28 vite bashkë me gazetën “Bota sot” – Një testament i çmueshëm kombëtar për informim të drejtë, të guximshëm dhe të saktë

Politika

28 vite bashkë me gazetën “Bota sot” – Një testament i çmueshëm kombëtar për informim të drejtë, të guximshëm dhe të saktë

Arife Morina Nga Arife Morina Më 26 qershor 2023 Në ora: 12:01
Foto ilustrim

Sot, 26 qershori shënon datën kur gazeta “Bota sot” filloi punën e saj, pa u ndalur më pas edhe për 28 vite me radhë.

Ishte viti 1995 kur për herë të parë, shqiptarët, jo vetëm në Kosovë dhe Shqipëri, por edhe në shtetet tjera, patën mundësi që të lexonin informacione edhe në një gazetë të re, ku më pas i qëndruan besnik asaj edhe për shumë vite me radhë.

Nuk ishte e lehtë, për gazetën “Bota sot” që të qëndronte stoike në raportimet e saj për të vërtetën, drejtën, luftën, politikën, shoqërinë, ekonominë e sportin.

Në fakt, ishte e vështirë për shkak se në vazhdimësi u përball me sulme, atentate e vrasje të gazetarëve të saj.

Mirëpo, pavarësisht këtyre, nuk u dorëzua dhe në vazhdimësi gazetarët e saj raportuan për të vërtetën, që për disa ishte e hidhur, e që u pengonte në vazhdimësi.

Atyre që u ‘pengoi’ gazeta dhe shkrimet e saj për të vërtetën, nuk arritën ta mposhtin atë me kërcënime, ku edhe sot e 28 vite vazhdon të jetë një nga gazetat më të lexuara shqiptare.

Përveç sfidave, gazeta jonë arriti edhe suksese gjatë kësaj periudhe, e që natyrisht falënderues dhe mirënjohës për këtë gjë u jemi lexuesve tanë, që për kaq shumë vite nuk rreshtën së na besuari dhe mbështeturi.

Bekteshi: “Bota sot” ishte një yll vezullues informativ në kohë të errëta që na solli dritë

Veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi foli në përvjetorin gazetës sonë, derisa shprehu falënderim dhe mirënjohje për të gjithë pjeswtarët e “Bota sot” që e ndihmuan atë të jetë zë i fuqishëm kombëtar.

Image
Veprimtari nga Amerika, Ramazan Bekteshi

“Në 28 vjetorin e saj, “Bota sot” mbetet një testament i çmueshëm kombëtar për informim masiv, të guximshëm, dhe të saktë. Ishte një yll vezullues informativ në kohë të errëta që na solli dritë, ajo refuzoi frikën, dhe promovoi kushtrimin dhe ndjenjën për liri dhe pavarësi edhe pse shpesh e pagoi shtrenjtë. Dua të shpreh admirimin, falënderimin dhe mirënjohjen time për të gjithë ata që defiluan dhe e shndërruan “Botën” në një ‘simfoni’ kombëtare që zëri i saj jehoi kumbueshëm në atdhe e diasporë”, deklaroi ai.

Bekteshi tha se “Bota sot” për 28 vite u shndërrua në një kështjellë informative, ku edhe në kohët më të vështira e promovoi fuqishëm mesazhin e shpresës së madhe, pavarësisë.

“Ishin vitet e ’90-ta kur ‘Bota sot”, gazeta jonë kombëtare e nisi misionin e saj kombëtar me kurajo dhe me ndjenjën se triumfi nuk ishte larg, ajo vuri një gurthemel që për 28 vite do të shndërrohej në një kështjellë informative kombëtare. Ajo me ngulm denoncoi okuptaorin dhe metodat fashiste për çdo ditë dhe në anën tjetër informonte për vuajtjet nën okupim por duke mbajtur lartë frymën dhe duke promovuar fuqishëm mesazhin e shpresës së madhe, pavarësisë. Ajo ishte bashkë me luftëtarët e lirisë nëpër fushëbeteja duke informuar për ngjarje nga tereni dhe në kohë reale”, theksoi veprimtari nga Amerika.

Krahas kësaj, ai përmendi edhe atentatet dhe vrasjet e gazetarëve tanë, ku pavarësisht kësaj tha se “Bota sot” nuk u dorëzua asnjëherë edhe në kohët kur kishte dhimbje, ajo i qëndroi besnik lexuesve të saj.

“Pas luftës, ajo i hyn një beteje të re duke denoncuar krimin e organizuar, bandat që plaçkitën dhe vranë pamëshirshëm kundërshtarët politikë, politikanë që falen trojet e plaçkitën vendin, politikanët vasale, qe në emër të pushtetit ishin në gjendje të cungojnë Kosovën dhe shtrirjen e sovarnitetit në veri të vendit. Edhe pranë atentateve dhe vrasjeve të gazetarëve të këtij mediumi elitar, ajo s’u zmbraps asnjëherë, por qëndroi stoike, duke u shpërnda në disa vende të botës dhe duke u shndërruar në gazetën më të lexuar nga shqiptarët në fundin e dekadës së tretë të ekzistencës së saj të lavdishme. Me admirim dhe respekt, faleminderit “Bota sot” në përvjetorin tënd monumental, që i qëndrove besnike dhe krenare lexuesit tënd në kohë të mirë, por edhe atëherë kur kishe dhimbje”, përfundoi Ramazan Bekteshi për “Bota sot”.

Bytyçi: Gazeta “Bota sot” qëndroi edhe pse iu nënshtrua përndjekjes së pushteteve të ndryshme dhe u godit me akte terroriste e kriminale

Kurse, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të gazetës tonë është profesori Enver Bytyçi.

Ai në këtë datë të rëndësishme për “Bota sot”, në përvjetorin e 28 tha disa fjalë për punën, sakrificën dhe guximin e saj.

Image
Profesori Enver Bytyçi.

Së pari, tha u shpreh se “Bota sot” i bëri ballë sfidave ndër vite, nuk u ndal as edhe atëherë kur u sulmuan me bomba apo edhe kur iu vranë gazetarët e saj më të mirë.

“Nga ajo ditë e 26 qershorit 1995 e deri më sot janë mbushur gjithsej 28 vite. Është dita kur doli numri i parë i gazetës “Bota sot”! Prej asaj kohe shumë gazeta, revista, radio e madje televizione janë hapur dhe janë mbyllur. Shumica prej tyre nuk kanë mundur t’i qëndrojnë konkurrencës e disa të tjera nuk kanë qenë të afta të ndjekin kohën në zhvillimin e teknologjisë, apo të perfeksionimit të mendimit njerëzor.

Gazeta “Bota sot” ja ku është. Gjithë kohës në tregun mediatik me lexues që i shtohen çdo ditë. Gazeta “Bota sot” qëndroi edhe pse iu nënshtrua përndjekjes së pushteteve të ndryshme dhe u godit me akte terroriste e kriminale. “Gazeta “Bota sot” nuk u ndal as kur e sulmuan me bomba, as kur ia vranë gazetarët e saj më të mirë e më të devotshëm. Kjo gazetë I dha publikut shqiptar guximin dhe shpresën për të ardhmen e lirisë”, theksoi profesori.

Gjithashtu, Bytyçi potencoi se historia e këtyre 28 viteve ndahet dhe shkon në pajtueshmëri të plotë me historinë dhe lavdinë e presidentit historik, Ibrahim Rugova!

Madje, ai përmendi edhe disa nga miqtë më të mëdhenj të “Bota sot”.

“Po! Gazeta “Bota sot” pati dhe ka një pozicion të saj editorial. Ajo është e do të duhet të jetë gjithmonë krenare, që vija editorialiste ishte e njëjtë me filozofinë e lidërit historik e të lavdishëm të shqiptarëve, Presidentit të Kosovës së para e pas luftës, Ibrahim Rugova. Sa shumë e sulmuan këtë gazetë pse ajo u ndodh gjithnjë në krahun e Gandit të Ballkanit dhe Martin Luter King-ut të Kosovës, Dr. Rugova! Por ajo nuk hoqi dorë nga ky mision historik. Në këtë kuptim, historia e këtyre 28 viteve ndahet dhe shkon në pajtueshmëri të plotë me historinë dhe lavdinë e presidentit historik, Ibrahim Rugova!

Por jo vetëm kaq! Ne e dimë sa shumë miq të mëdhenj kishte dhe ka gazeta “Bota sot”! Ajo ishte shtëpia e mrekullueshme e shpirtit për Pjetër Arbnorin e madh e të papërsëritshëm. U bë vatra e Mbretit Leka I, apo ish-presidenti dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, Sali Berisha. “Bota sot” ishte pikëtakimi i patriotëve të mëdhenj si Mark Krasniqi, apo ideologë dhe filozofë të tjerë të shquar, deri te Fehmi Agani! Aty u gjenden me mendimin e tyre gjenial për Kosovën me dhjetëra personalitete të letrave evropiane dhe amerikane, me qëllim ndriçimin e të vërtetës së madhe të shqiptarëve. Po kujtoj vetëm një prej tyre, akademikun britanik, Noel Malcolm, vepra e të cilit “Kosova – një histori e shkurtër” u botua thuajse e plotë numër pas numri të kësaj gazete”, nënvizoi ai.

Më tej, profesori vlerëson se gazeta jonë për vite të tëra nuk u dorëzua nga kërcënimet, sulmet e vrasjet e gazetarë, por qëndroi në misionin e saj fisnik.

Në fund, kishte edhe një urim dhe një dëshirë në të njëjtën kohë, që sa më shpejtë “Bota sot” të fillojë të rikthehet në pikat e shitjes, si një gazetë e shkruar.

“Kur Kosova dhe shqiptarët kishin nevojë për një dritë dituria dhe informimi erdhi në jetë pikërisht kjo gazetë e përkushtuar ndaj atdheut, kombit, frymës kombëtare dhe lirisë e demokracisë. Për këtë arsye u sha dhe u anatemua! Por ajo nuk u thye, nuk u ndal. Qëndroi në misionin e saj fisnik. Për faqet e kësaj gazete ishte i hapur të shkruante kushdo, pavarësisht pikëpamjeve dhe faktit nëse shkrimet, mendimet dhe debatet ishin ose jo në pajtim me politikën editoriale. Kjo cilësi e rrallë në mediet shqiptare e gazetës “Bota sot” është edhe unike në llojin e vet. Prandaj dhe në periudhën e luftës në Kosovë gazeta “Bota sot” u bë gazeta më e madhe në gjuhën shqipe.

Deri në marsin e vitit 2020 gazeta „Bota sot” ishte e aksesueshme në të dy variantet, në print dhe online. Prej kësaj kohe është në tregun mediatik vetëm në variantin online. Urojmë që sa më shpejt ta gjejë mundësinë të rikthehet në pikat e shitjes së gazetave në Kosovë, në hapësirat shqiptare e në tregun mediatik perëndimor”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat