Dorëheqjet e policëve të rinj serbë, eksperti i sigurisë “zbulon” planin “e rrezikshëm” të Serbisë

Politika

Dorëheqjet e policëve të rinj serbë, eksperti i sigurisë “zbulon” planin “e rrezikshëm” të Serbisë

Nga: Naile Ejupi Më: 18 gusht 2023 Në ora: 08:06
Policia

Filluan punën në korrik të këtij vitit, por disa të rinj serbë dhanë dorëheqje nga policia e Kosovës të enjten.

Dorëheqja e tyre është parë shqetësuese nga ndërkombëtarët.

Shefi i Misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, Giovanni Pietro Barbano, u shpreh i shqetësuar me njoftimin, duke shtuar se EULEX-i po i ndjek nga afër këto zhvillime shqetësuese, shkroi si duke theksuar se:

“Përbërja e policisë duhet të pasqyrojë dhe përfaqësojë shoqërinë të cilës i shërbejnë dhe e mbrojnë”.

Të njëjtin qëndrim ndan edhe ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, i cili duke shpërndarë postimin e shefit të EULEX-it, ritheksoi siç tha “përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës.

E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po i ndjekim nga afër këto zhvillime”, shkroi ai.

Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, John Rohde u “pajtua plotësisht”, duke shtuar se secili grup etnik duhet të jetë në gjendje të kryejë detyrën pa frikë.

“Një vend shumetnik kërkon një polici shumetnike. Të gjithë pjesëtarët e policisë së Kosovës - pa marrë parasysh se cilit grup etnik i përkasin - duhet të jenë në gjendje të kryejnë detyrat e tyre pa frikë”, theksoi ai.

Gjersa, policia e Kosovës nuk pati ndonjë konfirmim për dorëheqjet pjesëtarëve të rinj të policisë, pjesë e një grupi prej 46 pjesëtarëve nga radhët e komunitetit serb, eksperti i sigurisë Drizan Shala, thotë se kërcënimi ndaj zyrtarëve policorë serbë është i rrezikshëm.

Sipas tij, politika aktuale serbe dëshiron që në pjesën veriore të mos ketë uniform të shtetit të Kosovës.

“Veprimet, presioni, kërcënimi si dhe shantazhi ndaj zyrtarëve policorë të komunitetit serb është një precedant i rrezikshëm, sepse kështu po krijohet hapësira pastaj për manipulim politikë të këtij komunitetit nga pala serbe. Politika aktuale serbe është që në pjesën veriore apriori mos të ketë uniforme policore të shtetit të Kosovës, por situata të mbetet në fazën e status qous e cila është në interes të politikës së Beogradit zyrtar”, deklaron Shala.

Ai ka kërkuar që institucionet politike t’i mbështesin zyrtarët në mënyrë që të mos dëmtohet institucioni i sigurisë në atë pjesë.

“Institucionet politike do të duhej t'i mbështesin këta zyrtarë në çdo format që mos të dëmtohet tutje institucioni i sigurisë së vendit në atë pjesë, duke lënë hapësirë pastaj për interpretim diplomatik e cila është në një luftë të jashtëzakonshme në raport me Kosovën”, thekson eksperti.

Image
Drizan Shala

Kujtojmë se pjesëtarët e rinj të policisë filluan punën mes tensioneve në veri të Kosovës, të cilat u rritën në fund të muajit maj pasi kryetarët shqiptarë të komunave veriore morën detyrën.

Disa prej emrave të të rinjve janë përmendur në rrjetet sociale në gjuhën serbe dhe janë sulmuar e kërcënuar për përfshirje në radhët e policisë së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat