LVV optimiste se masat ndëshkuese do të largohen në shtator, opozita e akuzon për izolim të Kosovës

Politika

LVV optimiste se masat ndëshkuese do të largohen në shtator, opozita e akuzon për izolim të Kosovës

Nga: Qendresa Rexhaj Më: 17 gusht 2023 Në ora: 18:03
Kuvendi i Kosovës

Janë bërë gati dy muaj që kur Kosova është nën masat ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, për shkak të vendimit që kryetarët e zgjedhur në veri të ushtrojnë mandatin në objektet komunale.

Rexhaj: Masat janë të padrejta

Në partinë në pushtet, Lëvizjen Vetëvendosje janë optimist se masat ndëshkuese do të largohen në shtator. Deputeti i mazhorancës, Arbër Rexhaj, thotë se masat janë të padrejta dhe si të tilla duhet të largohen domosdoshmërish.

Image
Arbër Rexhaj

“Në shtator kryeministri i Kosovës Albin Kurti në vazhdimësi ka kërkuar që këto masa të largohen, sepse janë të padrejta për Kosovës dhe sigurisht unë pres aspekt pozitiv në këtë rast”, thotë deputeti Rexhaj për Botasot.

Krasniqi: Qeveria e Kosovës është e barabartë me atë të Putinit

Nga ana tjetër, deputetja nga radhët e LDK-së, Rrezarta Krasniqi, kritikon Qeverinë Kurti për izolim të Kosovës.

Sipas saj, është shqetësues fakti që për herë të parë Qeveria e Kosovës është e barabartë me atë të Putinit, dy vendet janë nën sanksione nga BE.

Image
Rrezarta Krasniqi

“Kemi një qeverisje e cila vendin më pro-perëndimor e ka izoluar nga vendet dhe miqtë tanë perëndimor që kemi. Sot ne dhe Rusia jemi në sanksione, pra qeveria e Kurtit dhe Putini janë në sanksione nga BE, deri ku ka ardhur qeveria e republikës së Kosovës. Për herë të parë Qeveria e Kosovës është e barabartë me atë të Putinit, është shqetësuese për vendin”, thotë ajo për Botasot.

Kadrijaj: Kjo qeveri nuk ka ndonjë vizion të qartë si udhëhiqet

Ndërsa, deputetja nga radhët e AAK-së, Time Kadrijaj, thotë se si pasoj e mospajtimit të Kurtit me kërkesat e ndërkombëtarëve, jemi të sanksionuar nga BE.

Sipas saj, njëjtë ka vepruar edhe me marrëveshjen e targave, nga e cila vendi akoma po i vuan pasojat.

Image
Time Kadrijaj

“Albin Kurti në fillim nuk është pajtuar me kërkesën e ndërkombëtarëve, si pasojë e të cilës tani jemi të sanksionuar nga Bashkimi Evropian. Njëjtë ka ndodhur edhe atëherë me marrëveshjen e targave, ku ende po i bartim pasojat. Kjo qeveri nuk ka ndonjë vizion të qartë si udhëhiqet, mos të flasim tash për aferat korruptive të njëpasnjëshme. Nuk e di çfarë kredibiliteti ka më kjo qeveri”, deklaron Kadrijaj për Botasot.

BE-ja i vuri masa të karakterit politik e ekonomik Kosovës, pasi Qeveria refuzoi që t’i heqë menjëherë kryetarët e komunave të veriut nga zyrat dhe policinë nga dhe përreth ndërtesave komunale.

Si erdhëm sanksionet?

Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së komisioneve të përbashkëta në mes të BE-së dhe Kosovës, të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, mosdërgimi i ftesave zyrtarëve të Kosovës për takime të nivelit të lartë, suspendimi i vizitave bilaterale, me përjashtim të atyre që kanë për qëllim fokusimin në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Pjesë e sanksioneve janë edhe pezullimi i programit të IPA 2024 për Kosovën dhe mosshqyrtimi i projekteve në kuadër të Kornizës së Investimeve për Ballkanin Perëndimor.

Bashkimi Evropian u ka paraqitur tri kërkesa Kosovës dhe Serbisë për të shtensionuar situatën, të cilat ende nuk janë plotësuar.

Kosovës i është kërkuar që menjëherë të pezullojë operacionet policore në afërsi të ndërtesave komunale në veri dhe që katër kryetarët komunalë përkohësisht të ushtrojnë detyrat e tyre në objekte alternative; Serbisë i është kërkuar të sigurojë që protestuesit të tërhiqen nga ndërtesat komunale paralelisht me tërheqjen e Policisë së Kosovës; dhe të dyja shteteve u është kërkuar shpallja e zgjedhjeve të parakohshme lokale, sa më shpejt që të jetë e mundur, në katër komunat në veri të Kosovës, me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të serbëve të Kosovës në to.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja që nga fundi i qershorit po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, por jo edhe ndaj Serbisë.

Kryeministri Kurti i ka quajtur këto masa “të padrejta” dhe është shprehur i gatshëm të organizohen zgjedhje të reja në veri, por ato, siç ka thënë ai, duhet të përgatiten që të mos ketë sërish bojkot.

Kryetarët e rinj në komunat veriore u zgjodhën më 23 prill në votimet që u bojkotuan nga popullata dhe partitë serbe.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat