18 vite heshtje e padrejtësi/ Vëllai i Bardhyl Ajetit me akuza të rënda për LDK-në: E vranë shqipfolësit e shokët e tij

Politika

18 vite heshtje e padrejtësi/ Vëllai i Bardhyl Ajetit me akuza të rënda për LDK-në: E vranë shqipfolësit e shokët e tij

M.Lakna Nga M.Lakna Më 25 qershor 2023 Në ora: 16:22
I ndjeri Bardhyl Ajeti

Sot (e diel 25 qershor) janë mbushur 18 vite nga dita e vdekjes së gazetarit të gazetës kombëtare “Bota sot”, Bardhyl Ajeti.

Bardhyli u plagos pabesisht më 3 qershor të vitit 2005, ndërsa po kthehej nga Prishtina për në shtëpinë e tij në qytetin e Gjilanit.

Për fat të keq Bardhyli nuk arriti që t’u mbijetonte plageëve të rënda që mori në atentatin e tmerrshëm dhe pas disa javësh ndërroi jetë, më 25 qershor të vitit 2005, në një spital në Milano të Italisë, ku ishte dërguar për shërim.

Vrasja e Brdhylit hyn në mesin e shumë vrasjeve e atentateve me motive politike, të cilave nuk u dihen autorët.

Sistemi i drejtësisë në Kosovë nuk ishte asnjëherë në gjendje që të jepte përgjigje se kush qëndron prapa vrasjes së Bardhylit.

Fitim Ajeti, vëllai i gazetarit të ndjerë, Bardhyl Ajeti, ka thënë për gazetën “Bota sot”, e si familjarë është i indinjuar thellësisht me neglizhencën e organeve të drejtësisë lidhur me rastin.

‘Institucionet e drejtësisë në vend, vazhdojnë edhe më tutje të heshtin për rastin, kur duar shtypëse të fjalës së lirë, i morën jetën, një njeriu të pashembullt por edhe një pene briliante në fushën e gazetarisë.

Sot e 18 vite më parë vrasja e vëllait tim nuk është zbardhur ende, vrasësit janë ende të lire dhe bredhin rrugëve e Bardhyli dergjet në varr e nga varri kërkon drejtësi.

Unë si vëlla i vetëm i Bardhylit jam thellësisht i indinjuar, i zemëruar dhe kam humbur totalisht besimin në organet e drejtësisë”, ka thënë Fitim Ajeti për “Bota sot”.

Ai ka rikujtuar se Bardhyli përpos që ishte gazetar, ishte edhe anëtarë i LDK-së e bashkëpunëtor i Presidentit Ibrahim Rugova.

Ai është shprehur i habitur se si asnjë anëtar i LDK-së nuk e ka ngritur asnjëherë çështjen e vrasjes së Bardhylit.

“Do të kthehem në kohen kur e vranë Bardhylin, duke e cekur se pushtetin asokohe e kishte LDK-ja dhe nuk e them këtë sa për ta thënë, sepse Bardhyli pos që ishte kolumnist i "Botës Sot" ishte edhe anëtar i LDK së dhe bashkëpunëtor me presidentin e atëhershëm Dr. Ibrahim Rugova.

Si për ironi të rastit asnjë nga anëtarët e LDK-se nuk e ngriti çështjen e zbardhjes së vrasjes së Bardhylit. Ata që dikur i ngriste me shkrimet e tij filluan të heshtin si strucë, e nuk kërkuan kurrë drejtësi për Bardhylin, bile filluan të mos e përmendin fare si hero të fjalës së lirë, por në tubimet e ndryshme përmendnin heronjtë e LNÇ”, ka theksuar ai.

Fitim Ajeti thotë se, Bardhylin e vranë shqipfolësit e shokët e tij, derisa përkrahësit e ideologjisë rugoviane e harruan shpejt.

Bardhylin e vranë shqipfolësit e shokët e tij, përkrahësit e ideologjise rugoviane e harruan shpejt. Ne si familje e Bardhylit nuk do të rreshtim kurrë së kërkuari drejtësi për Bardhylin, të cilin e vranë vetëm se e thoshte të vërtetën.

Qetësi për neve nuk ka pasur dhe nuk do të ketë kurrë derisa vrasësit të gjinden dhe të dalin para drejtësisë”, ka përfunduar Fitim Ajeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat