Zbardhen prapaskenat e dorëheqjeve të policëve serbë në veri, vjen thirrja urgjente për Kosovën - ja plani i shërbimeve sekrete serbe

Politika

Zbardhen prapaskenat e dorëheqjeve të policëve serbë në veri, vjen thirrja urgjente për Kosovën - ja plani i shërbimeve sekrete serbe

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 gusht 2023 Në ora: 20:15
Policia

Shtetet e Bashkuara dhe misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX) kanë shprehur shqetësim, pasi thanë se tre pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës kanë dhënë dorëheqje.

Kanë filluar sërish dorëheqjet e serbëve nga institucionet e Kosovës, kësaj radhe dhanë dorëheqje disa pjesëtarë serbë të Policisë së Kosovës.

Pjesëtarët e rinj të policisë filluan punën mes tensioneve në veri të Kosovës të cilat u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.

Ndaj këtyre dorëheqjeve reaguan Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe EULEX, të cilët shprehën shqetësim për këtë gjë.

Për këtë kishte reagime edhe nga ambasadorët e huaj në Kosovë, ku thanë se po i ndjekin të shqetësuar këto zhvillime, derisa përmenden edhe frikën e zyrtarëve policorë serbë për të ushtruar detyrat e tyre.

Kjo dorëheqje e zyrtarëve policorë serbë po lidhet me ndikimin e Beogradit në komunitetin serb në Kosovës, derisa po përmenden edhe shantazhe dhe kërcënime.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani shkroi se “dorëheqja e policëve të komunitetit serb është rezultat i drejtpërdrejtë i kërcënimeve dhe frikësimeve të vazhdueshme nga Serbia, një dëshmi se politikat e saj vazhdojnë të pasqyrojnë taktikat e (Slobodan) Millosheviqit”.

Elezi: Vërtet ishte një hap i mirë i Policisë së Kosovës që kishte arritur të rekrutojë këta zyrtarë policorë nga komuniteti serb

Image
Bedri Elezi

 

E për këtë çështje në një prononcim për “Bota sot” foli eksperti i sigurisë, Bedri Elezi.

Fillimisht, ai u shpreh se ndodhi ajo që ishte paralajmëruar edhe më parë, ku shërbimet sekrete serbe dhe ruse kanosën 45 zyrtarë policorë të Kosovës nga komuniteti serb, të cilët ishin bërë pjesë e gjeneratës së fundit të Policisë së Kosovës.

“Fatkeqësisht ndodhi ashtu siç ne kishim paralajmëruar, madje kishim shumë shqetësime që Beogradi zyrtar përmes strukturave të saj  të sigurisë, përkatësisht përmes shërbimeve sekrete siç janë: shërbimet inteligjente ushtarake she ato civile, pra përmes BIA-s dhe mbështetur nga shërbimet sekrete ruse GRU dhe FSB, do të ushtronin aktivitete të rrezikshme, përkatësisht do të mund që të kanosnin apo shantazhonin 45 zyrtarë policorë të Kosovës nga komuniteti serb, të cilët ishin bërë pjesë e gjeneratës së fundit të Policisë së Kosovës”, deklaroi ai.

Po ashtu, Elezi e vlerësoi si një arritje të Policisë së Kosovës rekrutimin e zyrtarëve policorë nga komuniteti serb, pasi që në këtë mënyrë do të kishim mundësi që ta tejkalonim ndikimin e Beogradit te qytetarët serbë që jetojnë në vendin tonë.

“Vërtet ishte një hap i mirë i Policisë së Kosovës që kishte arritur të rekrutojë këta zyrtarë policorë nga komuniteti serb, sepsë të njëjtit do të kishin mundësinë të jepnin kontributin e tyre duket i ofruar siguri qytetarëve serbë në katër komunat veriore, ku siç e dimë se që nga nëntori i vitit të kaluar situata e sigurisë atje është e brishtë. Madje, ka pasur në vazhdimësi paralajmërime për aktivitete të cilat do të cenonin jo vetëm sigurinë e veriut, por të gjithë sigurinë e Republikës së Kosovës apo edhe më gjerë.

Fakti që ne do të kishim një trup të re policore në kuadër të Policisë së Kosovës në komunitetit serb, nënkuptonte që ne do kishim mundësi tejkalimin e ndikimeve të Beogradit zyrtar tek komuniteti serb në atë pjesë. Po ashtu, do kishim mundësi që ta integronim veriun e Kosovës, fillimisht përmes veprimeve siç është rektrutimi i Policës së Kosovës dhe më pas strukturave tjera, atyre të drejtësisë dhe prokurorisë, siç janë gjykata dhe prokuroria, por që në fakt kemi këto probleme që tani vetëm kanë filluar dorëheqjet”, nënvizoi eksperti i sigurisë.

Krahas kësaj, ai paralajmëroi se në bazë të disa informacioneve do ketë dorëheqje më të mëdha të policëve serbë që punojnë për Policinë e Kosovës.

“Në fakt, sipas asaj që kemi parë në media dyshohet se tanimë kanë dhënë dorëheqje tre zyrtarë policorë nga komuniteti serb, por që sipas disa informacioneve që ne kemi numri i zyrtarëve policorë serbë që kanë dhënë dorëheqje mund të jetë më i madh se kaq. Madje, pritet që në ditët në vazhdim të ketë edhe dorëheqje të tjera”.

Vlen të theksohet se ambasadori amerikan në Prishtinë Jeff Hovenier, ritheksoi siç tha “përkushtimin tonë për një forcë policore shumetnike të Kosovës. E kam thënë disa herë, Policia e Kosovës ekziston për t’iu shërbyer të gjitha komuniteteve në Kosovë dhe që zyrtarët policorë të jenë në gjendje të kryejnë punën e tyre të lirë dhe pa frikësim. Po i ndjekim nga afër këto zhvillime”, shkroi ai.

Nga ana tjetër, eksperti i sigurisë, Bedri Elezi tha se këto dorëheqje erdhën si pasojë e formave të ndryshme të presionit që shërbimet sekrete serbo-ruse po ua bëjnë zyrtarëve policorë serbë.

“Këto dorëheqje, sigurisht se po vijnë nga kanosjet, shantazhet si dhe format e tjera të presionit të bëra nga strukturat siç përmenda edhe më parë, të shërbimeve sekrete serbe të cilat mbështet nga shërbimet ruse dhe të cilat veprojnë që një kohë të gjatë në veriun e Mitrovicës.

Duhet përmendur edhe një gjë shumë me rëndësi, ndoshta edhe vetë Qeveria e Kosovës kishte shkaktuar frikë te qytetarët e Republikës së Kosovës duke shpallur organizata terroriste, të cilat veprojnë në atë pjesë dhe kështu ndoshta kishte lartësuar fuqinë apo kishte krijuar frikë te qytetarët për një fuqi të organizatave terroriste dhe më të drejt ndoshta familjarët e zyrtarëve policorë apo vetë zyrtarët policorë mund të konsiderohet të kërcënuar apo rrezikuar dhe të njëjti me siguri kanë zgjedhur që të bien në dakord me kërkesat që iu janë bërë nga këto organizata terroriste në veri dhe po ashtu strukturave tjera kriminale  apo shërbimeve sekrete që veprojnë në atë pjesë”, theksoi ai.

Më tej, eksperti i sigurisë, kërkoi nga Kosova që ta shfrytëzojnë këtë rast dhe të organizojë takime me ndërkombëtarët, pasi dihet se këta të fundit i kundërshtuan qëndrimet e institucioneve tona për zhvillimet në veri.

“Institucionet e Republikës së Kosovës duhet shfrytëzojnë këtë rast për të ushtruar komunikime, takime të vazhdueshme me faktorin ndërkombëtarë, sidomos me KFOR-in dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po ashtu edhe Bashkimin Evropian të cilët në vazhdimësi kanë qenë mund të themi të ashpër sa i përket qëndrimeve të tyre në raport me qëndrimet e institucioneve të Kosovës, Pasi të njëjtit kanë thënë që duke tentuar insitituionet e Kosovës të zbatojnë vendime qeverisë do të ushtronin presion apo do të provonin mundësinë që qytetarët serbë të organizohen në krahun tjetër dhe të njëjtit mund të kontrollohen nga shërbimet sekrete serbo-ruse për të eskaluar situatën e sigurisë në vend.

Duke marrë në konsideratë këto veprime, atëherë mendoj që institucionet e Republikës së Kosovës në këtë rast mund të riorganizohen bashkë me faktorin ndërkombëtarë për të ofruar siguri për pjesëtarët e policisë së Kosovës, të cilët janë nga komunitet serb dhe jetojnë në zona të tjera ku jetojnë komunitet serbë për të i garantuar siguri të gjithë qytetarëve  serbë të cilët mund të jenë të kanosur shantazhuar dhe po ashtu mund të jenë të rrezikuar vërtet nga këto veprime kriminale të këtyre strukturave”, shpjegoi ai.

Në fund, shtoi se ky është një rast shumë i mirë që institucionet tona të bashkëveprojnë me ndërkombëtarët dhe t’i vendosin para drejtësisë grupet që janë shantazhuar policët nga komuniteti serb.

“Prandaj, mund të them se është një rast i volitshëm që institucionet tona të kërkojnë nga forcat ndërkombëtarë në Republikën e Kosovës që ne bashkëveprim të marrin veprime konkrete për t’iu ofruar siguri këtyre pjesëtarëve policorë nga komuniteti serb, të cilët ishin rekrutar në gjeneratën e fundit dhe me këtë rast të vendosin para drejtësisë të gjithë ata persona apo grupe të cilët kanë arritur të kanosin apo shantazhojnë këta zyrtarë policorë”, përfundoi Bedri Elezi për “Bota sot”.

Ndër të tjera, kujtojmë se Qeveria e Kosovës është pajtuar për hapat e uljes së tensioneve, duke përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe duke bërë veprime për t’u hapur rrugë zgjedhjeve të parakohshme.

Halimi: Përkundër vullnetit të mirë të Kosovës për integrim të serbëve në institucione, ky proces ka qenë përherë sfidues

Image
Armend Halimi

Kurse, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë ISS, integrimin e serbëve në institucionet tona e vlerësoi si një proces shumë të vështirë.

Ai në një prononcim për “Bota sot” tha dhe sfida më e madhe është në institucionet e sigurisë.

“Përkundër vullnetit të mirë të Kosovës për integrim të serbëve në institucione, ky proces ka qenë përherë sfidues, përveç refuzimit të tyre edhe për arsye tjera, ndër to edhe nga frika e qytetarëve serbë nga kërcënimet e Serbisë apo njerëzve të saj në Kosovë.

Mirëpo, sfida është akoma më e madhe kur bëhet fjalë për institucione të sigurisë, ngase për nga natyra këto institucione, siç është policia kanë punë të ndjeshme për interesat vitale të shtetit”, deklaroi Halimi.

Gjithashtu, hodhi dyshime se pjesëtarët serbë edhe mund ta shfrytëzojnë si mundësi certifikimin nga Kosova dhe njohurit e tyre t’i përdorin për shërbime ndaj organeve paralele serbe.

“Mirëpo, dorëheqjet nga Policia konsideroj se përveç arsyeve më lartë të cekura, duhet parë edhe me sy dyshimi që involvimi në trajnim dhe certifikim mund të bëhet për arsye të marrjes së njohurive profesionale policore, për t’u dorëhequr pastaj dhe të njëjtit t’iu shërbejnë organeve paralele serbe”, përmbylli Armend Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat