A po përkëdhelet Serbia nga ndërkombëtarët? Raci zbulon hapjen e Kapitullit 35: Ja çka e obligon Serbinë!

Politika

A po përkëdhelet Serbia nga ndërkombëtarët? Raci zbulon hapjen e Kapitullit 35: Ja çka e obligon Serbinë!

Nga: Nehat Shaqiri Më: 21 qershor 2023 Në ora: 22:07
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Kosova e Serbia tashmë disa muaj kanë acaruar edhe më shumë raportet mes vete.

Tensionet kanë eskaluar kur grupet kriminale serbe të dirigjuara nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, filluan sulmin ndaj policëve të Kosovës, KFOR-it, mediave si dhe pas kidnapimit të tre policëve të Kosovës.

Ndërkaq, ndërkombëtarët janë duke vazhduar thirrjet e tyre që këto raporte të normalizohen.

Përveç këtyre thirrjeve, ndërkombëtarët janë shprehur më të ashpër me Kosovën, konkretisht kryeministrit Albin Kurti, ndërsa për Serbinë ende nuk kemi deklarata serioze prej tyre, përveç që kanë kërkuar lirimin e policëve të kidnapuar.

Sot është raportuar se, pikërisht situata në Kosovë dhe procesi i normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë pritet të jenë tema që do të trajtohen javën e ardhshme nga ministrat e Jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe nga liderët evropianë gjatë samiti të bllokut në fund të javës.

Në këto takime, pritet që Kosovës dhe Serbisë t’u bëhet thirrje për uljen e menjëhershme të tensioneve dhe rikthimi në dialog. Po ashtu, dy shteteve pritet t’u tërhiqet vërejtja edhe për pasojat me të cilat mund të përballen nëse nuk dëshmojnë vullnet për sjellje të matur dhe konstruktive.

Këshilli Evropian do të kërkojë dhe zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve që ishte arritur në Bruksel në fund të muajit shkurt si dhe Aneksit të zbatimit të saj, të arritur në Ohër në muajin mars.

Këshilli Evropian dënon incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe bën thirrje për shtensionimin e menjëhershëm të situatës, në bazë të elementeve kyçe që tashmë janë shfaqur nga Bashkimi Evropian”, thuhet në tekst.

“Si hap i radhës, vazhdimi i dialogut të lehtësuar nga BE-ja, dhe zbatimi i shpejt i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit dhe zbatimi i aneksit janë të domosdoshme. Dështimi në uljen e tensioneve do të ketë pasoja negative”, thuhet në këtë tekst.

Image
Gazmir Raci

Në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, analisti politik Gazmir Raci, thotë se sjellja e Serbisë do të evidentohet në rrugëtimin e saj për anëtarësim në BE.

Sipas tij, Serbia ka disa kushte që duhet plotësuar për të ecur tutje në integrim.

“Sjellja e Serbisë në dialogun me Kosovën natyrisht se do të evidentohet në rrugëtimin e saj për anëtarësim në BE, Kapitulli 35 i cili është përditësuar edhe me marrëveshjen e fundit të Brukselit është kushti kryesor për integrim të Serbisë në BE dhe pa plotësimin e atyre kushteve aty ata nuk mund të ecin tutje në integrim”, thotë Raci për gazetën “Bota sot”.

Ai tregon se, Kapitulli i 35 e obligon Serbinë që strukturat paralele në Kosovë, duhet t’i çmontojë.

Raci shton se, Serbia po luan kartën e dytë, e ajo është raporti i tyre historik me Rusinë.

“Kapitulli 35 e obligon Serbinë zyrtarisht që të gjitha strukturat paralele që i ka në Kosovë duhet t’i çmontojë nëse dëshiron anëtarësim në BE. Por Serbia po e luan kartën e dytë atë të raporteve historike që i ka me Rusinë andaj neve na duket që po përkëdhelet por mos të harrojmë interesin e të gjithëve që ka të bëjë me largimin e ndikimit të Rusisë në Ballkan dhe e vetmja është ende Serbia që Rusia ka ndikim të fort”, potencon Raci.

Analisti tutje pohon se, ndërkombëtarët janë të interesuar të largojnë ndikimin rus mbi Serbinë, teksa shton se kjo është e pamundur.

“Komuniteti ndërkombëtarë është i interesuar që ta largojë ndikimin Rus mbi Serbinë, por për mendimin tim kjo është pothuasje e pa mundur për shkak të raporteve historike mes kombit serb dhe atij rus dhe ndikimt shumë të madh edhe të të dy Kishave Ortodokse”, përfundon analisti Gazmir Raci.

Ndryshe, tensionet në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, janë rritur që nga 26 maji. Atë ditë, serbët nisën protestat kundër hyrjes në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar në veri, duke kundërshtuar kryetarët që u zgjodhën më 23 prill – zgjedhje që u bojkotuan nga partitë dhe popullata serbe.

Më 29 maj, protestat u përshkallëzuan në dhunë, me serbët që u përleshën në Zveçan me ushtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash, që parasheh edhe mbajtjen e zgjedhje. Megjithatë, ai ka thënë se për t’u mbajtur zgjedhje të lira në veri, nevojitet shtet ligjor.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat