Vrasjet që po tronditin Kosovën nuk po ndalen, “zbulohen” shkaktarët

Politika

Vrasjet që po tronditin Kosovën nuk po ndalen, “zbulohen” shkaktarët

Nga: Naile Ejupi Më: 10 gusht 2023 Në ora: 14:48
Pamje nga vendi i vrasjes

Muaji gusht nuk i ka filluar “mbarë” Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Java e parë e këtij muaji u shënua me një sërë ngjarjesh të rënda. Tre persona mbetën të vrarë e disa të plagosur nga të shtënat me armë në tri raste të ndryshme.

Të premten e 4 gushtit, Kosova u trondit nga një vrasje që ndodhi në lokalin “Bon Vivant”, e ku të plagosur mbetën edhe dhjetëra persona.

Incidenti në qendër të kryeqytetit, sipas policisë, erdhi pas një mosmarrëveshjeje mes disa personave.

Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) konfirmoi vdekjen e një burri 39-vjeçar, si pasojë e plagëve të rënda, teksa të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetën.

Prokuroria bëri të ditur se të gjithë të dyshuarit për rastin kishin të kaluar kriminale.

Deri tani policia e Kosovës ka arrestuar 3 persona që dyshohet se janë të përfshirë në rast, ndërsa një është në kërkim.

Tri ditë më pas, një vrasje po ashtu në një lokal ndodhi në Klinë, ku një person u qëllua për vdekje. Viktima u dërgua me plagë të rënda në QKMF të Klinës, ndërsa nga aty është transferuar në Spitalin e Pejës ku është konstatuar vdekja e tij.

Policia tashmë ka shpallur në kërkim Tush Frrokun, si i dyshuar për vrasjen. Ai kishte qenë i akuzuar edhe për raste të tjera më parë.

Sipas Policisë, i dyshuari për vrasje gjatë arratisjes nën kërcënimin e armës ka grabitur veturën nga një qytetar dhe është larguar në drejtim të Gurrakocit. Vetura është gjetur më pas e braktisur në fshatin Kosh të Istogut. I njëjti vazhdon të jetë në arrati.

Rasti i fundit ndodhi pas mesnate në Runik të Skenderajit, ku një person u vra dhe tre të tjerë u plagosën pas të shtënave me armë zjarri në një kafiteri.

Siç ka bërë të ditur policia, nga hetimet e para dhe këqyrja e vendit të ngjarjes, dyshohet se dy persona të dyshuar e të maskuar kanë hyrë brenda në kafiteri kanë shtënë me armë dhe janë larguar në drejtim të panjohur. Në cilësi të provave materiale në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe konfiskuar disa gëzhoja.

Nga intensiva në QKUK ka bërë të ditur se njëri nga të plagosurit në incidentin në Runik të Skenderajit është në gjendje më të rëndë nga lëndimi që ka marrë nga arma e zjarrit në regjionin e gjurit dhe për këtë arsye pas një intervenimi kirurgjik është dashur t’i amputohet këmba.

Rreth këtyre vrasjeve dhe shkaktarëve, Armend Halimi, nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS thotë se sundimi i rendit dhe ligjit lë për të dëshiruar në Kosovë.

Sipas tij, nëse do të funksiononin institucionet, atëherë nuk do t’iu vinte rendi qytetarëve t’i zgjidhin mos marrëveshjet në mënyrë primitive.

“Kosova vazhdon të sfidohet me vrasjet, të cilat kanë kaluar në dukuri. Në fakt përgjatë gjithë viteve kjo dukuri ka qene shqetësuese në vendin tonë, por që këtë vit kanë shënuar ngritje. Po të shohim karakteristikat e vrasjeve, që ndodhin për motive të ndryshme, edhe mund të përmendim disa nga shkaktarët. Në radhë të parë duhet vë në dukje sundimin e rendit dhe ligjit, i cili lë të dëshirohet, ngase po të ishin efikase siç kërkohet prej tyre konformë obligimeve ligjore institucionet e rendit dhe drejtësisë, nuk do i vije rendi qytetarëve t’i zgjidhin mos marrëveshjet në mënyrë primitive, siç është me anë të armëve”, shprehet Halimi.

Image
Armend Halimi

Ai përmend disa nga shkaktarët pse rriten vrasjet në Kosovë, gjersa shton se mungesa e masave sensibilizuese dhe represive për dorëzim të armëve bën që kjo dukuri të jetë në trend në vendin tonë.

“Mos puna e gjykatave në trajtimin me kohë të kontesteve të ngritura, bën që qytetarët të marrin gjyqësinë në dorë, gjë që i bën të dëshpëruar dhe të mos i besojnë drejtësisë. Dihet tani me që ka lëndë që presin me dakada të marrin epilogun në gjykatat tona. Mandej, edhe ato raste që trajtohen përfundojnë me masa të lehta ndëshkuese. Pos këtyre, mungesa e punës operative me strategji konkrete të policisë, një prej tyre, policia e komuniteteve, e cila parashihet të jetë me afër qytetarëve për çdo nevojë e shqetësim. Po të ia shtojmë këtyre, edhe numrin e madh të armeëe pa leje në duart e qytetarëve, mungesa e masave sensibilizuese dhe represive për dorëzim të armëve bën që kjo dukuri të jetë në trend në vendin tonë”, shton Halimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat