Ish-zëvendësministri “godet” pushtetarët e pasluftës dhe opozitarët për veriun, zbulon pse ia kanë frikën e madhe Kurtit

Politika

Ish-zëvendësministri “godet” pushtetarët e pasluftës dhe opozitarët për veriun, zbulon pse ia kanë frikën e madhe Kurtit

Nga: A.Zh Më: 20 gusht 2023 Në ora: 10:01
Albin Kurti

Çështja e veriut të Kosovës vazhdon të jetë një nga temat më të nxehta politike në vend.

Pas tensioneve të muajve të fundit, ish-zëvendësministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Hajrullah Tërnava, vlerëson se situata në këtë pjesë po vazhdon të komplikohet.

Duke folur për gazetën “Bota sot”, eksperti i çështjeve të sigurisë, ka kritikuar ish-pushtetarët për temën e veriut, duke i akuzuar ata se gati ia patën dhënë veriun e Kosovës, Serbisë.

Image
Hajrullah Tërnava

“Situata në veri të Mitrovicës qysh nga çlirimi e deri më tani, po vazhdon të komplikohet edhe më shumë në vazhdimësi, sepse udhëheqësit e Kosovës të pasluftës e deri sa erdhi Kurti në pushtet, gati i kishin kryer bisedimet dhe e kishin dhënë pëlqimin që veriu t’i bashkangjitej Serbisë”, ka thënë Tërnava.

Por, sipas tij, situata ndryshoi me ardhjen e Albin Kurtit në postin e kryeministrit të Kosovës.

“Me ardhjen e Albin Kurtit në pushtet, ku i fitoi votat mbi 50% e si shkak i fitimit të atyre votave ishte edhe çështja e veriut, ku elektorati i të gjitha partive u zhgënjye në prijësit e partiakëve të tyre dhe me të madhe u kthyen në VV, dhe Albini duke i pasur parasysh këto pikëpamje, është interesuar ta mbrojë sovranitetin e Kosovës po në ata kufij të Kushtetutës së vitit 1974, ku edhe sot qëndrojnë ta kufij, dhe sikur u pa para disa ditëve konflikti i shkaktuar në mbrojtje të sovranitetit të Kosovës, e që në mbrojtje të territorit të Kosovës është KFOR-i si pjesë përbërëse e NATO-s”, është shprehur më tej Tërnava.

Ai ka përmendur edhe insistimin e kryeministrit Kurti, që të mos zbatohen marrëveshjet e “dëmshme” për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, të nënshkruara nga Hashim Thaçi e Isa Mustafa.

“Serbia me bisedimet e prijësve të mëparshëm që e pat arritur marrëveshjen e Asociacionit qysh kur ishte Hashim Thaçi kryeministër në vitin 2013 dhe në vitin 2015 po atë marrëveshje e pati nënshkruar Isa Mustafa si kryeministër, dhe nga ato nënshkrime me kompetenca jashtë kushtetuese tani Kosovës po i bëjnë dëme të paparapara, ku tani Kurti me këmbëngulje po insiston që mos të jetësohen ato marrëveshje, por të bëhet një marrëveshje e Asociacionit, i ngjajshëm me atë të Kroacisë, që është në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës”.

Tërnava poashtu ka kritikuar ashpër edhe opozitarët në Kosovës, duke thënë se ata po frikësohen se Kurti do t’jua konfiskojë pasurinë e “arritur sa ishin në pushtet”.

“Serbia po i kundërshton këto pikëpamje dhe në favor të kësaj çështjeje, po i shkojnë qëndrimet edhe të opozitës së Kosovës, e cila po kundërshton qëndrimin e Kurtit, sepse te opozitarët është një frikë e pranishme se ata janë pasuruar skajshmërisht sa ishin në pushtet. Prandaj, Kurtit ia kanë frikën se do t’ua konfiskojë ato pasuri dhe do të përndiqen për ato vepra kriminale”, ka shtuar eksperti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat