë dhe ju që nuk e keni përjetuar luftën, ju që jeni të lindur pas çlirimit të Kosovës, duhet ta dini të vërtetën, që mos t’i përsërisni gabimet e njëjta. Po ju njoftoj me të vërtetën. Unë dikur isha çdokundi, tani nuk jam askundi, isha në rrjedha në të gjitha fushat, brenda Kosovës, dhe jashtë Kosovës. Shqiptarët e kishin besimin tek unë, nuk e di pse, më njoftonin për çdo gjë, që ndodhte në Kosovë dhe në diasporë, aty ku veproja. Më njoftonin edhe për rreziqet”, tregon ai.

Veprimtari shton se, tani pozita nga opozita fare nuk dallojnë, çdo gjë e bëjnë kokë në veti, pa u kordinuar mes veti.

“Çdokund janë infiltruar përçarësit. Në çdo parti ka njerëz të ngritur kombëtarisht, por janë të pafuqishëm, për të bërë ndryshime, brenda subjekteve politike, secili duhet t’i pastroj radhët e veta nga brenda. Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe për përfaqësuesit e subjekteve politike, nuk është turp me u këshilluar me miqtë tanë, para se me vepruar. Sidomos me u këshillua me miq tanë, që na shpëtuan nga Serbia, na shpëtuan nga shfarosja. O ju njerëz, këshillohuni me të diturit, nuk është turp me u këshillua, turp dhe përgjegjësi është me  veprua kokë në vete e me gabuar”.

Ai thotë se, Kosova është e atyre që jetojnë në Kosovë.

“Kosova nuk është e individit, as e partive politike. Kosovën duhet ta shpëtojmë nga ndarja, ne shqiptarët kudo që ndodhemi në globin tokësorë, të bashkohuni për ta shpëtuar Kosovën dhe shqiptarinë, nga e keqja. Ndërkombëtarët, amerikanët dhe evropianët e testuan Kosovën dhe Serbinë 23 vite. Ndërkombëtarët po e shohin, edhe ne po e shohim, se serbët janë të papërmirësueshëm, serbët janë prorus, serbët po lobojnë nëpër botë, se nuk ka jetë të përbashkët mes shqiptarëve dhe serbëve. Këtë po ja argumentojnë disa analist destruktiv, të paditur, apo të paguar, i kemi edhe disa politikanë shqiptarë të paditur, në këtë kohë të pa kohë, po e dërgojnë ujin në mullirin e armikut”, thotë veprimtari, i cili shton se serbët nuk duan të jetojnë me shqiptarët.

“Serbet kanë mbet me mentalitetin e Karpateve të shekullin e 21, serbët vazhdojnë me urrejtje ndaj shqiptarëve, dhe ndaj fqinjve të tyre. Serbët kanë pretendime territoriale ndaj fqinjëve të tyre. Tani është koha që të bashkohen opozita me pozitën, për ta parandaluar ndarjen e Kosovës. Është një thënje popullore. Ujku qimen e ndërron, por zanatin nuk e harron. Ujku i mbron pikat e vendosura. Qeni nuk i mbron pikat, por e leh hijen e vetë nga frika.  Shqiptar kudo që jeni mos e pengoni njëri tjetrin. Bashkohuni e jepni kontributin tuaj, aq sa mundeni, dhe aq sa dini. Kujdes mos ta kthejmë mikun në armik, se na kushton shumë shtrenjtë”.

“Serbia është duke përgatit ndarjen e Kosovës, faza e parë është asociacioni me kompetenca të komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës. Faza e dytë është më e lehtë se faza e parë. Edhe institucionet e Kosovës, duhet tani ta përgadisin fazën e parë, për shqiptarët e Preshevësm Bujanovcit dhe të Medvegjës. Duhet të shkojnë paralelisht me kërkesat e Serbisë, për serbët e veriut të Kosovës. Të drejtat që do t’i marrin serbët në komunat në veriun e Kosovës, të njëjtat të drejta duhet t’i marrin shqiptarët në tre komunat, në Preshevë, Bujanovc, Medvegjë. Nëse tani nuk shkojmë paralel, më vonë Serbia të drejtat e shqiptarëve të Luginës, do t’i kushtëzoj me të drejtat e serbëve nëpër enklava në thellësi të Kosovës. Shqiptarë kudo që jeni bashkohuni, për ta dha kontributin, për të mirën e Kosovës dhe për të mirën e shqiptarisë”, apelon veprimtari, i cili thotë se, dikur shqiptarët ishin më të bashkuar, sesa që janë sot.

Sipas tij, dikur ishte shumë më e vështirë me u informuar për t’u bashkuar.

“Dikur informimi bëhej me pëllumba, dhe me kalorës, dhe në këmbë, ishte vështirë me u informuar për një veprim të shpejtë. Edhe në ato rrethana që ishin shqiptarët, ishin më të bashkuar, dhe më të respektuar mes veti, sesa që janë sot. Sot në Kuvendin e Kosovës, dhe në Kuvendin e Shqipërisë, kuvendarët e poshtërojnë njëri tjetrin, janë fytyrë poçavër, as rrugaçët në rrugë nuk e poshtërojnë njëri tjetrin në rrugë. Sot është shumë ma lehtë me u bashkua shqiptarët, dhe me u informuar, falë teknologjisë së informimit. Ju të pozita, dhe ju opozita, do të përgjigjeni para popullit të Kosovës, dhe para shqiptarizmit, nëse Kosovës i ndodh një e keqe, qoftë nga Serbia, apo nga kushdo qoftë. Besoj se ngjarjet e fundit në veriun e Kosovës, ju kanë kthjell. Mos harroni, pozita dhe opozita mbajnë përgjegjësi. Kot mendoni me ja hedhur fajin njëri tjetrit. Ju të gjithë jeni përgjegjës. Për të mirën e Kosovës admiroheni, për të keqen e Kosovës do të ndëshkoheni”, përfundon veprimtari i çështjes kombëtare, prof. Fahri Mahalla.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat