Ftesa e ‘dështuar’ e Borellit, Vuçiq refuzoi të ulet në tavolinë me Kurtin – ja çfarë do të ndodhë me ‘fatin’ e dialogut!

Politika

Ftesa e ‘dështuar’ e Borellit, Vuçiq refuzoi të ulet në tavolinë me Kurtin – ja çfarë do të ndodhë me ‘fatin’ e dialogut!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 qershor 2023 Në ora: 18:02
Albin Kurti, Joesp Borrell, Aleksander VUçiq, foto ilustrim

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, ka ftuar Kurtin dhe Vuçiqin në një takim që është thënë se do të mbahet gjatë kësaj jave.

Ky takim u paralajmëruar, pas tensioneve të krijuara në veri të vendit tonë.

Për këtë ftesë, ka folur edhe Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kurti ka thënë se vendimin për të shkuar në Bruksel për takim me presidentin serb Aleksandër Vuçiq do ta marrë pas vizitës të shefit të zyrës ndërlidhëse në Beograd, Jetish Jashari tek tre policët e rrëmbyer që po mbahen në paraburgim në Kralevë.

Mirëpo, këtë ftesë të Borellit e refuzoi në mënyrë të prerë, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq, tha më 18 qershor se nuk do të marrë pjesë në takimin me kryeministri e Kosovës, Albin Kurti, që është thirrur nga Brukseli.

“Unë e konsideroj të pakuptimtë të flas me një person që nuk është i gatshëm të flasë”, tha Vuçiq për gazetarët në Beograd.

Vuçiq saktësoi se do të vendosë nëse, siç tha ai, “teknikisht të paraqitem në atë takim”, duke shtuar se ky do të jetë një vendim i tij strategjik për të cilin do ta informojë opinionin.

“Por, të flasim me Kurtin, jo”, shtoi ai.

Arrogancën e presidentit serb jemi mësuar ta shohim shpesh dhe kjo deklaratë e tij, nuk lënë shumë hapësirë për befasi.

Në vazhdimësi, Vuçiq ka hedhur akuza ndaj Kurtit dhe Kosovës.

E pas gjithë këtyre deklaratave dhe refuzimit për takim mes liderëve të dy shteteve, vihet në pikëpyetje zgjidhja e problemeve mes Kosovës dhe Serbisë.

E këtë çështje e komentuan analistët politikë për gazetën “Bota sot”.

Qarri: Loja e Vuçiqit të llastuar, nga BE dhe SHBA

Image
Gani Qarri

Analisti politik, Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot” komentoi deklaratën e fundit të Vuçiqit dhe refuzimin e tij për t’u takuar me Kurtin.

Sipas tij, kjo është vetëm një nga lojërat e pista të presidentit serb, ku fatkeqësisht përfaqësuesit evropianë poi a mbajnë anën Serbisë.

“Në fakt, deri në ditët e sotme, me ndërmjetësuesit si; Borell e Lajçak dhe emisarin amerikan Escobar, nuk njihet qoftë edhe një rast i vetëm në histori, se problemet ndërmjet vendeve që kufizohen me njëra tjetrën, kanë mundur të zgjidhen në mënyrë të drejtë dhe afatgjate, duke i bërë presion e ndrydhur dhe poshtëruar deri në mos durueshmëri viktimën e pafajshme!

Është pasardhësi i kasapit Millosheviq, dhe gebelsi i tij, Vuçiq, ai i cili edhe pas mbi një dekade bisedimesh me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së, që tanimë shihet qartë edhe publikisht, se janë vënë me tërë qenien e tyre në krah të Serbisë, po vazhdon pa asnjë ndrojtje, lojërat e tij të pista dhe qëndrimet shumë-fytyrash në llogari të Kosovës, përderisa presioni ndërkombëtar, përfshi edhe atë të emisarit Eskobar, çuditërisht, në mënyrë krejt të paarsyeshme dhe fare të padrejtë, vazhdon të ushtrohet vetëm kundër Kosovës”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Qarri u shpreh se e gjithë kjo është kthyer në një lojë të ndërmjetësueseve ndërkombëtarë ndërkombëtar kundër Kosovës.

“Dhe sikur mos të mjaftonin të gjitha obstruksionet serbe, në kurriz të Kosovës, e cila fatkeqësisht në gjithë këtë lojë tanimë të kthyer në puro maskaradë të formës "fjala-mujtas" të ndërmjetësve ndërkombëtar kundër Kosovës, e cila megjithëse është vetëm viktimë, edhe në ditët e sotme, mjerisht, ajo po përdoret si "tortë", për shuarjen e orekseve serbo-ruse në Ballkan.

Për dijeninë e lexuesve tanë të nderuar, duhet cekur me këtë rast, se, presidenti serb, pati vendosur kusht që edhe takimi i fundit me kryeministrin Kurti, të mbahej në FYROM, jo në Kumanovë ku me 9 qershor të vitit 1999, u siglua kapitullimi i Serbisë hegjemoniste, por medoemos në Ohër, ngase Ohri, sipas tij, sinjalizonte marrëveshjen e shqiptarëve (“pakicë”) atje me ish qeverinë e FYROM-it, duke aluduar edhe për shqiptarët e Kosovës, si “pakicë kombëtare”, në "kuadër" të Serbisë!?”, shpjegoi ai.

Gjithashtu, analisti tregoi arsyet pse Vuçiq refuzon të ulet në takim me Kurtin, dhe pse dëshiron takim vetëm me Lajçakun, Borellin dhe Escobarin.

“Loja e Vuçiqit të llastuar nga BE dhe SHBA, vazhdon edhe në momentin që Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, deklaroi se Borellit përgjigjen e tij, do t`ia jap në fillim të javës, me ç` rast Vuçiq deklarohet në mënyrë “konfidenciale” jo-krejt përfundimtare se më 18 qershor, ai "ndoshta" nuk do të marrë fare pjesë në takimin e baras-trajtueshëm, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit serb Vuçiq, të thirrur nga Borell në Bruksel.

Takimin në fjalë Vuçiq dëshiron ta instrumentalizojë si takim "krize", ku ai do të fliste vetëm me ndërmjetësuesit e BE-së Borell e Lajçak dhe emisarin amerikan Gabriel Eskobar, por nuk do të ulej për të biseduar drejtpërsëdrejti edhe me kryeministrin Kurti, me pretendimin hipokrit që ta shpall paraprakisht fajtorë shtetin e Kosovës ani pse vendi ynë, është në territorin e vet dhe të drejtën e vet ligjore e kushtetuese”, nënvizoi Qarri.

Në vazhdim, ai tha se në këtë ‘luftë speciale’ që po bëhet ndaj Kosovës, presidenti serb po synon t’i nxisë emisarët ndërkombëtarë të shtojnë presionin ndaj Kurtit.

“Kosova, të gjithë e dinë, se pa marrë parasysh fabrikimin e gënjeshtrave serbe, nuk është përzier në punët e askujt dhe as nuk ka sulmuar askënd, përkundrazi përveç tensioneve të nxitura në veri nga bandat kriminale serbe, Serbia ka shkelur edhe sovranitetin shtetëror të Kosovës, duke kidnapuar edhe tre polic brenda kufijve tanë legjitim.

Por përkundër të gjithave, në vazhdën e luftës speciale kundër Kosovës, Vuçiq tenton t’i nxisë serish ndërmjetësuesit ndërkombëtar, për presion të mëtejmë, ndaj Kryeministrit Kurti dhe Republikës së Kosovës, ani pse të gjitha sa ndodhin në Kosovë, mbajnë vulën e tij dhe të Serbisë, me ndërhyrjet e pareshtura në veri, që nga nxitja e tensioneve përmes bandave kriminale, deri te kidnapimi i policëve me forcat terroriste të Serbisë në brendësi të territorit të Kosovës, akt që duket se nuk është pritur as konsideruar si i mirëqenë edhe nga të gjithë ndërkombëtarët”, theksoi analisti.

Më tej, Qarri tha se Vuçiqi qëllimisht e bëri këtë deklaratë, vetëm për të parë se si do të reagojë Kurti, me qëllim që të paraqitet si viktimë përpara ndërkombëtarëve.

“Prandaj përkundër deklarimit se nuk do të marrë pjesë në takimin e thirrur nga Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josepp Borell, Vuçiq dëshiron ta marrë vesh paraprakisht përgjigjen e Kryeministrit Kurti, duke lënë të hapur mundësinë e udhëtimit në Bruksel, si një vendim strategjik siç thotë ai, që vetëm “teknikisht të paraqitet në atë takim”, e të mos flas edhe me kryeministrin Kurti, me pretendimet e tij hipokrite, për t’u shitur para ndërkombëtarëve rrejshëm edhe si "viktimë", që ta zë "ngushtë" në situatë, kryeministrin Kurti, nëse në fillim të javës së ardhshme, ai do ti përgjigjet pozitivisht ftesës së BE-së,

Kështu që dalja nga kjo lojë ping-pong e inskenuar nga BIA serbe dhe Vuçiqi, nuk mund të gjendet duke i bërë trysni Kosovës, por shkaktuesit të saj të drejtpërdrejtë, e që siç dihet botërisht, është vet Vuçiqi dhe Serbia fashiste”, vlerësoi ai.

Në fund, analisti tha se Kosova është në rrugën e duhur dhe me të drejtë po e mbron sovranitetin dhe territorin e saj, derisa kërkoi që në këtë çështje të mbështetet unanimisht nga ndërkombëtarët.

“Kosova është në të drejtën e saj ligjore e kushtetuese dhe territorin e vet legjitim, ajo nuk mund të dal nga vetvetja as të zhvishet nga lëkura e vet, sepse nuk ka, as ku të shkojë përveç të drejtës së vet ligjore e kushtetuese dhe territorit të saj legjitim, e cila edhe ashtu, zbaton rendin e ligjin dhe ruan sovranitetin e vet, dhe nuk bënë asnjë mëkat kundër askujt.

Kosova, nuk është duke ndërhy në punët e brendshme të Serbisë, nuk sulmon Serbinë dhe askënd tjetër jashtë kufijve të vet shtetëror, përkundrazi Kosovës, në njërën anë i ndalohet ta ngritë zërin edhe për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë, në anën tjetër ajo pengohet brutalisht nga bandat kriminale serbe dhe grupet paramilitare e terroriste, të dirigjuara nga Vuçiqi dhe të dërguara direkt nga Serbia, për të mos lejuar shtrirjen e rendit e të ligjit dhe shtetësisë së Kosovës në veri të saj, duke shkelur rëndë edhe ushtarakisht sovranitetin tonë shtetëror me kidnapimin e policëve kufitar, në detyrën e tyre rutinë, brenda territorit të patjetërsueshëm dhe legjitim të Republikës së Kosovës, akt që do duhej dënuar me zë unanim nga BE e SHBA dhe gjithë bashkësia ndërkombëtare”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

Burjani: Pranimi ndërkombëtar i një asociacioni serb, do të thotë ndarje të këtyre komunave nga Kosova!

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, analisti tjetër, Blerim Burjani në bashkëbisedimin e tij me gazetën “Bota sot” u shpreh se kjo deklaratën vërteton se Vuçiq dëshiron ta mbajë të ‘gjallë’ konfliktin me Kosovën.

Madje, ai tha se qëllimi i presidentit serb është formimi i Asociacionit nga vetë ai, bashkë me serbët e Kosovës.

“Nuk e besoj, gjendja është e njëjtë si para shumë vitesh, para vitit 2013, tensione, protesta, pa zgjidhje, Vuçiq e ka arrit qëllimin për të ri konfirmuar konfliktin e ngrirë, qëllimi politik u arrit. Po dihet saktë se serbët do të marrin hapa unilateral për të shpallë asociacionin e komunave serbe. Vuçiq do të përgjigjet, sipas tij, 24 orë para se të marrë pjesë në ndonjë takim në Bruksel.

Vuçiq po e përsërisë e arriti qëllimin e parë për të bërë konfliktin dhe për ta mbajtur atë të gjallë dhe sa më të zjarrtë, dhe më pas synon ta themeloj asociacioni me serbët e Kosovës”, deklaroi analisti.

Sipas Burjanit, rruga që Vuçiq do ta ndjekë për themelim të Asociacionit është kundër- kushtetuese, por që shpreson që ndërkombëtarët nuk do e lejojnë ta bëj një gjë të tillë.

“Pra, do të ketë përplot akte kundër kushtetuese të Kosovës, tash po planifikohet edhe buxheti i qeverisë së Serbisë për asociacionin në Kosovë, tash kjo rrugë do të ndiqet nga serbët lokal.

Tash a do të lejojë perëndimi akte kundër Kushtetutës dhe kundër Kosovës varet nga vullneti i tyre, kurrë më keq nuk ka qenë në Kosovë, pranimi ndërkombëtar i një asociacioni serb në Kosovë do të thotë ndarje të këtyre komunave nga Kosova, pra gjendja është katastrofale për integritetin territorial dhe sovranitetin”, nënvizoi ai.

Në fund, shtoi se Kosova dhe sovraniteti i saj varet nga miqtë e saj, kështu duhet shpresuar se do të ndalohen skenarët e Serbisë për Asociacion.

“Kështu, nuk do të ketë takime thelbësor e as teknike në mes dy vendeve, rreziku është i madh, mund të ndodhë në ndarjen e këtyre komunave.

Në të ardhmen, tash nëse stopohet Serbia për të themeluar asociacionin dhe një territor të pavarur në Kosovë nga perëndimi është fati më i madh për Kosovën, Serbia sipas tyre për Vidovdan do të ndodhin hapat, pra ka paralajmërim, Kosova dhe sovraniteti i saj varet nga miqtë e saj që të mos rreshtohen me Serbinë rreth asociacionit”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat