“Gjendje alarmante”, pas deklaratës ‘skandaloze’ të Borellit – vjen thirrja serioze për Kosovën!

Politika

“Gjendje alarmante”, pas deklaratës ‘skandaloze’ të Borellit – vjen thirrja serioze për Kosovën!

Nga: A.M. Më: 25 qershor 2023 Në ora: 18:26
Josep Borrell, Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq/Foto ilustrim nga "Bota sot"

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borell, u shpreh “i alarmuar” të premten me situatën e tensionuar në veri të Kosovës.

“Arrestime të jashtëligjshme të serbëve të Kosovës dhe Forcat e Sigurisë së Kosovës duke parakaluar në jug të Mitrovicës, shoqëruar me gjuhë të rëndë nga Serbia. Pavarësisht takimit të krizës dje, përshkallëzimi vazhdon dhe po bëhet më i rrezikshëm. Nuk do ta tolerojmë këtë”, shkroi zoti Borrell në rrjetin Twitter

Deklarata e tij pasoi njoftimin e policisë së Kosovës për arrestimin e një qytetari serb në veri të Mitrovicës, nën dyshimet për përfshirje në sulmet ndaj forcave të KFOR-it me 29 maj, me ç’rast të paktën 30 pjesëtarë të forcave paqeruajtëse mbetën të plagosur.

Ditë më parë, Serbia përsëriti kërcënimin për ndërhyrje të armatosur në Kosovë, nëse paqeruajtësit e udhëhequr nga NATO-ja nuk veprojnë për të mbrojtur pakicën serbe nga siç u tha “përndjekjet” nga autoritetet e Prishtinës.

E për këtë çështje, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli analisti politik, Gani Qarri.

Fillimisht, ai u shpreh i befasur me deklaratën e Borellit në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të fundit, ku shteti serb po provokon dhe kërcënon në vazhdimësi.

“Është vërtet për tu habitur shumë, se si edhe pas kidnapimit të policëve tanë kufitar brenda territorit të Kosovës, provokimeve të vazhdueshme e të llojllojshme serbe, nxitjes së bandave kriminale për trazira, dërgimin e grupeve paramilitare nga Serbia për të sulmuar policinë dhe ushtarët e KFOR-it, si dhe kapja e makinave të mbushura me armë të ndryshme dhe bomba e eksplozive ushtarake, e gjithë akteve me tentativë terroriste dhe kërcënimeve publike të nxitura nga pasardhësi dhe gebëlsi i Millosheviqit, të vazhdojë të kritikohet, nga Borell & Co, vetëm Kosova!

Madje falltori Borell në vend sa ta kritikojë ish ministrin e informatave dhe gebelsin e Millosheviqit, për tensionet dhe dhunën e shkaktuar nga bandat e tij kriminale në Kosovë, përveç ledhatimit krimineli Vuçiq merret edhe në mbrojtje në vijimësi, jo vetëm nga ambasadori Hill, por edhe nga Borell e Lajçak si dhe emisari Gabriel Eskobar, ndaj është koha e fundit, që faktori ndërkombëtar, ai evropian dhe amerikan, përfundimisht t’i heqin maskat dhe të veprojnë në mënyrë të drejtë e të vendosur, duke kërcënuar të paktën me izolim dhe ndërprerjen e negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE, nëse jo edhe me kërcënimin e drejtë, për shpalljen e Vuçiqit si nxitës i luftërave të reja, në Ballkan, para se Borell të aktrojë, se gjoja ndjehet i “alarmuar” nga arrestimi ligjor I dy-tre kriminelëve serbë, të cilin merr guximin ta quaj edhe akt të "paligjshëm", që sipas tij, madje edhe “nuk do të tolerohet” në të ardhmen”, deklaroi analisti.

Krahas kësaj, Qarri vlerësoi se qëndrimet esktreme të Borellit kundër Kosovës, ku nuk dallojnë shumë me ato të shtetit serb.

Image
Analisti politik, Gani Qarri.

"Nga vet sjelljet dhe qëndrimet e treshes ndërkombëtare me në krye Borellin, të cilat jo vetëm se nuk ndryshojnë shumë nga njëra tjetra por gati që nuk dallojnë fort as nga qëndrimet e Serbisë hegjemoniste, duket se Borell, Lajçak, ambasadori Hill dhe vet emisari Eskobar, vërtetë kanë marrë premtime të mëdha për koncesione të majme me pasuritë e tej-vlefshme në veri të Kosovës, apo edhe shuma të mëdha monetare, ndaj dhe janë të detyruar të sillen gjithë kohën në favor të Serbisë, përndryshe qëndrim i tyre kaq ekstrem kundër Kosovës, mund të quhet gjithçka tjetër, por vetëm i drejtë dhe parimor-jo, madje as ndërmjetsim!.

Borell, Lajçak dhe Eskobar është treshja famoze që hoqi nga tryeza e bisedimeve edhe njohjen reciproke ndërmjet Kosovës e Serbisë dhe futën "asociacionin" një etnik serb, si prioritet duke këmbëngulur që edhe implementimi i marrëveshjes së Ohrit, ashtu siç thot Vuçiqi, të fillojë me themelimin e një asociacioni kundërkushtetues dhe me kompetenca shtetërore, gjë që vërtetohet edhe me faktin e trishtë, se përveç ambasadori Hill, presion të pa parë ndaj Kosovës, bënë edhe Borell, i cili ka kohë që flet e sillet si diplomat serb, si dhe vet emisari misterioz i SHBA-së, që nuk qëndronë fare larg, kërkesave absurde të pasardhësit të Millosheviqit, kriminelit Aleksandër Vuçiq, për bosnjëzimin e Kosovës”, theksoi ai.

Më tej, analisti analizoi heshtjen e Borellit përballë sulmeve të grupeve kriminale serbe dhe veprimeve të Vuçiqit.

“Borell në fakt është treguar gjithmonë i anshëm, dhe nuk ka reaguar asnjëherë kundër veprimeve hegjemoniste e kriminale të Serbisë, madje ai vazhdon më tej, të ngelet i rezervuar edhe ndaj kidnapimit të policëve kufitar të Kosovës, brenda territorit tonë shtetëror, që është sulm i drejtpërdrejtë dhe agresion i hapur kundër shtetit të pavarur të Kosovës, akt i dënueshëm ndërkombëtar, i kryer nga njësit "Kobra" të Serbisë, që sipas mediave, është vet grupi për mbrojtjen e afërt të Aleksandër Vuçiqit.

Por përkundër ndërhyrjes së Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës dhe këtij akti të rrezikshëm të sulmit të drejtpërdrejtë, që Serbia fashiste kryen për llogari të Putinit në Ballkan, ngritja e tensioneve dhe sulmi i policisë dhe ushtarëve të KFOR-it, nga bandat kriminale serbe dhe grupet paramilitare të ardhura nga Serbia në veri të vendit tonë, asnjë nga veprimet e kriminelit Vuçiq dhe të Serbisë fashiste, kurrë nuk u dënuan as kritikuan, nga Borell & Co”, nënvizoi Qarri.

Po ashtu, ai tha se zhvillimet në Rusi e kanë alarmuar Vuçiqin, pasi në rast të humbjes së shtetit rus do të shuhej ëndrra serbe.

“Ndërhyrjet dhe agresioni direkt i Serbisë në Kosovë, nuk u dënua as nga ndërmjetësuesi Lajçak dhe emisari Eskobar në dialogun Kosovë –Serbi, edhe pse akte si këto, më shumë se çdo gjë tjetër,i konvenojnë vetëm Rusisë imperialiste dhe Vladimir Putinit, për hapjen e një konflikt të ri në Ballkan, në mënyrë që të largohet përqendrimi i NATO-s nga Ukraina, ku Rusia okupatore, pas shpërthimit të luftës së brendshme me forcat e ashtuquajtura "Wagner" të Jewgeni Prigoschinit, duket se, së shpejti do ta humb edhe luftën me Ukrainën, gjë që ka vënë në alarm, piksëpari presidentin kriminel serb Aleksandër Vuçiq si dhe vet Serbinë fashiste sepse në rast të dështimit të Rusisë në Ukrainë, do të shuheshin edhe ëndrrat e Serbisë fashiste për gllabërimin e veriut të Kosovës, gllabërim që duket se me pajtimin e Eskobarit është bërë Pazar nga Serbia edhe me ndërmjetsuesit e BE-së Borelll e Lajçak”, shpjegoi analisti.

Ndër të tjera, Qarri tha se Kosova duhet të jetë e alarmuar pas skenareve serbe në veri, e veçanërisht pas kidnapimit të tre policëve shqiptarë.

E gjendja, sipas tij, po bëhet serioze pas presioneve të vazhdueshme të emisarëve ndërkombëtarë.

“Prandaj jo vetëm Qeveria, por edhe opozita dhe të gjithë ata të cilët ia duan të mirën shtetit të pavarur të Kosovës, duhet të alarmohen maksimalisht se gjendja vërtetë është mjaft serioze, pasi që kombinimi i ndërhyrjeve brutale të Serbisë fashiste në vendin tonë me presionin e vazhdueshëm dhe të pa parë politik nga ndërmjetësuesit e BE-së, Borell e Lajçak, ambasadorit Hill dhe emisarit Eskobar, vërtetë e vendosin në vështirësi të mëdha vendin tonë dhe e bëjnë, tejet të pasigurt edhe të ardhmen e tërësisë territoriale dhe konceptin e shtetësisë të Republikës së Kosovës, të cilat e kemi për obligim që ti ruajmë e mbrojmë me çdo mjet, mundësi e çmim, sado i lartë qoftë ai, ne që e dimë më mirë se kushdo tjetër në rajon, se sa i rëndë është dëbimi nga okupatori dhe të mbeturit pa atdhe, ngase nuk kemi atdhe tjetër, ky është vendi ynë i vetëm, jashtë të cilit nuk kemi ku të shkojmë”, përmbylli Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat