Pas deklaratës nxitëse të Borellit, kërkohet ndërprerja urgjente e dialogut – ja kushtet që duhet vendosur Vuçiqit!

Politika

Pas deklaratës nxitëse të Borellit, kërkohet ndërprerja urgjente e dialogut – ja kushtet që duhet vendosur Vuçiqit!

Nga: A.M. Më: 24 qershor 2023 Në ora: 16:58
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, u shpreh “i alarmuar” të premten me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

“Arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës duke parakaluar në jug të Mitrovicës, shoqëruar me gjuhë të rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të krizës dje, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, shkroi zoti Borrell në rrjetin Twitter.

Kjo deklaratë, nxiti reagime të mëdha, në të cilat u kundërshtua ashpër Borelli.

Analisti politik, Skënder Mulliqi në një prononcim për “Bota sot” dialogun e Kosovës me Serbinë e cilësoi si të pa vlerë, marrë parasysh veprimet e Vuçiqit dhe bandave kriminale serbe në veri të vendit tonë.

“Me Serbinë çdo dialog është i pa vlerë. Ky shtet nuk është liruar nga shovenizmi i verbuar serbomadh në rajon. Synim e ka ndarjen e Kosovës. Është mësuar Serbia të zgjerohet me tokat e shqiptarëve. Ajo ka zgjeruar territorin e saj, katër herë deri më sot. Ka bërë rrafsh me tokë 700 fshatra shqiptare në Nish, Toplicë e vendbanime tjera, duke bërë spastrim etnik. Bandat në veri të sponzorizuara nga politika e Beogradit e kanë qëllimin që të përvetësojnë veriun e Kosovës me resurse të mëdha nëntokësore dhe liqenin e Ujmanit”, deklaroi ai.

Image
Analisti politik, Skënder Mulliqi

Krahas kësaj, Mulliqi kërkoi ndërprerjen e dialogut, pas deklaratave të fundit të përfaqësuesit evropian, Josep Borell.

“Shqiptarët nuk do të lejojnë që të japin asnjë pëllëmbë të tokave të tyre. Këtë duhet ta kenë të qartë Borell dhe Lajçak, të cilët hapur po i dalin zot Serbisë gjenocidiale. Pas deklaratave të fundit te Borellit në Bruksel, të cilin po e pengon shtrirja e plotë e sovranitetit, bisedimet duhet të ndërpriten. Ato e kanë humbur kuptimin me Vuçiqin, Borellin dhe Lajçakun. Tjetra, mos të vazhdohen bisedimet me Serbinë pa e hequr Kosovën nga preambula kushtetuese e saj. Të pranohet pavarësia dhe të paguhen edhe të gjitha dëmet e luftës”, nënvizoi analisti.

Ndër të tjera, Mulliqi mbështeti vendimet e qeverisë Kurti, derisa kërkoi edhe nga opozita që ta mbështesë atë.

Sipas tij, ata që refuzojnë të bashkëpunojnë me qeverinë do i mbulojë turpi.

“Kosova është duke vepruar në mbrojtje të ligjmërisë dhe kushtetushmërisë së saj. Bandat dhe terroristët serbë të arrestohen të gjithë. Nuk guxojmë të kthehemi mbrapa se humbasim shumë. Kurti e ka përkrahjen e popullit. Opozita të bashkëpunojë me pushtet se ndoshta pas luftës që e kishim, këto janë orët më të liga për Kosovën. Ata që nuk bashkëpunojnë do i mbulojë turpi dhe tradhtia. Nuk na duhen as televizionet dhe as gazetarët mercenarë, kjo na ka kushtuar dhe po na kushton shumë”, përfundoi SKënder Mulliqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat