Haradinaj i vetëm te Osmani/ Latifi: PDK e LDK gabuan, Presidentja të distancohet nga politikat destruktive

Politika

Haradinaj i vetëm te Osmani/ Latifi: PDK e LDK gabuan, Presidentja të distancohet nga politikat destruktive

P.Rudi Nga P.Rudi Më 23 qershor 2023 Në ora: 07:48
Haradinaj me bashkëpartiakë para takimit me presidenten Osmani

Më në fund, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka ftuar në takim liderët opozitarë pas situatës së krijuar në veri të Kosovës dhe marrëdhënieve më aleatët ndërkombëtare, të cilët kanë paralajmëruar masa ndaj shtetit të Kosovës.

Por Osmanit në takim i shkoi vetëm lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ndërsa u bojkotua nga Lumir Abdixhiku i LDK-së dhe Memli Krasniqi i PDK-së.

E këtë qasje të dy partive opozitare po e kritikon analisti Haki Latifi, sipas të cilit, LDK dhe PDK është dashur t’i përgjigjen pozitivisht ftesës së Vjosa Osmanit.

Image
Haki Latifi

“Mendoj se opozita duhej t’i përgjigjej ftesës së Presidentes Osmani për të biseduar dhe t’i paraqiste shqetësimet e tyre për humbjen e besimit të partnerëve tanë, për ndëshkimet që po merr Kosova, për vështirësitë që do të ketë nëse nuk ka koordinim për të dalur nga kjo gjendje”, shprehet Latifi për “Bota sot”.

“Ngase z. Osmani në kuadër të kompetencave që ka, mund të veprojë në përputhje me mandatin e vet, që ta kthejë besimin me aleatët tanë, të ndalen ndëshkimet, të ndodh një tejkalim i situatës në veri, duke iu kthyer të arriturave të dialogut, siç janë marrëveshja e Ohrit dhe Brukselit”, shton Latifi.

Më tej, ai thotë se Vjosa Osmani duhet të distancohet nga disa veprime të kryeministrit Kurti, të cilat sipas Latifit, po i kushtojnë shtetit të Kosovës.

“Nuk i di arsyet e mos shkuarjes së liderëve opozitar; të PDK-së dhe LDK-së për të biseduar me Presidenten Osmani, kur dihet se kontributi i secilit lider dhe subjekti politik është të bashkëpunojë për çështje të rëndësisë kombëtare me institucionet shtetërore, por jo duke refuzuar. Po ashtu nuk e kuptoj heshtjen e Presidentes z. Vjosa Osmani-Sadriu karshi situatës politike, ajo duhet të distancohet nga politikat destruktive të kryeministrit Kurti. Sepse Kosova nuk e ka luksin dhe fuqinë të sillej me mos përfillje ndaj aleatëve të sajë sidomos ndaj SHBA-së”, thekson Latifi.

“Është kosto e madhe për shtetin e Kosovës humbja e miqve, sepse po futet në një situatë shqetësuese dhe tepër të paqartë, kjo si shkak i verimeve të pamatura të kryeministrit Albin Kurti”, përfundon për “Bota sot”, analisti Haki Latifi.

Kujtojmë se ftesa e kryetarëve të partive nga presidentja Osmani është bërë pas kërkesës së liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

“Presidentja ka ftuar liderët opozitarë fillimisht në takime të ndara, meqë disa nga krerët e institucioneve këto ditë nuk ishin në Kosovë. Ajo ndërkaq ka paralajmëruar edhe ftesën për një takim të përbashkët të të gjithë liderëve në një moment kur të gjithë të jenë në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Presidentes së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat