“Bota sot” gazeta më madhore pas “Rilindjes”, Zogaj thotë se ajo argumenton epitetin “gjithëkombëtar”

Politika

“Bota sot” gazeta më madhore pas “Rilindjes”, Zogaj thotë se ajo argumenton epitetin “gjithëkombëtar”

Nga: Naile Ejupi Më: 26 qershor 2023 Në ora: 20:55
Bota sot

26 qershori i vitit 1995 shënon ditën kur doli ne treg gazeta “Bota sot”.

“Bota sot” për 28 vite është kujdesur që lajmi të depërtojë në shtëpitë e secilit person, duke u bërë kështu media më e besueshme, më e lexueshme dhe e klikueshme në vend.

Botuesi i kësaj gazete, Xhevdet Mazrekaj, thotë se rrugëtimi i “Botës sot”, ishte përplot me sfida e vështirësi, por ato i dhanë forcë për të vazhduar ballëhapur.

Mazrekaj përmes një shkrimi në Facebook, shprehet se ata nuk ju përulën asnjëherë, gjersa shton se faktet, lapsi dhe letra ishin “armët” e tyre.

“28 vjet më parë nisi punën Gazeta Kombëtare “Bota sot”. Sot (e hënë, 26 qershor) u mbushën plot 28 vite nga dita kur nisëm rrugëtimin tonë në shërbim të së drejtës dhe të vërtetës, që ndjehej shkruhej e thuhej vetëm shqip!

Një shtegtim përplot me sfida e vështirësi, të cilat vetëm sa na dhanë forcë për të vazhduar ballëhapur.

Nuk iu përulëm asnjëherë askujt, nuk bëmë kurrë pazare me të keqen, por e luftuam atë me mish e me shpirt. Faktet, lapsi dhe letra ishin “armët” tona të vetme me të cilat “hienave” të etura për pushtet dhe para iu bëmë “halë në sy”. Nuk na i kursyen as jetët e gazetarëve! Na e dërguan edhe një granatë dore si “dhuratë”, që për fat të mirë i shpëtuam. Por, ata dështuan që të na e mbyllin gojën dhe tani ka ardhur dita që t’iu shembet dheu nën këmbë!”, shkruan Mazrekaj.

Gjersa, “Bota sot” nuk ndalet duke informuar lexuesit, bashkëpunëtorët e kësaj gazete e konsiderojnë atë më madhore pas gazetës së parë “Rilindja”.

Analisti politik, Skënder Zogaj dhe bashkëpunëtor i gazetës “Bota sot”, tash e shumë vite, thotë se “Bota sot” i ka kontribuar fuqishëm lirisë, pavarësisë dhe shtet formimit të Kosovës.

Sipas Zogajt, nëse institucionet shtetërore të pas luftës do të kishin ndjekur dhe zbatuar platformën e “Botës së re”, sot Kosova do të ishte shtet i ngjashëm si Zvicra.

Image
Analisti politik, Skënder Zogaj

“Gazeta "Bota sot" pas gazetës më madhore dhe më të rëndësishme në gjithë historinë e gazetarisë së shtypur shqiptare "Rilindja" nuk ka asnjë fije dyshimi se me fillimin e botimit ka qenë gazeta më e mirë dhe më funksionale në shërbim të fjalës së lirë, mendimit demokratik të modelit evropiano -amerikan, që e ka pasqyruar të vërtetën dhe i ka dalë zot së drejtës, pa anim dhe me argumenti e së vërtetës prosperurse të vendit dhe popullit shqiptar! Prandaj edhe e ka agumentuar epitetin "gazetë gjithëkombëtare". Kam pasur kënaqësinë dhe nderin të isha redaktor i faqeve të kulturës dhe, me krenari e them: "Bota sot" me qëndrimin dhe angazhimin e saj, i ka kontribuar fuqishëm lirisë pavarësisë dhe shtet formimit të Kosovës. Bile-bile sikur institucionet shtetërore të pasluftës në Kosovë të kishin ndjekur dhe zbatuar platformën e "Botës së re" për një varg çështjesh rreth luftimit të dukurive negative, sot Kosova do të ishte shtet i ngjashëm si Zvicra, dhe shumë të liga që sot po i vuajmë, nuk do të kishin ndodhur! Kjo ka qenë gazeta "Bota sot" për shumë vjet, por për hir të së vërtetës më duhet ta them se, nga viti 2015 kursi i "Botës" ka ndryshuar bukur shumë, sidomos në planin politiko - demokratik, ku nuk guxon të ketë vend për ideologjikët anti demoratike, për pikëpamjet e tyre të dëmshme që "Bota sot" i ka luftuar deri në vetësakrifikim dhe i ka paguar shtrenjtë, me jetën e gazetarëve të saj, si Bekim Kastrati e Bardhyl Ajeti e shumë vuajtje të tjera”, shprehet Zogaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat