“Gjendje e rënduar në veri”, flet eksperti i sigurisë: Ja pse “ledhatohet” Serbia

Politika

“Gjendje e rënduar në veri”, flet eksperti i sigurisë: Ja pse “ledhatohet” Serbia

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 21 qershor 2023 Në ora: 17:57
Dhuna ndaj KFOR-it

Ndërmjetësuesi i BE- së për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë të martën se hapin e parë për shtensionimin e situatës në veri, duhet ta bëjë Kosova.

Lajçak, në emër të BE-së, insiston se shtensionimi duhet të nisë nga largimi i kryetarëve të zgjedhur shqiptarë që u futën në fund të majit në objektet komunale të Leposaviqit, Zveçanit dhe Zubin Potokut.

“Hapi i parë duhet të bëhet nga Kosova, që do të thotë, t’u thuhet kryetarëve që të punojnë nga zyrat alternative. Pastaj, hapi tjetër duhet të vijë nga Serbia”, ka thënë Lajcak në një intervistë në “Atlantic Council”.

Ai tutje ka shtuar se nëse Serbia nuk bën detyrat pastaj, atëherë reagimi ndaj saj do të jetë i njëjtë si ndaj Kosovës.

Bashkë me Lajcakun, është përgjigjur edhe emisari amerikan, Gabriel Escobar. Edhe ai e ka paraqitur kërkesën që kryetarët të dalin nga objektet komunale dhe të punojnë në zyra alternative.

Në anën tjetër protestat në veri të Kosovës nuk po ndalen, të mërkurën protestuesit kanë protesuar kundër arrestimit Dragisha Milenkoviq, i cili po akuzohet për krime lufte në Kosovë.

Por, pas arrestimit të Dragisha Milenkoviqit, disa serbë lokalë kanë bllokuar rrugën Graçanicë-Prishtinë.

Ata kërkuan lirimin e të arrestuarit.

Ndërsa, protesta edhe kundër kryetarëve në katër komuna veriore dhe arrestimit të serbëve kishin vazhduar për ditë të tëra.

Eksperti i sigurisë, Fatjon Softa, thotë se në veri është gjendje e rënduar.

Sipas Softës, gjendja është për shkak të situatës së komplikuar në Ukrainë.

“Gjendja e rënduar në veri, protestat e dhunshme dhe përplasja me KFOR-in, Vuçiq akuzon Kurtin si fajtor, ndërsa media dhe politika e brendshme në Serbi bëjnë fajtor Vuçiqin dhe Listën Serbe. Perëndimi, qëndron diplomatikisht me një politikë të bute dhe favorizuese ndaj Serbisë dhe jo ndaj Kosovës, duke kërkuar që të bëhen lëshime për të zbutur tensionet dhe t’i kthejë në dialog palët. Kjo gjendje është për shkak të situatës së komplikuar në Ukrainë, shtet i cili edhe pse Kosova dhe Shqipëria janë në krah të Ukrainës, ajo ende se ka njohur Kosovën!”, u shpreh Softa.

Image
Fatjon Softa

Kujtojmë se situata në veri vjen pasi kryetarët shqiptarë në katër komuna kanë hyrë nëpër objekte, serbët atje janë ngritur nëpër protesta, madje edhe të dhunshme gjë që ka rezultuar me arrestimin e disa prej tyre.

Gjersa, BE ka kërkuar takim në mes kryeministrit Kurti dhe presidentit serb Vuçiq, ky i fundit ka kërkuar tërheqjen e kryetarëve shqiptarë nga ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, tërheqjen e njësiteve speciale të Policisë së Kosovës nga veriu dhe ndërprerjen e arrestimeve të serbëve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat