28 vjet në luftë me të keqen - Gazeta “Bota sot” gardiania më e denjë e fjalës së lirë!

Politika

28 vjet në luftë me të keqen - Gazeta “Bota sot” gardiania më e denjë e fjalës së lirë!

Nga: Petrit Rudi Më: 26 qershor 2023 Në ora: 08:02
Foto ilustrim

Ishte 26 qershori i vitit 1995, dita kur filloi botimi i numrit të parë të gazetës kombëtare “Bota sot”. Tash e 28 vite, gazeta “Bota sot” vazhdon të jetë një dritare informimi për shqiptarët kudo që janë.

Gjatë rrugëtimit të saj 28 vjeçar, “Bota sot” përveç kërcënimeve të vazhdueshme, u përball edhe me vrasjen e bashkëpunëtorëve dhe gazetarëve të saj.

Fillimisht, gazetës “Bota sot” iu vra bashkëpunëtori Enver Maloku, pastaj kolumnisti Xhemail Mustafa.

Po ashtu, në betejën për fjalën e lirë e kundër të keqes, mbeten të vrarë edhe dy gazetarë të “Bota sot”, Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti.

Në pothuajse çdo shkrim, gazeta “Bota sot” vazhdon të kërkojë drejtësi për gazetarët e vrarë, por përgjatë gjithë këtyre viteve, vrasja e tyre ka mbetur ende një enigmë e pa zbuluar.

E për 28 vjetorin, analistët dhe bashkëpunëtorët vlerësojnë lartë punën dhe angazhimin e “Bota sot” gjithmonë në të mirë të kombit e shoqërisë.

“Bota sot”, është gur i madh i informimit në themelet e Pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës”

Image
Analisti dhe bashkëpunëtori i rregullt, Haki Latifi

Analisti dhe bashkëpunëtori i rregullt, Haki Latifi thotë se gazeta “Bota sot” përgjatë këtyre 28 viteve, në vazhdimësi ka qenë dhe vazhdon te mbetet zë i rëndësishëm, dhe i veçantë i informimit për miliona lexues.

“Është gazeta ditore shqiptare e Kosovës, për atë kohë, përkrah “Rilindjes” e cila fatkeqësisht nuk është më, ka qenë një domosdoshmëri e cila me punën e saj ka vra terrin informativ të shkaktuar nga regjimet kriminale serbe në Kosovë! Tash pas kaq vitesh jetë, te “Bota sot”, kujtoj se atë e presin dhe rrugë të tjera të rëndësishme, profesionale, hulumtuese e humane si dhe ta ruaj paanshmërinë në informimin e drejtë e me kohë të opinionit publik”, thotë Latifi.

Sipas tij, drejtësia në Kosovë ka dështuar plotësisht në zbulimin e vrasjeve të gazetarëve dhe bashkëpunëtorëve të “Bota sot”.

“Natyrisht, përgjatë këtyre 28 viteve gazeta “Bota sot” u përball me shumë sfida e kërcënime nga dashakeqët qe iu pengonte e vërteta që shkruhej e thuhej guximshëm nga gazetarët e kësaj gazete. Dhuna ndaj gazetarëve është mjerim, por duhet dalluar dhunën politike me pasojë humbjen e jetës ndaj gazetarëve siç janë: Bardhyl Ajeti e Bekim Kastrati, pastaj Ali Ukaj, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, Afrim Maliqi, Shefki Popova e të tjerë. Mos zbardhja e vrasjeve të gazetarëve nga institucionet e drejtësisë, shpërfaq më së miri dështimin e institucioneve të drejtësisë ose lidhjen që ka ekzistuar dhe ekziston ndërmjet segmenteve të caktuara të organeve të ndjekjes me kriminelët, ndryshe nuk mund të shpjegohet”, shprehet Latifi.

“Është e habitshme dhe shqetësuese mos reagimi i kolegëve të tyre nga Shoqata e gazetarëve të Kosovës për zbardhjen e rasteve të tilla nga organet e drejtësisë! Ku rol të rëndësishëm mund të kenë të gjithë qytetarët e Kosovës, veçmas edhe gazetarët për kolegët e tyre të vrarë, duke kërkuar llogari ndaj zyrtarëve përgjegjës të drejtësisë së Republikës së Kosovës, për të ndriçuar këto raste dhe për ta bërë drejtësinë për viktimat e krimit”, shton Latifi.

Më tej, Latifi deklaron se “Bota sot” është gur i madh i informimit në themelet e Pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës.

“Kontributi i gazetarëve, bashkëpunëtorëve dhe të gjithë atyre që punuan dhe u angazhuan, që nga dita e parë e deri në ditën e sotme në gazetën “Bota sot”, është me vlera te pazëvendësueshme për kulturën, emancipimin dhe ngritjen e vetëdijes kombëtare të shqiptarëve në trojet e tyre dhe jashtë vendit. Gazeta “Bota sot”, është gur i madh i informimit në themelet e Pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës. Duke qenë përherë lider i gazetarisë mbarëkombëtare në vazhdimësi ka dhënë kontributin mediatik në kohërat tona më të vështira. “Bota sot” agoi sikur rrezet e diellit kur e shpojnë dhe depërtojnë errësirën e natës duke ndriçuar dhe rrezatuar ditët e reja të mbarë Popullit Shqiptar”, thekson Latifi.

“Prandaj, duke iu falënderuar dhe përgëzuar stafin drejtues dhe të gjithë gazetarët me radhë të “Botës sot”, që nga themelimi e deri me tash, ju uroj 28 vjetorin e themelimit dhe i falënderoj shumë për bashkëpunimin dhe për një përkrahje të drejtë, reale dhe shumë profesionale, në informimin e lexuesve shqiptarë në vend dhe në mërgatë”, përfundon analisti Haki Latifi.

Gardiane e fjalës së lirë

E Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj, thotë se gazeta “Bota sot” përgjatë këtyre 28 viteve, vazhdimisht ka qenë në luftë me të keqen.

Image
Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj

“Fillimisht, gazetës “Bota sot” i uroj përzemërsisht përvjetorin e 28-të të themelimit të sajë, duke i dëshiruar suksese në vazhdimësi. Rrugëtimi i gazetës “Bota sot” nuk ishte i lehtë aspak, por me sfida të mëdha dhe të paimagjinueshme. Mendësia bolshevike totalitare se vetëm ne kemi të drejtë dhe të gjithë të tjerët janë armiq të popullit, e goditi pamëshirshëm edhe gazetën “Bota sot”, si shumë pjesë tjera të shoqërisë sonë. Gazeta “Bota sot” u ballafaqua me kërcënime dhe shantazhe të natyrave të ndryshme nga kjo mendësi totalitare, madje shkoi aq larg sa iu vranë edhe gazetarët guximtarë, Bardhyl Ajeti, Bekim Kastrati, dhe disa bashkëpunëtorë të saj”, shprehet Tahiraj.

Ai thekson se gazeta “Bota sot” ishte gardiane në mbrojtjen e fjalës së lirë dhe e plasimit të vërtetës në opinion, pavarësisht çmimit të lartë që pagoi.

“Të gjitha ngjarjet tragjike që ndodhën gjatë luftës dhe pas saj, me vrasjet politike të figurave madhore, politike dhe ushtarake të vijës institucionale të udhëhequr nga presidenti Rugova, me vendosmëri i demaskoi, kritikoi dhe e plasoi të vërteten për opinion. Falë guximit dhe profesionalizmit të gazetarëve të gazetës “Bota sot”, doli në shesh e vërteta e këtyre vrasjeve politike dhe opinioni mësoi të vërtetën mbi to. Deri sa disa gazeta tjera u bënë vasale dhe bashkëpunëtore të kësaj mendësie totalitare, “Bota sot” ishte e vetmja gazetë ku u demaskua dhe luftua kjo mendësi. “Bota sot” ishte e vetmja dritare për ata/ato që patën guximin të shkruajnë dhe të demaskojnë ato banda kriminale që i gjakosën duart me gjak shqiptari”, nënvizon Tahiraj, i cili me endje e kujton intervistën e parë dhënë gazetës “Bota sot”.

“Personalisht ruaj kujtimet dhe respektin më të madh për gazetën “Bota sot” sepse për mua ishte e vetmja gazetë ku i botoja shkrimet, i botonin intervistat e mia me autor të ndryshëm ku shprehja pikëpamjet dhe revoltën time ndaj veprimeve kriminale të bandave të kuqe. Kujtoj me shumë emocione intervistën e parë në qershorin e vitit 2000, me Naim Kelmendin e titulluar: "Sikur të ishin përkrahur Salih Çeku, Adem Jashari, Zahir Pajazit kurrë LPK nuk do të ishte dalë në skenën politike". Pastaj intervistën me Sefedin Krasniqin në dhjetë vazhdime e cila u prit jashtëzakonisht mirë dhe shumë intervista dhe shkrime tjera që i botova vetëm në gazetën “Bota sot””, deklaron Saim Tahiraj.

Më tej, ai thotë se gazeta “Bota sot” është shembulli më i mirë se si duhet të thuhet dhe mbrohet fjala e lirë, se si duhet të thuhet dhe mbrohet e vërteta pavarësisht kostos që ka ajo.

“Në këtë përvjetor, të 28-tin me radhë nga lindja e gazetës “Bota sot”, kujtojmë me respekt gazetarët dhe bashkëpunëtorët e saj të guximshëm, që u vranë në misionin e tyre të shenjtë, demaskimin dhe luftimin e bandave kriminale që përpiqeshin të vrasin të vërtetën mbi luftën dhe paqen”, përfundon për “Bota sot” Saim Tahiraj, ish bashkëluftëtar i heroit, Sali Çekaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat