Ku ka përfunduar Marrëveshja e Ohrit? LDK e AAK kritikojnë Kurtin, Hovenier tregon kërkesat e SHBA-së!

Politika

Ku ka përfunduar Marrëveshja e Ohrit? LDK e AAK kritikojnë Kurtin, Hovenier tregon kërkesat e SHBA-së!

Më: 16 gusht 2023 Në ora: 19:10
Takimi i Ohrit, 18 mars 2023

Zhvillimet në veri të vendit kanë vendosur në plan të dytë marrëveshjen e Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thonë dy partitë opozitare, LDK dhe AAK. Sipas tyre, kjo marrëveshje është valide dhe duhet të insistohet për zbatimin e saj pas de-eskalimit të plotë në veri dhe largimit të masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës.

Nga ana tjetër, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në një takim me gazetarët në Prishtinë ka theksuar se kërkesat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë për Qeverinë e Kosovës nuk kanë të bëjnë aspak me presion.

Ai e ka cilësuar si objektivë strategjike zbatimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

“Jemi të shqetësuar sa i përket situatës në veri të Kosovës dhe i kemi kërkuar Qeverisë të marrë masa. I kemi kërkuar edhe Qeverisë së Serbisë të marrë masa për të arritur shtensionim në veri të Kosovës. Ne duam të shmangim trazira, kërcënime të dhunës, dhe gjëra të tjera të cilat pengojnë aftësinë tonë për të punuar me palët për t’u fokusuar në objektivat strategjike, që është zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit, nga të dyja palët”, ka theksuar ai.

Krasniqi: Kurti të dakordohet me BE dhe ShBA dhe të dalim nga kjo situatë e vështirë që jemi futur

Image
Rezarta Krasniqi

Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, thotë se marrëveshja e Ohrit vlen, pasi që e ka pranuar kryeministri Albin Kurti. Por, sipas saj, Kurti përmes situatës në veri bëri që qytetarët e Kosovës të mos e kuptojnë që në atë marrëveshje është edhe Zajednica.

Sipas saj, Kurti duhet të dakordohet me ShBA dhe BE për ta larguar vendin nga kjo situatë e vështirë.

“Po ajo marrëveshje është valide. Janë dokorduar, marrëveshja vlen dhe atë marrëveshje e ka pranuar vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Por, tjetër është që ky me aventurat e tij në pjesën veriore, bëri çka bëri në mënyrë që qytetarët e Kosovës të mos e kuptojnë që në atë marrëveshje është edhe Zajednica, ajo që dikur Kurti e ka gjuajtur Kuvendin me gaz lotsjellës e ka bërë protesta të dhunshme. Duhet që Kurti të dakordohet me BE dhe ShBA dhe të dalim nga kjo situatë e vështirë që jemi futur”, thotë ajo për gazetën “Bota sot”.

Kadrijaj: Kurti i ka pranuar të gjitha

Image
Time Kadriaj

Nga ana tjetër, deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, vlerëson se pas kësaj marrëveshje kryeministri Kurti, e ka pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të cilat janë arritur në Bruksel.

Sipas saj, Kurti nuk ka vepruar në koordinim me ndërkombëtaret dhe se akoma vendi po i vuan pasojat e marrëveshjes së targave dhe tani po përballemi edhe me sanksione nga BE.

“Pas kësaj marrëveshje, Kurti i ka pranuar të gjitha, e ka pranuar zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të cilat janë arritur në Bruksel. Nuk është çudi sepse gjithmonë ndoshta duke parë presionin publik, që ka pasuar me ngjarjet që kanë ndodhur në veri të vendit, ndërhyrjet e pakoordinuara të Policisë, vendosja e kryetarëve të komunave në objektet e qeverisë, ku faktori ndërkombëtar ka kërkuar që funksionin e tyre të mos ta ushtrojnë prej objekteve dhe tash ju e dini që kërkesa e ndërkombëtarëve ka qenë për de-eskalim të situatës, në fillim Kurti nuk është pajtuar dhe si pasoj e kësaj Kosova është sanksionuar nga BE. Kurti në fakt i ka pranuar kushtet për de-eskalim të situatës, por kanë ngel në fuqi akoma sanksionet, njëjtë ka ndodhur edhe atëherë me marrëveshjen e targave, ku ka qenë pa dakordim me miqtë ndërkombëtarë. U kthyem prej asaj marrëveshje, ndërkohë ende po i bartim pasojat e implementimit të saj”, deklaron ajo për gazetën “Bota sot”.

Më 27 shkurt në Bruskel është arritur marrëveshja bazë Kosovë-Serbi, ndërkaq më 18 mars në Ohër të Maqedonisë së Veriut është dakorduar për aneksin e zbatimit të saj.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Marrëveshja e arritur me Serbinë për normalizim të marrëdhënieve mes dy vendeve, duhet të zbatohet saktë dhe shpejt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat