“Skandal i paprecedentë”/ Kërkohet urgjentisht largimi i Joseph Borell dhe Miroslav Lajçak

Politika

“Skandal i paprecedentë”/ Kërkohet urgjentisht largimi i Joseph Borell dhe Miroslav Lajçak

Nga: P.Rudi Më: 30 qershor 2023 Në ora: 18:56
Josep Borrell, Miroslav Lajçak

Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Gani Qarri, në një prononcim për gazetën “Bota sot” i ka quajtur të njëanshëm ndërmjetësuesit e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi, Joseph Borell dhe Miroslav Lajçak.

“Vet fakti se pas paraqitjes së Lajçakut para Komisionit Evropian, me masat që ai dhe Borell pretendojnë të ndërmerren ndaj Kosovës, eurodeputeti holandez Thijs Reuten, iu drejtua atij me pyetjen se pse paralajmërohet vetëm Kosova dhe pse mbi një dekadë, nuk kemi marrë masa edhe ndaj dikujt që eskalimin dhe deeskalimin i ka kthyer në një lloj arti të veprimit, siç vepron Serbia, dëshmon më së miri, se sa të njëanshëm dhe jo evropian, në veprime, janë Borell e Lajçak dhe se çfarë presioni i paprecedent, vazhdon ti bëhet padrejtësisht Qeverisë së vendit tonë, për bosnjëzimin e Kosovës, përmes “zajednicës” ashtu siç këmbëngulë krimineli Vuçiq dhe Serbia hegjemoniste!”, shprehet Qarri.

Sipas tij, Borell në vazhdimësi ka mbajtur qëndrim të hapur pro Serbisë dhe kundër Kosovës.

“Është shumë interesant të ceket, se prej ardhjes së shtetasit spanjoll me prejardhje argjentinaso-baske, Josep Borell në krye të BE-së, ai ka anuar vazhdimisht nga Serbia dhe ka mbajtur qëndrim të hapur injorues deri në kundërshtimin publik kundër Kosovës, duke kërcënuar padrejtësisht se do të ndërmerren edhe masa ndëshkuese, të cilat përveçse janë shumë të padrejta, ato janë edhe të njëanshme e antidemokratike dhe plotësisht në kundërshtim me vlerat evropiane të trajtimit të barabartë të popujve dhe shteteve, që pretendojnë të integrohen dhe bëhen një ditë pjesë e BE-së, ku mëton të hyj edhe Kosova”, thekson Qarru, i cili i quan banale masat e paralajmëruara ndaj shtetit të Kosovës.

“Madje masat e paralajmëruara nga Borell e Lajçak ndaj Kosovës me arsyetimin banal, të kinse mospërfilljes së kërkesave për shtensionim të situatës në veriun e vendit tonë, janë aq banale dhe tërësisht të pamoralshme, sa që të vetëdijshme se tensionet janë shkaktuar nga bandat kriminale serbe dhe grupet paramilitare të dërguara enkas nga Serbia, për ta penguar vendosjen e rendit e të ligjit dhe shtetin e së drejtës, në veri të vendit tonë, e jo nga Kosova, e cila është në territorin dhe të drejtën e vet ligjore e kushtetuese, edhe nga vet shtetet e BE-së, masat nuk po miratohen as futen në fuqi publikisht”, thotë Qarri.

Image
Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Gani Qarri

“Në anën tjetër, përderisa Kosova e vogël, ka rënë shumë më në hall, me opozitën reaksionare dhe koxhabashin kozmopolit në Tiran, Edvin Kristaq Rama, i cili kërkon ta kthej në pikën zero, dhe fut çështjen e Kosovës edhe në një konferencë tjetër ndërkombëtare, gëzon pa masë fakti se përveç eurodeputetit holandez edhe eurodeputetët gjerman, austriak, e nga vende të tjera demokratike evropiane, i bënë kritika të ashpra Borellit dhe vet Mirosllav Lajçakut për njëanshmërinë në emër të BE-së dhe daljen publike në krah Serbisë hegjemoniste”, shton analisti Gani Qarri.

Më tej, Qarri deklaron se me sanksione, Bashkimi Evropian po dëshiron që t’i imponojë kushte Kosovës.

“Duke pasur parasysh edhe faktin, se nuk janë ndërprerë përpjekjet për gjetjen e zgjidhjes së këtij ngërçi, që është vetëm aktual dhe sipas mendimit tim, edhe i pabazuar dhe i krijuar nga keqinterpretimi i qëllimshëm, i implementimit të aneksit të marrëveshjes nga treshja e musketarëve; Borell, Lajçak dhe Eskobar, për imponimin me forcë të asociacionit, si prioritet, e që në marrëveshje ishte në pikën e 7-të, apo të nëntë me radhë, krejt kjo që tani po pretendohet, nuk është drejtësi por-puro imponim ndaj Kosovës dhe akt i padrejtë, të cilin nuk po mund ta kapërdijnë as vet eurodeputetët e Parlamentit Evropian! Prandaj siç po dëshmojnë edhe reagimet e forta të eurodeputetëve kundër njëanshmërisë ekstreme të Borellit e Lajçakut për vendosjen e masave kundër Kosovës, është një pikëpyetje e madhe, nëse vërtetë nga shtetet më të fuqishme të BE-së, si Gjermania do të futen në fuqi masat të tilla, që të rrezikojnë projektet milionëshe të BE-së me Kosovën, përderisa nga vet BE deklarohet se ato nuk kanë për qëllim goditjen e arritjeve ligjore e ekonomike dhe as procesin e integrimit evropian të Kosovës”.

Për fund, Qarri e quan skandaloze sjelljen e Borellit dhe Lajçakut karshi Kosovës, kur dihet mirëfilli se është Serbia ajo që po shkakton tensione në veri të Kosovës.

“Sjellja e Borellit dhe Lajçakut është edhe një skandal i paprecedent, i përmasave të panjohura deri më tani, që me insistimin sistematik të tyre dhe mbështetjen e vijueshme të emisarit Eskobar, të goditet në mënyrë të njëanshme vetëm Kosova dhe ledhatohet Serbia hegjemoniste, shkaktari i të gjitha problemeve e cila ashtu si shprehet edhe eurodeputeti i nderuar holandez Reuten, eskalimin dhe deeskalimin i ka kthyer në “art” të veprimit, që çuditërisht, është përqafuar edhe nga tresha e ndërmjetësueseve musketer ndërkombëtar Borell, Lajçak e Eskobar. Prandaj ka ardhur momenti vendimtar, që nëse as pas këtij akti makaber e të paprecedent, treshja e lartcekur nuk largohen nga misioni i gabuar dhe as BE e SHBA, nuk distancohen nga qëndrimi proserb i të dërguarve të tyre, për ta shpëtuar Kosovën, nga koncesionet e pariparueshme që sjellë bosnjëzimi, përfshi rrezikimi i shtetësisë tonë, për thyerjen e turrit të këtyre musketarëve, duhet të jap dorëheqje Qeveria Kurti dhe qoj vendin në zgjedhje të reja të jashtëzakonshme, pas të cilave nuk do të pranonte më pjesëmarrje në bisedime, pa ndërrimin e ndërmjetësuesve serbofil të BE-së Borell e Lajçak dhe emisarit amerikan Eskobar, që dyshohet se nuk është mjaftuar vetëm me financimin e ekspozitës së të shoqes nga MPJ e Serbisë, por është blerë edhe ai vet nga Serbia”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat