“Mësohet” prapavija e pezullimit të marrëdhënieve Rama-Vuçiq: Kërkohet kujdes!

Politika

“Mësohet” prapavija e pezullimit të marrëdhënieve Rama-Vuçiq: Kërkohet kujdes!

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 24 qershor 2023 Në ora: 15:45
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, “njihet” për një raport të “veçantë” me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, por ky i fundit “nuk po ia respekton edhe aq fjalën” Ramës.

Tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim nga Serbia tash e dhjetë ditë, janë arsyeja që Rama po i ndërprenë marrëdhëniet me Serbinë.

Kryeministri Rama që ka arrestimi i policëve ka kërkuar me çdo kusht lirimin e tyre, ndërsa të premten në një konferencë për medie ai ka njoftuar se ka ndërprerë të gjitha marrëdhëniet në Serbi, deri në lirimin e tre zyrtarëve të Policisë së Kosovës që janë arrestuar nga autoritetet serbe, pasi sipas tij, pa lirimin e tyre nuk mund të ketë përparim në dialogun Kosovë-Serbi dhe as deeskalim të situatën në pjesën veriore të Kosovës, e cila siç tha po degradon çdo ditë.

Sipas tij, pa lirimin e tre policëve nuk do të ketë asnjë marrëdhënie tjetër me Serbinë dhe as nuk mund të diskutohet për çështje të tjera me Serbinë.

Kryeministri shqiptar theksoi se mbajtja e tre efektivëve të Kosovës në burg nga shteti serb, është e papranueshme dhe e pajustifikueshme.

“Për sa kohë tre efektivët e Policisë së Kosovës vazhdojnë të mbahen në burg në Serbi, nuk ka asnjë mundësi që të ketë përparim në dialog apo deeskalim konkret pa kthimin e tyre në shtëpi. Madje nuk mund të ketë as normalitet në marrëdhëniet në mes Shqipërisë e Serbisë për sa kohë Serbia nuk i jep fund heqjes së lirisë së tre policëve të cilët nuk kanë kryer asnjë krim…mbajtja e tyre me ditë të tëra në burg është e pajustifikueshme dhe e papranueshme. Ndërsa, pastaj përpjekja për ta mbuluar këtë lajthitje shtetërore për mbajtjen pa asnjë të drejt të tre policëve të huaj në burgun e një shteti tjetër, duke ngritur zërin për arrestimet në veri të individëve të caktuar të minoritetit serb nga forcat policore të Kosovës është tejet shqetësuese”, u shpreh ai.

Analistët politikë thonë se Shqipëria nuk do t’i prishë marrëdhëniet me Serbinë, përkundrazi ajo do t’i rregullojë edhe më shumë. Sipas tyre, deklaratat e tilla janë lojëra fjalësh, skenar i Ramës për t’i kamufluar lidhjet e pashkëputura me Vuçiqin.

Sjellja e çuditshme ndaj Kosovës

Analisti politik, Blerim Burjani, e konsideron Ramën politikan kontrovers, dinak e inteligjent.

Image
Analisti politik, Blerim Burjani

Sipas tij, ai pezullon raportet në kohën kur priten të lirohen policët dhe raportet me Serbinë nuk do t’i prish, por do t’i rregullojë edhe më shumë në të ardhmen.

“Rama është politikan kontravers, por dinak dhe inteligjent, atë nuk bën jo mbrojtës të interesave sjellja e çuditshme politike ndaj Kosovës, por shfytëzimi i intelgjencës për avancimin e interesave të Shqipërisë përballë të tjerëve në regjion. Pezullimi i raporteve bëhet nga Rama në kohën kur pritet të lirohen tre policët kosovar, nuk e besoj se këto raport do të prishen, nuk është në interes të prishen, por do të ndreqen edhe më shumë në të ardhmen, ky pezullim është strategji e Ramës, është i përkohshëm”, deklaron Burjani.

Rama dhe thirrjet e tij për lirim nuk kanë rreshtur, në anën tjetër në kohën e tensioneve në veri, ai ka anuluar mbledhjen e paraparë në mes dy qeverive, asaj nga Kosova dhe të Shqipërisë.

Refuzimi i mbledhjes nuk ishte pritur mirë nga një pjesë e konsiderueshme e VV-së, madje edhe nga analistë të ndryshëm.

“Rama ka shkaktuar në vijimësi reagime dhe pakënaqësi të mëdha”

Analisti politik, Gani Qarri, thotë se Rama e ka mbajtur qëndrim tejet të ashpër e kritik, jo ndaj kriminelëve serb të Radojçiqit, as grupeve paramilitare serbe të Vuçiqit, por ndaj veprimeve legjitime të institucioneve të shtetit të Kosovës.

Image
Analisti politik, Gani Qarri

Ai përmend msakrën e Tivarit, si shembull që të bëhet kujdes në situata.

“Në fakt që nga tendosja e gjendjes në pjesën veriore të Kosovës, nga kriminelët serbë dhe grupet paraushtarake të Vuçiqit të dërguara enkas nga Serbia, për destabilizimin e situatës në Kosovë, prej kur edhe Edvin Kristaq Rama, ka mbajtur qëndrim tejet të ashpër e kritik, jo ndaj kriminelëve serb të Radojçiqit, as grupeve paramilitare serbe të Vuçiqit, por ndaj veprimeve legjitime të institucioneve të shtetit të Kosovës, Rama ka shkaktuar në vijimësi reagime dhe pakënaqësi të mëdha, në Kosovë dhe mbarë opinionin shqiptar. E ç‘është e vërteta mbështetja e simpatia e pareshtur e Edvin Kristaq Ramës, ndaj Vuçiqit dhe Serbisë hegjemoniste, ka vite që ndodhë dhe vazhdon, gjë që nuk ka hasur asnjëherë në mirëkuptimin e shqiptarëve në Kosovë, veçanërisht kur Edi Rama, paraqiste harta me Kosovën si pjesë të territorit të Serbisë hegjemoniste. Mjerisht edhe masakra e Tivarit, që është njëra nga tragjeditë më të përgjakshme dhe pabesitë më të mëdha që u janë shkaktuar qëllimisht shqiptarëve të Kosovës nga komunistët e Shqipërisë në bashkëpunim të ngushtë me komunistët serbo-jugosllav, duke dërguar në vdekje mbi 5000 të rinj të pafajshëm shqiptar nga Kosova, përmes Kukësit, Pukës e Shkodrës, në Tivar, ku u vranë dhe masakruan me armë të gjithfarëllojshme, është histori që na rikujton dhe bënë thirrje për kujdes, në situata të tilla, nga udhëheqësit postkomunist shqiptar si Rama & Co”, shprehet Qarri.

Sipas Qarrit, Rama ishte i pari që sanksionoi shtetin e Kosovës dhe ai ishte dhe është personi që në vijimësi kritikon vetëm Kosovën, Kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës, pa denjuar kurrë, ta thotë qoftë edhe një kritik të vetme ndaj veprimeve kriminale të pasardhësit të kasapit të Ballkanit, Aleksandër Vuçiqit

“Edi Rama është ai i cili, për t`ia plotësuar dëshirën Vuçiqit, ende pa marrë asnjë vendim SHBA, BE dhe komuniteti ndërkombëtar, nxitoi dhe i pari i vendosi sanksione shtetit të Kosovës, duke anuluar edhe takimin e planifikuar qysh moti të dy qeverive, vetëm një ditë para mbajtjes së takimit. Edi Rama ishte dhe është personi që në vijimësi kritikon vetëm Kosovën, Kryeministrin dhe Qeverinë e Kosovës, pa denjuar kurrë, ta thotë qoftë edhe një kritik të vetme ndaj veprimeve kriminale të pasardhësit të kasapit të Ballkanit, Aleksandër Vuçiqit, përkundër faktit se është Vuçiqi ai i cili nuk lejon të qetësohet asnjëherë gjendja në Kosovë, me bandat e tij kriminale dhe grupet paramilitare, të cilat i dërgon edhe nga Serbia, siç kidnapon edhe policët tanë kufitar, brenda territorit të Kosovës dhe fut makina të mbushura me armatim të të gjitha llojeve, për akte terroriste, siç u kap Audia e dyshimtë në Zveçan, nga Policia e respektuar e Kosovës, gjatë kryerjes së punës zyrtare dhe detyrës së tyre ligjore. Pra si e vërteta e hidhur e masakrës së Tivarit ku u vranë dhe asgjësuan me mijëra shqiptarë atdhetar të Kosovës, si dhe zhvillimet aktuale Kosovë-Serbi, ku Edi Rama ndër vite mbanë hapur anën e Vuçiqit dhe të Serbisë fashiste, pa treguar as më të voglën pendesë, na alarmon që të tregohemi të kujdesshëm dhe në këto momente vendimtare, të mos u besojmë, lotëve të Krokodilit, që Rama, mund të detyrohet ti nxjerrë nga presioni i SHBA-ve, që të distancohet prej Serbisë dhe Aleksandër Vuçiqit, për mosbindjen e tij, për tu distancuar nga Rusia e Putinit”, thekson Qarri.

Kërkesa e Ramës për lirim të policëve dhe pezullimi i raporteve me Serbinë, sipas Qarrit, janë të pa besueshme dhe kësisoj ato janë vetëm lojë fjalës e skenar i Ramës që t’i kamuflojë lidhjet e pashkëputura me Vuçiqin.

“Për mua Edi Rama mbetet ai që ishte, i njëjti oportunist i pabesueshëm për shqiptarët dhe Kosovën, i cili as tani nuk ka ndryshuar për asnjë milimetër dhe vetëm sa po përpiqet, që në kooketim me sivëllain e tij, kriminelin Vuçiq, ti parapërgatitin ndonjë grackë edhe më të madhe Kosovës. Andaj dhe gëzon shumë fakti, që Kosova jonë, për fat të mirë, tanimë ndodhet në rrethana krejt tjera dhe udhëheqja e shtetit të Kosovës, duket se nuk do të bije në grackat e Ramës, as të kriminelit Vuçiq, të cilët ç ‘është e vërteta flasin gjuhë të ndryshme, por shihet qartë, sa akoma kanë qëllimin e njëjtë, dhe bëjnë plane që, në një, apo mënyrë tjetër, ta ndajnë Kosovën. Kështu që as kërkesa e tij demagogjike për lirimin e policëve, as deklarata e dyshimtë, se gjoja ai paska pezulluar edhe raportet me Serbinë deri kur të bëhet lirimi i tyre, për mua nuk janë të besueshme dhe mbeten, vetëm lojë fjalësh, si skenar që Rama ti kamuflojë lidhjet e tij të pashkëputura me Vuçiqin, deklarata veresie, që gjithsesi bëhen pas kritikave të shumta nga shqiptarët, sa për të quar në vend, përkohësisht edhe ndonjë kërkesë rasti nga ndërkombëtarët, si dhe për ti hedhë hi syve, përsëri opinionit!”, shton Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat