Tha se nuk e mbështesin ‘Shqipërinë e Madhe’ / Nela i reagon Hovenier-it: Kjo është e vetmja gjë që e kërkon Kosova nga Serbia!

Politika

Tha se nuk e mbështesin ‘Shqipërinë e Madhe’ / Nela i reagon Hovenier-it: Kjo është e vetmja gjë që e kërkon Kosova nga Serbia!

Nga: M.Lakna Më: 16 gusht 2023 Në ora: 23:42
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, të mërkurën në një takim me gazetarët në Prishtinë ka theksuar se kërkesat që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë për Qeverinë e Kosovës nuk kanë të bëjnë aspak me presion. Sipas tij, Kosova, megjithatë, nuk do të mund t’i vazhdojë proceset integruese pa bërë përparim në dialogun me Serbinë.

“Kosova nuk do të mund të bëhet anëtare e BE-së; Kosova nuk do të jetë në gjendje të tejkalojë Partneritetin për Paqe për t’u bërë anëtare e NATO-s, dy synimet themelore që SHBA-ja pret që ajo t’i realizojë, pa bërë përparim në dialogun e lehtësuar nga BE-ja”, ka deklaruar Hovenier.

Hovenier, ka theksuar se kërkesat nga Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tjerë janë legjitime, duke marrë parasysh mbështetjen që SHBA-ja i ka dhënë shtetit të Kosovës dhe se një nga synimet më të mëdha strategjike është që Kosova të zërë vendin e saj në strukturat evropiane dhe euroatlantike”.

Këto deklarata për gazetën “Bota sot” i komentoi publicisti Milaim Nela.

Kështu, ai konsideron se ambasadori amerikan flet me retorikën e Serbisë dhe se presioni mbi Kosovën është absurd, i padrejtë dhe mbi viktimën në vend që të ishte mbi agresorin!

Image
Milaim Nela

“Ambasadori Amerikan Jeff Hovenier flet me retorikën Serbe!

Një nga kushtet për heqjen e sanksioneve ai sheh zhvillimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës!

A thua se Kosova ju tha serbëve që të tërhiqen nga zyrat!?

A thua se Kosova është pëgjegjëse që komuniteti serb në 4 komunat e përtej Ibrit nuk mori pjesë në zgjedhjet e pjesshme edhe ashtu të shtyra me kërkesën e SHBA-së!

Kusht për Kosovën - thotë Hovenier - është vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi e SHBA nuk do pranojnē as Shqiperi të Madhe (dhe këtë e thekson të parën!) e as Serbi të Madhe!

Presioni mbi Kosovën është absurd, i padrejtë dhe mbi viktimën në vend që të ishte mbi agresorin!”, u shpreh ai.

Publicisti Nela tha se Hovenier, SHBA dhe BE pikësëpari duhet t’i bëjnë presion Serbisë ta njohë Kosovën si shtet i pavarur e pastaj të flasin për dialog!

Mes tjerash ambasadori Hovenier tha se vendet e rajonit duhet të përqendrohen në përmbushjen e kritereve të nevojshme në rrugën evropiane duke intensifikuar pajtimin rajonal si dhe raportet e mira fqinjësore.

Ai u shpreh se SHBA nuk e mbështet as “Shqipërinë e Madhe” dhe as “Serbinë e Madhe”.

E termi “Shqipëri e Madhe”, Nela rikutoi se nuk është i shqiptarëve por i Akademisë serbe të shkencave.

“Nuk ka dialog mes një shteti agresor dhe palës të cilën ata nuk e njohin!

Dikush duhet t’i thotë Hovenierit që termi "Shqiperi e Madhe" nuk është i shqiptarëve por ka dalë nga akademia serbe e shkencave.

Shqiptarët kurrë gjatë historisë së tyre mijëra vjeçare në këto troje nuk kanë sulmuar dikënd, por veç kanë lëshuar terren për interesa gjeopolitike të fuqive të mëdha dhe të fqinjëve agresorë!

Kurrë nga goja e shqiptarëve nuk është artikuluar termi Shqiperi e Madhe sepse edhe në kufijtë e vitit 1865 Shqiperia nuk është e madhe po thjesht normale.

Shqiptaret e Kosovës nuk po kërkojnë kufijtë e atëhershëm, por thjesht që Serbia të njohë kufijtë që Kosova kishte kur ishte pjesë konstituive e Federatës Jugosllave dhe të njohur ndërkombëtarisht më 17 Shkurt 2008. Kaq”, potencoi ai.

Në fund, Nela nënvizoi se Hovenier SHBA dhe zyrtarët e BE-së duhet të mbështesin qeverinë e Kosovës të vendosë rend dhe ligj në çdo pjesë të shtetit të Kosovës, përfshirë edhe veriun e saj e mbi të gjitha të ua bëjnë tē qartë serbëve të Kosovës se shteti i tyre nuk është Serbia por Kosova!

Ata duhet të ju a bëjnë të qartë kristal serbëve të Kosovēs që Kryeministri dhe presidenti i tyre nuk janë Brnabiç dhe Vuçiç por Albin Kurti dhe Vjosa Osmani”, përfundoi publicisti Nela.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat