Mbyllja e kufijve, veprimet e fundit të serbëve tensionojnë situatën – vjen thirrja për qytetarët e Kosovës!

Politika

Mbyllja e kufijve, veprimet e fundit të serbëve tensionojnë situatën – vjen thirrja për qytetarët e Kosovës!

Arife Morina Nga Arife Morina Më 20 qershor 2023 Në ora: 15:46
Pikëkalimi kufitar mes Kosovës dhe Serbisë në Merdare. 20 qershor 2023.

Situata në vendin tonë vazhdon të jetë e tensionuar.

Së fundmi, tri pika kufitare Kosovë-Serbi janë bllokuar nga vozitës të kamionëve me mallra serbe, si shenjë revolte ndaj vendimit të autoriteteve të Kosovës për të mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovës, që nga 14 qershori, kur tre pjesëtarë të policisë së Kosovës u arrestuan nga forcat serbe dhe po mbahen në qytetin e Kralevës në Serbi, në një incident që shtoi tensionet edhe ashtu të larta ndërmjet dy vendeve.

Pikë kalimi kufitar në Merdare, që lidh Kosovën me Serbinë, vazhdon të jetë i bllokuar për kamionë dhe autobusë, ndërkaq përmes tij mund të kalojnë veturat private. Situatë e ngjashme është edhe në pikën kufitare në Jarinjë, ndërkaq ajo e Bërnjakut është krejtësisht e bllokuar për hyrje dhe dalje.

Qarkullimi i veturave është orientuar tashmë në pikën kufitare të Dheut të Bardhë, në afërsi të Kamenicës.

Në Merdare nuk ka kolona as të veturave private e as të kamionëve e mjeteve të tjera transportuese.

Autobusët dhe kamionët nuk kanë kaluar nëpër këtë pikë kalim që nga orët e para të mëngjesit të 20 qershorit.

Pas këtyre bllokadave, ka reaguar edhe ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Kjo ministri u bërë thirrje atyre që janë në rrugë të përdorin vendkalimet tjera kufitare.

“Nëse nuk keni hyrë tashmë në Serbi, ju lutemi, mos udhëtoni përmes Serbisë”, thuhet në njoftim.

Këto bllokada, vetëm sa po vështirësojnë ‘rrugën’ për zgjidhjen e problemeve mes dy vendeve.

Halimi: Serbia përveç veprimeve të tilla të organizimit, sponzorizimit të grupeve kriminale dhe terroriste nuk mund të shkoj më tej

Image
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

E për këtë çështje në një prononcim për gazetën ‘Bota sot’ foli Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS.

Së pari, ai tha se këto veprime nga ana e shteti serb po merren si pasojë e mungesës së sanksioneve kundër Beogradi.

Ai mbështeti çdo vendim që merr qeveria e vendit tonë karshi Serbisë.

Në këtë situatë me këto zhvillime, që karakterizohet me qasje dhe veprime destruktive të Serbisë karshi Kosovës, sigurisht që në mungesë të sanksioneve ndërkombëtare kundrejt Serbisë, çdo vendim i vendit tonë është si kundërpërgjigje ndaj këtij vendi të padisiplinuar nga e kaluara”, deklaroi ai.

Krahas kësaj, Halimi u shpreh se Kosova është e gatshme t’iu përgjigjet kërcënimeve të shteti serb dhe grupeve kriminale serbe.

“Megjithatë, Serbia e di mirë se përveç veprimeve të tilla të organizimit, sponzorimit të grupeve kriminale dhe terroriste nuk mund të shkoj më tej, andaj, në këtë nivel kërcënimi mjaftueshëm jemi të gatshëm, si Kosovë, t’i kundërvihemi, gjë që nuk duhet të marrë tjetër trajtim nga ne deri në heqjen dorë nga qëllimet e padrejta që ka”, përfundoi Armend Halimi për “Bota sot”.

Shala: Situata në pjesën e territorit serb mund të konsiderohet plan i Beogradit për të mbajtur situatën ende të tensionuar

Kurse, eksperti i sigurisë, Drizan Shala në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se bllokimi i pikave kufitar është pjesë e planit të Serbisë për të mbajtur situatën e tensionuar në veri të vendit.

Image
Drizan Shala

Krahas kësaj, ai këtë e sheh edhe si kundërpërgjigje ndaj vendimit që Kosova ka marrë për produktet ekonomike serbe.

“Situata në pjesën e territorit serb mund të konsiderohet plan i Beogradit zyrtar për të mbajtur situatën ende të tensionuar deri më datën 28 qershor, të cilën e ka paralajmëruar Aleksander Vuçiqi.

Ky veprim ka ardhur si rezultat i asaj që Kosova ka marrë një vendim për produktet ekonomike që s’munden të kalojnë por as të hyjnë në territorin e Kosovës”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, kërkoi nga qytetarët e Kosovës që të mos udhëtojnë përmes Serbisë, marrë parasysh tensionet e krijuara së fundi.

“Qytetarët e Kosovës duhet t’i shmangin udhëtimet nëpër territorin serb sepse nuk mund të konsiderojmë që është i sigurt ky udhëtim në këtë periudhë të raporteve dhe tensioneve të krijuara”, përfundoi Drizan Shala për “Bota sot”.

Kujtojmë se, edhe Qeveria e Kosovës ka shtrënguar kontrollet kufitare me Serbinë më 14 qershor, duke mos lejuar hyrjen e kamionëve me targa dhe mallra serbe në territorin e Kosovës.

Ky vendim u mor pas arrestimit të tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet e Serbisë. Autoritetet e Kosovës kanë thënë se bëhet fjalë për rrëmbimin e tyre në territorin e Kosovës, ndërsa Beogradi ka thënë se ata janë arrestuar në territorin serb.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat