““Bota sot” histori suksesi”, publicisti flet në 28 vjetorin e themelimit: E vetmja gazetë që kërkoi zbulimin e vrasjeve politike

Politika

““Bota sot” histori suksesi”, publicisti flet në 28 vjetorin e themelimit: E vetmja gazetë që kërkoi zbulimin e vrasjeve politike

Nga: A.M. Më: 26 qershor 2023 Në ora: 10:07
Gazeta “Bota sot”

Gazeta "Bota sot" sot mbush 28 vite!

Janë më shumë se dy dekada punë, sakrifica, sfida dhe suksese.

Pas kaq shumë vite, “Bota sot” vazhdon të jetë një nga mediat më të lexuara shqiptare, jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë.

Publicisti, njëherësh edhe bashkëpunëtori i gazetës sonë, Rexhep Elezaj në përvjetorin e 28 të “Bota sot” u shpreh se kjo datë ngërthen në vete një histori plotë sakrifica, sfida e suksese.

Krahas kësaj, ai tha se me themelimin e kësaj gazete, lindi edhe një zë i ri me politikë kombëtare dhe orientim pro-perëndimor.

“Pa dyshim, se 28 vjetori i themelimit të gazetës “Bota Sot”, ngërthen në vete një histori tepër të bujshme dhe tragjike të Kosovës dhe shqiptarëve, përplot me krajata, dhimbje, lot, vaje, dëbime, por edhe suksese, vështirësi, sfida si dhe ballafaqim me një armik të egër të shqiptarëve, Serbinë fashiste, siç ishte rezistenca gjithë popullore e shqiptarëve të Kosovës, që nga viti 1989 e deri me 10 qershor 1999, kur këmba e fundit e ushtrisë kriminale serbe do ta lëshon me turp Kosovën.

Pra, themelimi i gazetës “Bota Sot” në Cyrih të Zvicrës në vitin 1995, ishte lindje e një Zëri të ri në mesin e disa mediave shqiptare që dilnin në diasporë, zë ky i cili me politikën redaktuese kombëtare dhe me orientim puro pro-perëndimor, përveç se do e ngriste zërin e saj të fuqishëm kundër regjimit kriminal dhe okupues serb në Kosovë, kjo gazetë do bëhej njëra ndër shtyllat më të forta në përkrahjen e LDK-së dhe udhëheqësit të saj historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke publikuar çdo ditë shkrime, informata dhe reportazhe nga Kosova e robëruar, përmes të cilave mërgata jonë në Perëndim informohej shumë shpejtë për gjendjen e vështirë si dhe vuajtjet e mëdha të popullit tonë nën regjimin kriminal dhe barbarë të Serbisë”, deklaroi publicisti.

Image
Publicisti, njëherësh edhe bashkëpunëtori i gazetës sonë, Rexhep Elezaj

Gjithashtu, Elezaj përmendi edhe dy gazetarë tanë që raportuan në kohë lufte, Naim Kelmendin dhe Muhamet Çettën.

Madje, ai tha se “Bota sot” ishte burim dhe pasqyrë e lajmeve të vërteta për ngjarjet e rënda në Kosovë, siç ishin vrasjet, burgosjet dhe dëbimet e popullatës shqiptare.

“Ndërsa në anën tjetër, ishte gazeta “Bota Sot”, e para, ajo e cila në frontin e luftës sonë çlirimtare kundër armikut gjakatar serb, kishte dërguar në Koshare dy gazetarët e saj, Naim Kelmendin dhe Muhamet Çettën, të cilët raportonin nga vija e parë e frontit për luftën heroike të ushtarëve tanë në Koshare, duke e informuar opinionin e gjerë mbi rrjedhat dhe suksesin e saj në front, siç ishte thyerja e murit shqiptaro-shqiptar nga ushtarët tanë heroik, vrasja e shumë ushtarëve të armikut dhe e mercenarëve të huaj, e deri në çlirimin e plotë të Kosovës.

Gazeta e përditshme “Bota Sot” e cila botohej në Zürich të Zvicrës, po ashtu, shpërndahej çdo ditë gjithandej Evropës, në SHBA si dhe vende tjera të botës, e cila ishte bërë burim dhe pasqyrë e lajmeve të vërteta dhe të shpejta për ngjarjet e rënda në Kosovë, siç ishin vrasjet, burgosjet dhe dëbimet e popullatës shqiptare nga vatrat e tyre stërgjyshore, të cilën dhunë e ushtronte aparati kriminal shtetëror i Serbisë, fakte të cilat aktivistët shqiptarë në mërgim ua prezantonin dhe jepnin mediave vendore në shtetet ku jetonin, duke e sensibilizuar kështu çështjen e Kosovës tek qeveritë e vendeve nikoqire, një kontribut ky tejet i madh për të mirën e Kosovës”, nënvizoi ai.

Më tej, publicisti nuk harroi t’i përmendte edhe disa nga  figurat më të shquara që punuan për gazetën tonë, në kohët më të vështira.

Po ashtu, ai tha se “Bota sot” ishte e vetmja gazetë ditore shqiptare, e cila pas luftës hapur kërkonte zbulimin dhe dënimin e autorëve të shumë vrasjeve politike në Kosovë, gjë për të cilën u sulmua dhe kritikua padrejtësisht.

“Gazeta “Bota Sot”, gjithashtu gjatë viteve më vështira nëpër të cilat po kalonte Kosova nën apart-hejdin e regjimit serb, kishte tubuar në redaksinë e saj penat, gazetarët dhe politikanët më të shquar të kohës, siç ishte ish ambasadori i Shqipërisë në OKB, Prof. Abdi Baleta, bashkëshortët publicistët, Elida dhe Skënder Buçpapaj, tani ish kryeredaktori i ndjerë i saj, Llukman Halili si dhe shumë të tjerë, të cilët me shkrimet, analizat politike, afirmimin e kauzës çlirimtare të Kosovës, internacionalizimin e kërkesave për pavarësi të Kosovës pranë forumeve dhe qarqeve ndërkombëtare, etj., e bënin këtë gazetë elitare në grupin e mediave shqiptare, qoftë për nga përmbajtja e saj dhe rubrikat e veçante, qoftë me politikën e saj të djathtë demokratike, si një medium dhe tribunë kombëtare, ku interesi i Kosovës ishte dhe trajtohej mbi çdo interes tjetër.

Ndërsa, ajo që kësaj gazete ia vështirësonte punën dhe tentonte ta degradonte imazhin e saj në publik, ishin pa dyshim, sulmet dhe kritikat ziliqare që ia bënte krahu majtist i LPK-së në Evropë përmes fletushkës së saj, “Zëri i Kosovës”, duke e quajtur, herë si “Borba Sot”, herë si gazetë të Beogradit, e herë si e LDK-së, etj., ngase ishte e vetmja gazetë ditore shqiptare, e cila pas luftës hapur kërkonte zbulimin dhe dënimin e autorëve të shumë vrasjeve politike në Kosovë, duke filluar nga ajo e kol. Ahmet Krasniqit, Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, e deri tek vrasje e deputetit Smajl Hajdaraj, Shaban Manajt dhe e Tahir Zemajt, e më vonë edhe vrasja e gazetarit të saj, Bardhyl Ajetit, autorët e të cilave vrasje ende nuk janë zbuluar dhe as dënuar..!?”, u shpreh Elezaj.

Në fund, ai përgëzoi themeluesin dhe pronarin e gazetës “Bota sot”, Xhevdet Mazrekaj dhe redaksinë për punën e bërë ndër vite.

“Unë, si njëri ndër bashkëpunëtorët e saj aktiv, që nga dalje e saj në vitin 1995 e deri më sot, e përgëzoj redaksinë si dhe editorin e saj, z. XH. Mazrekajn, për punën e pandalshme, qëndrimin stoik dhe kombëtar ndaj gjitha sfidave që ajo i ka përballuar në rrugën e saj drejtë arritjes së lirisë, pavarësisë dhe shtet-ndërtimit të Kosovës, duke i dëshiruar suksese të mëtejme në demokratizimin e shoqërisë shqiptare si dhe në mbrojtjen e mendimit dhe fjalës së lirë, pa të cilën liri nuk mund të ketë as shoqëri dhe as gazetari të lirë..”, përmbylli Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat