Alarmon profesori: Kosova do të ballafaqohet me një organizim vetanak të shtetit serb në veri – Tregon zgjidhjen për këtë!

Politika

Alarmon profesori: Kosova do të ballafaqohet me një organizim vetanak të shtetit serb në veri – Tregon zgjidhjen për këtë!

Nga: A.SH Më: 21 qershor 2023 Në ora: 15:58
Policia e Kosovës

BE ia bëri me dije Kosovës dhe Serbisë se do të mbahet takimin mes dy vendeve në Bruksel, për uljen e tensioneve, dhe këtë pa kushte.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, bëri me dije se do të shkojë në takim për siç tha ai de-eskalimin e situatës.

“Unë së pari erdha t’ju njoftoj me këto të gjetura që janë interes i madh edhe i familjeve edhe në opinion. Jam i gatshëm dhe i interesuar që të shkoj në takimin e radhës në Bruksel që të paraqes hollësisht këto të dhëna që i morëm dhe ta kuptojnë se de-eskalimi i situatës që po e kërkojnë të gjithë nënkupton lirimin e menjëhershëm dhe pakusht të tre policëve dhe dënimin e agresionit të Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.

Kurse, Vuçiq ka thënë se Presidenti i Serbisë, nuk do të flas me Kurtin, derisa të lirohet çdo serb i arrestuar.

“… Nuk do të flas me (Albin) Kurtin derisa të lirohet çdo serb i arrestuar dhe derisa kryetarët e tyre të dalin nga komunat. E dini, Kurti ka gjëra më të rëndësishme për të bërë në Vatikan, për të kërkuar njohjen e pavarësisë së Kosovës”, citohet të ketë thënë presidenti Serbisë.

Profesori Muhamet Kelmendi në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se Kosova duhet të jetë pjseë e dialogut, dhe jo pse detyrohet, por për shkak të raporteve me BE dhe SHBA-në.

Madje, profesori thotë se ajo duhet të shkojë me qëndrime të qarta në takim.

“Në Bruksel mbahet takimi i radhës mes Kosovës dhe Serbisë. Pjesëmarrja është e domosdoshme. Kjo, jo pse detyrohet Kosova, por pse raportet e Kosovës me UE dhe me SHBA, janë të rënda dhe mospjesëmarrja, e keqëson edhe më shumë pozitën e Kosovës. Pra, pjesëmarrja është e domosdoshme, në mënyrë që Kosova të fiton besim si palë në dialog. Në këtë takim duhet të shkojë Kosova me qëndrime të qarta.

Kosova kërkohet të jetë e gatshme për dialogim. Ndryshe, tensionet nuk bien dhe pasojat janë të rënda”, shprehet profesori.

Sipas tij, zgjidhje e mirë e kësaj situate do të ishte që Kosova të tërhiqej nga objektet, dhe t’i vë ato në dispozicion të KFOR-it.

“Dua domosdo të përkujtojë Kosovën në një çështje. Kosova kërkohet që objektet (ndertesat) e komunave t’i vë nën dispozicion të KFOR-it. Nuk duhet shkuar nga rruga që të detyrohet Republika t’i lëshoj objektet pa ndonjë të arritur.

Vënia e ndërtesave të komunave nën mbikqyrje të KFOR-it, deri pas zgjedhjeve, kur vendoset pushteti, është zgjidhje e mirë dhe e drejtë. Po kështu, Kosova do të ballafaqohet me një organizim vetanak të shtetit serb në veri të Kosovës. Ky vetorganizim sjellë probleme tjera të rënda. Kosova kërkohet të dalë me status për bashkësi serbe, si formë e ndalimit të vetorganizimit dhe të vetshpalljes së shtetit serb.

Situata pra, është e rëndë. Kërkohen masa urgjente të Republikës. Ndoshta kërkohet këtu reciprocitet, si formë e mënyrë e vetorganizimit edhe të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, si kundërpërgjigje për serbët në Kosovë. Vetëm kështu ndalen shovinistët serbomëdhenjë e racist serbë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat