Kjo është rëndësia e vizitës së Kurtit në Greqi, Haziri tregon nëse do të ketë njohje nga shteti grek

Politika

Kjo është rëndësia e vizitës së Kurtit në Greqi, Haziri tregon nëse do të ketë njohje nga shteti grek

Nga: N.E. Më: 19 gusht 2023 Në ora: 16:00
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, të hënën do të udhëtojë për në Greqi, me ftestë të kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis.

Mitsotakis do të mirëpresë liderët e Ballkanit Perëndimor, për të diskutuar rreth ardhmërisë evropiane të rajonit të Ballkanit.

Kryeministri grek ka ftuar Kurtin, por edhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiqin, por nuk ka ftuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën që sipas raportimeve marrëdhëniet ndërmjet Tiranës dhe Athinës janë tensionuar për shkak të arrestimit të kryetarit të zgjedhur të bashkësisë së Himarës, Fredi Beleri.

Gjersa, raportet Athinë- Tiranë konsiderohen në “tension”, të njëjtën gjë nuk mund ta themi edhe për me Kosovën.

Kujtojmë, se vizita e së hënës për Kurtin vjen menjëherë pas një muaji, ku kryeministri qëndroi në Greqi duke marrë pjesë në edicionin e 25-të të Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.

Analisti politik, Nexhat Haziri, vizitën e Kurtit e konsideron të një rëndësie të madhe.

Sipas tij, Kosova në Greqi e ka mundësinë që të diskutojë me liderët nga shtetet perëndimore anëtare të BE-së për heqjen e masave.

Image
Analisti politik, Nexhat Haziri

“Nisma e kryeministrit Mitsotakis për të ftuar të hënën liderët e Ballkanit Perëndimor, pra edhe kryeministrin Kurti dhe vendeve anëtare të BE-së në Mansionin Maximos për një darkë joformale diskutimi mbi zgjerimin dhe të ardhmen evropiane të rajonit, është një nisme me të cilën Greqia po dëshiron që ta ruajë pozicionin dhe njëkohësisht ta forcojë atë të liderit rajonal. Pjesëmarrja e kryeministrit Kurti është e rëndësisë së madhe pasi gjatë kësaj darke ai përveç që mund ta konfirmojë përkushtimin e Kosovës për ta vazhduar agjendën e integrimeve evropiane, ai po ashtu mund ta shfrytëzojë edhe për diskutime me liderët nga shtete perëndimore anëtare të BE-së për heqjen e masave ndëshkuese për Kosovën të cilat tani po hyjnë në fundin e muajit të dytë që kur u vendosën këto masa”, shprehet Haziri.

Greqia është një prej pesë shteteve të Bashkimit Evropian që ende nuk e ka njohur Kosovën, por ky shtet ka Zyrën e saj ndërlidhëse në Prishtinë.

Pyetur nëse takimet e vizitat e Kurtit mund të ndikojnë në njohjen nga Greqia, analisti Haziri, thotë se njohja është peng i dialogut me Serbinë.

Sipas tij, kriza e fundit në veri të Kosovës ka stopuar procesin.

“Sa i përket njohjes nga Greqia, aktualisht nuk ka ndonjë veprim konkret në këtë drejtim dhe nuk pres që të ketë edhe në të ardhmen e afërt edhe pse një disponim i përgjithshëm ekziston. Por njohja nga Greqia dhe në përgjithësi nga pesëshja mos njohëse e shteteve të BE-së, është peng i procesit të dialogut me Serbinë dhe mungesa e një marrëveshje në mes dy shteteve fqinje, Kosovës dhe Serbisë, e marrëveshje kjo e cila do të hapte mundësinë e njohjes së Kosovës nga Greqia, por edhe nga shtete të tjera mos njohëse të BE-së. Po ashtu procesin e njohjes nga Greqia e ka stopuar edhe kriza e fundit, që fatkeqësisht po vazhdon në veri të Kosovës”, shton Haziri.

Pas Greqisë, kryeministri Kurti do të udhëtojë drejt Sllovenisë më 28 dhe 29 gusht për të marrë pjesë në “Bled Strategic Forum”.

Këtë e kanë konfirmuar organizatorët në faqen e tyre zyrtare.

“Albin Kurti, kryeministër i Kosovës, do t’i bashkohet Forumit Strategjik të Bled më 28 dhe 29 gusht 2023 në Bled të Sllovenisë”, thuhet në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat