Kusari-Lila: Raportet e Kurtit me Ramën janë të lënduara, por jo të parikuperueshme

Politika

Kusari-Lila: Raportet e Kurtit me Ramën janë të lënduara, por jo të parikuperueshme

Nga: Q.R. Më: 7 korrik 2023 Në ora: 11:47
Albin Kurti, Edi Rama

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari- Lila, vlerëson se refuzimi i Kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, për t’u takuar me Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, nuk mund të ndikoj në prishjen e raporteve ndërmjet dy vendeve.

Kusari-Lila në një prononcim për “Bota sot”, thotë se anulimi i mbledhjes së dy qeverive nga kryeministri Rama ka lënduar raportin e palëve, por që siç thekson ajo, nuk është i parikuperueshëm.

“Raportet Kosovë- Shqipëri nuk mund të lëndohen, raporti ynë është i një kombi, prandaj Kosova dhe Shqipëria kanë me mbet gjithmonë me një lidhje të pa shmangshme. Ne kemi bërë publike reagimet tona në raport me disa iniciativa qe kanë qenë të dëmshme në raport me Kosovën, për shembull anulimi i mbledhjes së dy qeverive ka lënduar raportin, por nuk besoj që është i parikuperueshëm”, deklaron ajo.

Image
Mimoza Kusari-Lila

Sa i përket masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, ajo thotë se janë të padrejta, pasi që Serbia është ajo që ka thyer shumë marrëveshje dhe jo Kosova.

“Masat të pa drejta për Kosovën, Serbia është pala konfliktuoze dhe jo ne”, thotë ajo.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dje ka vizituar Kosovën, pas zhvillimeve të fundit në vend dhe anulimit të mbledhjes së përbashkët të dy qeverive.

Kjo ishte vizita e tij e parë në Kosovë, pas 14 qershorit, kur Rama anuloi mbledhjen e përbashkët të dy qeverive me arsyetimin se në rrethana të veriut të tensionuar dhe zhvillimeve në Kosovë nuk ka arsye të mbahet.

Nga ana tjetër, Kurti refuzoi takimin me Edi Ramën. 

I pyetur nga gazetarët për ardhjen e Ramës në Kosovë, Kurti ka thënë se kryeministrin e Shqipërisë do ta takojë vetëm nëse mbahet mbledhja e dy qeverive, për takime tjera jo.

“Unë e konsideroj të arsyeshme një mbledhje të përbashkët të dy qeverive, por jo takime të tjera”, tha ai.

Kurti ka propozuar Ramës që të mbajnë mbledhjen e dy qeverive që sipas Kurtit “u anulua pa arsye”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat