Kadrijaj skeptike për zgjidhjen e situatës në veri: Takimi Kurti-Lajçak nuk dha shpresë

Politika

Kadrijaj skeptike për zgjidhjen e situatës në veri: Takimi Kurti-Lajçak nuk dha shpresë

Nga: Q.R Më: 5 korrik 2023 Në ora: 13:03
Foto nga takimi Kurti-Lajçak

Deputetja nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, vlerëson se nga takimi Kurti-Lajçak nuk është dhënë ndonjë shpresë për zgjidhjen e situatës në veri.

Deputetja Kadrijaj në një prononcim për “Bota sot”, duke e kritikuar Kurtin për prishjen e raporteve me aleatët ndërkombëtar, thotë se veprimet e tij të pa koordinuara dhe të njëanshme po i bëjnë dëm Kosovës.

“Nuk është dhënë ndonjë shpresë sepse në deklaratat që janë bërë nuk është thënë që është arritur ndonjë dakordim. Ndoshta s’kanë qenë shumë optimist, por megjithatë ndoshta është një rrugë që do të gjente një zgjidhje pas gjithë këtij presioni dhe pas masave apo sanksioneve të vendosura për Kosovën, ndoshta do të ketë një zgjidhje që t’i kthehemi normalitetit”, thotë Kadrijaj.

Image
Time Kadrijaj

Tutje ajo thekson se qeveria nuk ka qenë transparente me zhvillimet e fundit.

“Kurti nuk është dashur të vijë deri në një pozicion të tillë fare sepse veprimet e pa koordinuara dhe të njëanshme nuk i bëjnë nderë Kosovës, është hera e parë në historinë e Kosovës qoftë para luftës, gjatë dhe pas luftës që ne i kemi dëmtuar raportet me aleatët tonë ndërkombëtar, sidomos me SHBA-në dhe kemi detyruar miqtë tonë që të vendosin sanksione dhe Kosova të jetë në listën e vendeve që po sanksionohen nga BE-ja. Ne e kemi parë që qeveria nuk ka qenë transparente në raport me të gjitha këto zhvillime, të shohim se si do të rrjedhin ngjarjet në vijim”, thotë ajo.

Edhe deputetja, nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Ariana Musliu-Shoshi, thotë për “Bota sot” se opozita nuk ka informacione rreth diskutimeve që janë zhvilluar dje ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe emisarit të BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Sipas deputetes Musliu-Shoshi, zgjidhja për çështjen e veriut pritet nga Kurti, pasi që, sipas saj kjo është përgjegjësi e tij.

“Ne nuk kemi informacione se çfarë është diskutuar në takim, zgjidhja është përgjegjësi e Kurtit”, deklaron ajo.

Ditën e djeshme, kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me ambasadorin e Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe këshilltarin e tij politik, Jeton Zulfaj, priti në zyrën e tij emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, i cili erdhi për takim së bashku me shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadorin Tomáš Szunyog, dhe bashkëpunëtorët e tij Christian Ramet e Mikko Väyrynen.

Zyra e Kryeministrit ka njoftuar se në fillim të këtij takimi, Kurti potencoi që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe e bëjnë dialogun asimetrik. Në vijim, ai shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim.

Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon asesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Në lidhje me rrugën përpara, Kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikmëri mbështetë procedurat ligjore.

Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet.

Nga ana tjetër, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se tashmë duhen diskutuar hapat konkret në ecurinë e dialogut Kosovë-Serbi.

Para gazetarëve në Prishtinë, Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.

“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Nesër do të jem në Beograd. Dëshira ime është që mos të ketë sanksione për Kosovën dhe Serbinë, por që t’i kemi të dyja palët duke u takuar në Bruksel dhe të negociojnë se si të implementohet marrëveshja e muajit shkurt Marrëveshja e Ohrit”, tha Lajçak.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat