Paralajmëroi “hapjen e frontit të vdekjes” në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë”!/ Drashkoviqit i vjen një kundërpërgjigje

Politika

Paralajmëroi “hapjen e frontit të vdekjes” në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë”!/ Drashkoviqit i vjen një kundërpërgjigje

Nga: M.Lakna Më: 31 korrik 2023 Në ora: 19:55
Foto ilustrim

Hapja e një “fronti të vdekjes” në Ballkan e në veçanti në Kosovë dhe Bosnje-Hercegovinë “është synimi strategjik i Moskës”, ka thënë ish-zyrtari i lartë i shtetit serb, Vuk Drashkoviq, duke folur në një intervistë të gjatë për gazetën malazeze “Pobjeda”.

“Kush, në urdhra të kujt po sulmon ushtarët e KFOR-it dhe po shkruan germën ‘Z’ mbi veturat e tyrer, simbolin e vdekjes në Ukrainë – në urdhra të lujt çohet Mitropoliti i Malit të zi dhe thotë Mali i Zi është ‘Ukrainë e vogël’”.

Drashkoviq nuk lë pa identifikuar edhe një “fajtor” për gjendjen e ngrirë në Ballkanin Perëndimor, teksa pretendon se ajo është ish-kancelarja gjermane Angela Merkel.

“Ka ndikuar shumë”, i thotë ai medias malazeze.

Doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi duke komentuar deklaratat e ish ministrit serb, ka thënë se është e disata herë që ky i fundit bën deklarata objektive dhe analiza të paanshme lidhur me ngjarjet në Kosovë dhe raportet Kosovë-Serbi.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Por, sipas tij, Drashkoviqi nuk duhet t’i besohet përderisa ai nuk shprehet për aktet kriminale të qeverisë së Millosheviqit ku ai bënte pjesë.

“Ai ishte ministër i Punëve të Jashtme i qeverisë së Milosheviçit njëherë e një kohë dhe natyrshëm nuk duhet besuar derisa shkrimtari Drashkoviç të shprehet edhe për akte kriminale të qeverisë së asaj kohe, të cilat mbahen sekret ende sot. Ndoshta edhe ka frikë. Ne nuk e dimë”, thotë profesori.

Megjithatë, Dr. Bytyçi e konsideron si paralajmërim për bashkësinë ndërkombëtare deklaratën e Drashkoviqit, duke thënë se një konflikt në Kosovë do ta sillte Evropën në situatë lufte.

“Megjithatë deklarata e tij e fundit është paralajmërim për Bashkësinë Ndërkombëtare, BE-në dhe SHBA-në. Një konflikt në Kosovë do ta sillte Evropën në situatë lufte. Madje do ta shpërbënte atë. Prandaj është interes i Evropës të shmangë me çdo kusht e me çdo mjet politik e diplomatik atë që Drashkoviç e quan “hapje e frontit të vdekjes”! Një konflikt në Kosovë, sipas logjikës sime, është gjithashtu shpërbërje e Serbisë së sotme. Sepse në fund të luftës bilancin do ta bëjnë SHBA-të dhe Turqia. Rusia e Serbia do të ishin humbësit më të mëdhenj. Ndërsa pas tyre do të shkërmoqej Evropa e pa zonja për t’u koordinuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, Procesi i Berlinit si nismë e ish Kancelares Angela Merkel, krijoi stabilokracinë nëpërmjet të cilës Gjermania dhe shtetet e tjera, toleruan në ekstrem “liderët autoritarë dhe arrogantë të Ballkanit, përfshirë Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramën”.

“Është shumë e vërtetë gjithashtu ajo çfarë thotë Vuk Drashkoviç sa i përket “stabilokracisë” së Angela Merkel. Kancelarja Merkel ka luajtur rol vendimtar në këtë aksiomë. Procesi I Berlinit ishte instrument për të krijuar një lloj stabilokracie. Dhe në emër të stabilitetit ajo dhe qeveritë e tjera, përfshirë SHBA-të, toleruan në ekstrem liderët autoritarë dhe arrogantë të Ballkanit, përfshirë Aleksandër Vuçiç dhe Edi Ramën. Por, arroganca është mjet dhe mënyrë destabilizimi. Se si mundi zonja Merkel të besojë se me liderë të tillë do të garantonte stabilitet, paqe e siguri në Ballkanin Perëndimor, kjo është e pashpjegueshme.

Megjithatë, unë do të doja të jepja një arsyetim. Gjithçka që ndodh në këtë ballkonin evropian që quhet Ballkan Perëndimor ka si shkak mungesën e unitetit dhe konsensusit të vendeve të Bashkimit Europian. Këto vende nuk po bien dakord plotësisht e pa mëdyshje as në qëndrimet që duhen mbajtur ndaj Rusisë agresore në Ukrainë, jo më në rastin e zgjidhjes së konfliktit Kosovë-Serbi, apo konflikteve të tjera të hapura si në BH, por edhe në Mal të Zi e në Maqedoninë e Veriut. E vetmja mënyrë që ajo ka arsyetuar si premisë të paqes ka qenë objektivi për stabilokraci. Mendja e Merkel ka funksionuar idealisht, që përmes stabilokracisë të shkojë te zgjidhja. Dhe ajo u përpoq. Ishte kjo përpjekje dhe presioni I saj që çmontoi aktivitetin e strukturave paralele të Serbisë në veriun e Kosovës, struktura që në kushtet e parimit të stabilokracisë u riorganizuan në formën kriminale që shohim sot”, ka potencuar ai.

Dr. Bytyçi tutje shton se, sa kohë që Evropa nuk flet dhe nuk vendos me një zë të përbashkët, aq kohë do të jetë e dështuar në zgjidhjet e saj për të vendosur rregullin evropian në çdo vend evropian.

“Ballkani Perëndimor mbetet më problematiku. Ka një dialog midis Kosovës e Serbisë. Por edhe këtu, për shkak të rregullit dhe kërkesës vetëm për stabilokraci, u sollën si interlokutorë dy diplomatë nga dy vende që nuk e njohin Kosovën shtet Sovran e të pavarur, përkatësisht Lajçak dhe Borrell. Edhe kjo strukturë ndërmjetësimi i dialogut u diktua nga “nevoja për stabilitet”, d.m.th për ekuilibër midis interesave serbe në Kosovë dhe shtetësisë së Kosovës, midis pranisë evropianë dhe interesit rus në rajon.”, nënvizon ai.

Ai thotë se veprimet radikale dhe ekstremiste të Serbisë kishin nevojë që në fillim për angazhime me politika radikale për zgjidhje nga ana e Bashkimit Evropian dhe sidomos Gjermanisë.

“Po si do të bëhej kjo, kur Franca vazhdimisht mban anën e Serbisë kundër zgjidhjeve të tilla?! Atëherë do të ishte e nevojshme që të ishte e pranishme diplomacia amerikane, e cila nuk mund të konsiderohet si e munguar. Por sërishmi nuk mjafton as kjo. Duhet veprim i guximshëm i Brukselit. Pavendosmëria e BE-së është shkaku kryesor I ndonjë konflikti ose fronti të ri në Kosovë, si rezultat i një agresioni të Serbisë të mbështetur fillimisht nga Ëagner, por edhe nga ushtria ruse. Kjo do t’i krijonte avantazh të madh Rusisë në agresioni e saj kundër Ukrainës. Sepse do të tërhiqte vëmendjen e vendeve perëndimore në një vatër të re, akoma më të rrezikshme për kontinentin evropian”, shprehet Bytyçi.

Megjithatë, sipas tij, nëse NATO është e vetëdijshme dhe e vendosur, e bashkuar dhe unike, atëherë vështirë se mund të kemi një konflikt të tillë.

“Zjarrvënësit, në këtë rast Serbia dhe Rusia, do të kuptonin qartë se në rastin e angazhimit të NATO-s sipas autorizimit që jep Rezoluta 1244 e OKB-së, do të ishin plotësisht të dështuar. Serbia nuk mund të hyjë në një aventurë të tillë, sepse pasojat e një aventure të ngjashme i ka provuar jo larg në kohë”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat