Analisti politik paralajmëron njohje të reja për Kosovën: Ka shpresë se do të ketë lëvizje politike!

Politika

Analisti politik paralajmëron njohje të reja për Kosovën: Ka shpresë se do të ketë lëvizje politike!

Nga: Q.R Më: 10 gusht 2023 Në ora: 18:57
Kosova

Analisti politik, Arbnor Sadiku, thotë se letra e Ligjvënësve evropianë dhe amerikanë drejtuar Brukselit zyrtar dhe Uashingtonit, është një fije shprese se diçka do të lëviz në kuptimin e njohjeve të reja për Kosovën.

Ai në një prononcim për “Bota sot”, konsideron se ardhja e një njohje nga Ukraina për Kosovën është shumë e rëndësishme, pasi që siç thotë ai, Ukraina sot është sinonim i të mirës, liberales dhe demokracisë.

“Është një fije shprese se diçka do të lëviz më në fund në kuptimin e njohjeve të reja për Kosovën, sepse në situatën ku ndodhet bota sot aspekti gjeo-politik dhe gjeo-strategjik, i bie se ardhja e një njohje nga Ukraina për Kosovën do të thoshte sikurse ardhja e mesias për Izraelitet në kohet e hershme, apo shekuj më parë, sepse Ukraina sot është sinonim i të mirës, liberales, demokracisë, kundruall të keqës, autoritares, jo liberales, dhe agresionit Rus në Evropë, dhe me gjerë”, deklaron ai.

Image
Arbnor Sadiku

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi si zhvillim pozitiv dërgimin e letrës nga dhjetëra ligjvënës amerikanë e evropianë te zyrtarët e lartë në Bruksel, Uashington e Londër, përmes së cilës u kërkua ndryshimi i qasjes ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë së Kosovës, Kurti tha se nënshkruesit e letrës shprehën mbështetjen e tyre për Kosovën dhe kërkuan qasje më të ashpër ndaj Serbisë “dhe rrezikut që veprimet e saj paraqesin për rajonin tonë”.

“Ne u jemi falënderues të gjithë përfaqësuesve politikë që i janë bashkuar kësaj thirrjeje të përbashkët, e mirëpresim secilin nënshkrim dhe mbështetje të radhës. Ky lloj i mbështetjes na e përforcon përkushtimin tonë për shtensionim të plotë të situatës në katër komunat në veri të Kosovës, angazhimin për demokraci dhe bindjen për ligjshmëri dhe kushtetutshmëri”, tha Kurti.

Në fillim të kësaj jave, deputetja britanike Alicia Kearns, publikoi letrën, të cilën sipas saj e kanë nënshkruar dhjetë kryetarë të komiteteve për punë të jashtme dhe 56 deputetë.

Kjo letër iu dërgua shefit të diplomacisë të bllokut evropian, Josep Borrell, kryediplomatit amerikan, Antony Blinken, dhe atij britanik James Cleverly.

Në letër u tha se “Kosova është përballur me pasoja të mëdha pas përpjekjeve të kryetarëve që të hyjnë në zyrat e tyre në veri të Kosovës”.

Tensionet në veri të Kosovës janë rritur që nga fundi i majit, pasi kryetarët e rinj shqiptarë, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaiviqit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat