Ekskluzive/ Biserko për “Bota sot”: Beogradi do t’i lirojë këtë javë policët e rrëmbyer, por ky do të jetë kushti i Vuçiqit

Politika

Ekskluzive/ Biserko për “Bota sot”: Beogradi do t’i lirojë këtë javë policët e rrëmbyer, por ky do të jetë kushti i Vuçiqit

Nga: A.Zh Më: 20 qershor 2023 Në ora: 11:59
Sonja Biserko dhe Aleksandar Vuçiq

Rrëmbimi i tre policëve të Kosovës, javën e kaluar i dha një shkëndijë të re “zjarrit” marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Lirimin e tyre e ka kërkuar edhe kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko. Duke folur në një intervistë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ajo ka njoftuar se në bazë të disa burimeve, policët e Kosovës do të lirohen nga Beogradi gjatë kësaj jave.

“Të dyja palët kanë interpretimin e tyre se si ndodhi arrestimi i tyre. Departamenti i Shtetit kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre. Duke pasur parasysh shkallën e tensioneve mes dy palëve, Beogradi do të duhej ta bënte këtë menjëherë pa asnjë diskutim dhe pa veprime hetimore. Sipas disa burimeve, Beogradi do të duhet t'i lirojë ata tashmë gjatë javës”, ka deklaruar Biserko për gazetën “Bota sot”.

Sipas saj, presidenti serb Aleksandar Vuçiq do të ketë kushte për lirimin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, që u kidnapuan në territorin e Kosovës, sipas autoriteve të Kosovës.

“Dy ditët e para nuk dihej se ku u dërguan dhe as nuk u lejuan të kishin kontakte me familjet e tyre. Kjo ngriti më tej tensionet. Vuçiq ndërtoi një histori për terroristët dhe me siguri do ta kushtëzojë lirimin e tyre me lirimin e tre serbëve të arrestuar nga policia e Kosovës”, ka shtuar Sonja Biserko.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se janë duke bërë çdo gjë që policët e rrëmbyer të mërkurën nga forcat serbe, të lirohen sa më shpejtë.

Ai ka ftuar ndërkombëtarët që ta dënojnë agresionin e Serbisë, duke shtuar se gjatë kësaj jave pritet që ambasadori Jetish Jashari, i cili është shef i zyrës ndërlidhëse në Beograd, t’i vizitojë policët e rrëmbyer.

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ka përmendur mundësinë që policët e rrëmbyer me 14 qershor në kufirin me Serbinë, të lirohen gjatë kësaj jave.

Ai i ka vendosur ultimatum Beogradit zyrtar, përkatësisht presidentit Aleksandar Vuçiq, se nëse këtë javë nuk lirohen policët e rrëmbyer, e që sipas tij, s’kanë kryer asnjë krim, atëherë në marrëdhënieve bilaterale mes Shqipërisë dhe Serbisë do të rikthehet akulli.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen!”, ka deklaruar Rama./Botasot

(Intervistën e plotë me Sonja Biserkon, mund ta lexoni nesër në gazetën "Bota sot")

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat