Don Lush Gjergji “kritika” rreth memories së shqiptarëve: Nuk ka më “mjeshtër” të frymëzuar nga idealizmi dhe atdhedashuria si Teki Dervishi

Politika

Don Lush Gjergji “kritika” rreth memories së shqiptarëve: Nuk ka më “mjeshtër” të frymëzuar nga idealizmi dhe atdhedashuria si Teki Dervishi

Nga: Naile Ejupi Më: 29 qershor 2023 Në ora: 10:00
Prifti i Kishës Katolike të Kosovës, Don Lush Gjergji

Kanë kaluar 12 vjet që nga vdekja e drejtorit të gazetës kombëtare "Bota sot", dramaturgut, shkrimtarit dhe publicistit te shquar, Teki Dervishi.

Me vdekjen e Dervishit Kosova humbi intelektualin më të madh të publicistikës shqiptare dhe ideologun e shqiptarizimit.

Dervishi karakterizohet si intelektual i shquar, njeri me energji të jashtëzakonshme, shkrimtar i jashtëzakonshëm dhe redaktor i përkushtuar.

Prifti i Kishës Katolike të Kosovës, Don Lush Gjergji dhe një ndër personat që e ka njohur për nga afër Teki Dervishin, thotë se njeriu duhet të kujtohet dhe të mos harrohet.

Ai ka kritika për shqiptarët dhe “memorien e shkurtër”, gjersa shton se Dervishi ishte i “pavdekshëm”

“"Memoria perditur" - shqip: po humbet apo po tretet kujtimi apo kujtesa! Si duket, ne Shqiptarët, kemi "memorien e shkurtë", mos të them mbajmë mend shumë gjatë, pothuaj gjithnjë, vetëm të keqen, ndërsa të mirën shumë shpejtë e harrojmë. figurativisht e “qesim pas shpinë”. Përjashtime për mirë ka pak dhe janë mjaft të rralla. Kështu ka ndodhur historikisht me figurat tona madhore, si p. sh. Gjergj Kastrioti - Skenderbeu, pastaj edhe me të tjerët, si Imzot Pjetër Bogdani, Jeronim De Radën, Dr. Ibrahim Rugovën, Shën Nënën Tereze, Adem Jasharin e shumë të tjerë... Përse po ndodhë kjo dhe kështu? Dikush tha: “Jemi bërë shoshë”, e në shoshë nuk mund të mbledhet apo të ruhet uji! Sot njeriu ynë ka pak vlera dhe virtyte, ide dhe ideale, është i "robëruar" nga materializmi, konsumizmi, hedonizmi, relativizmi dhe ateizmi praktik, kështu të "ngopur" me pseudo vlera, nuk ka më vend për vlera të mirëfillta, për figura dhe personaliteti, siç ishte i mirë, i dashuri, i madhi, i "pavdekshmi" Teki Dervishi”, shprehet Gjergji.

Ai thotë se Teki Dervishi i mungon publicistikës shqiptare, kjo pasi sipas tij, është krijuar një mentalitet tjetër dhe ndryshe: egoizmi, egocentrizmi, ku pak njerëz të mendjes dhe të pendës, të shkencës, kulturës dhe artit, të krijimtarisë, merren me çështje historike, kulturore, shpirtërore, me fatin e popullit dhe shtetit.

“Aty -këtu dikush e përkujton në ndonjë përvjetor, prapë me mentalitetin tonë të "dyfytyrësisë": duhet ta përkujtojmë, s'duhet ta harrojmë, nuk bënë më kështu..., prapë në mënyra dhe forma formale. Na mbyti formaliteti, dyfytyrësia, mbi të gjitha pafytyrësia dhe lakmia, që më çdo kusht lypset rrënuar kështu: jo më vetëm duhet, por dua, me krejt qenien dhe personalitetin tonë, me bindje, përcaktim dhe orientim, që domethënë historinë, të kaluarën, koloset tanë t' i kemi gjithnjë në mendje dhe në zemër, si frymëzues dhe orientues për të tashmen dhe të ardhmen tonë. 12 - vjet pa praninë fizike, shkrimet, analizat, zbërthimet profetike të Teki Dervishit. Koha, disa plagë, gjithsesi i mjekon dhe shëron, ndërsa disa tjera, vetëm i keqason... Ai i mungon shumë sot publicistikës shqiptare, sepse tashmë është në krijim apo formim një mentalitet tjetër dhe ndryshe: egoizmi, egocentrizmi, ku pak njerëz të mendjes dhe të pendës, të shkencës, kulturës dhe artit, të krijimtarisë, merren me çështje historike, kulturore, shpirtërore, me fatin e Popullit dhe Shtetit tonë, sipas parimit madhor të Pjetër Bogdanit: "Fati i Popullit tim, është fati im", thekson Gjergji.

Sipas tij, Dervishi ishte “mjeshtër” i frymëzuar nga idealizmi dhe atdhedashuria.

“Shpresojmë dhe urojmë që të "zgjohet" ndërgjegjja e "fjetur" apo "ngarkuar", mos të them e robëruar, me parimin tashmë të njohur dhe bazik: T'i kthehemi vetvetes dhe të vërtetës, sepse përndryshe do të jemi Popull masë, turmë, mori, grumbull, por pa identitet dhe personalitet, pra, me një jetë sipërfaqësore, pa shije dhe pa kënaqësi, lumturi, harmoni me vetveten. me të tjerë, për ne besimtarët, me Zotin. Këta rreshta ndoshta janë të "vrazhdët", për dikë edhe të ashpër, negativ, por unë mendoj që duhet të zgjohemi nga "ëndërrimet" në pikë të ditës, të vetëdijësohemi dhe përcaktohemi për të kaluarën tonë, për të tashmen dhe për të ardhmen. Në këtë fushëveprim i ndjeri Teki Dervishi dhe shumë të tjerë, ishin "mjeshtër", të frymëzuar nga idealizmi dhe atdhedashuria, që konkretisht domethenë nga zbërthimi i gjendje dhe kushteve në të cilat jetojmë dhe veprojmë. Teki Dervishi e gëzoftë paqen, lumturinë, pavdeksinë e amshuar! Pushoftë në Paqe! Na faltë për shumë mangësi dhe zbrazëti në kohën dhe hapësirat tona”, përfundon Gjergji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat