Ende nën sanksionet e BE-së/ Analistët japin “parashikim” jo të mirë për Kosovën

Politika

Ende nën sanksionet e BE-së/ Analistët japin “parashikim” jo të mirë për Kosovën

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 20 gusht 2023 Në ora: 18:04
Flamuj të Kosovës të vendosur para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Fotografi nga arkivi.

Kishin hyrë në fuqi që nga 28 qershori, por masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian ndaj Kosovës vazhdojnë të mbesin në fuqi.

Përkundër që në fillim u vendosën si masa të përkohshme, Bashkimi Evropian kërkon nga Kosova që t’i përmbushë të gjitha kërkesat e Brukselit të pashtruar në komunikatën e 3 qershorit.

Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë me gazetarë në Bruksel, ka thënë të enjten se Kosova duhet t’i tërheqë të gjitha forcat policore nga ndërtesat komunale, t’i largojë kryetarët e komunave nga këto ndërtesa dhe mundësojë veprimtarinë e tyre nga objektet alternative si dhe shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat në veri, me pjesëmarrjen e serbëve lokal.

Stano konfirmoi se BE mirëpriti marrëveshjen a korrikut të arritur në Bratislavë në mes të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit evropian për dialog Miroslav Lajçak por pranoi se kjo nuk mjafton për heqjen e masave të cilat janë vendosur në mes të muajit qershor.

Analistët politikë thonë se masat e vendosura do të përdoren nga BE mjet presioni për Kosovën. Sipas tyre Kosova duhet t’i marrë parasysh me të vërtetë kërkesat e BE-së, ndryshe masat mund të shtohen ose të rëndohen.

Xani: Masat, të lehta për t’u vendosur, të vështira për t’u hequr

Analisti politik Visar Xani, thotë se çështja e masave është një proces që nuk lidhet me zhvillimet në vend.

Image
Visar Xani

Sipas tij, çdo negociatë që bëhet me Brukselin ka për qëllim rikthimin e procesit të dialogut.

“Çështja e masave ndaj Kosovës nuk është një proces që ndërlidhet shumë me zhvillimet që janë duke ndodhur në këtë vend, për shkak se ato masa ndoshta kanë qenë më të lehta për t’u vendosur, por shumë e vështirë për t’u hequr, prandaj çdo negociatë që bëhet me Brukselin është që për qëllim të rikthimit në procesin e dialogimit dhe për të vazhduar procesin përpara”, shprehet Xani.

Masat e vendosura për Kosovën pas situatës në veri, nuk ishin vendosur edhe për Serbinë.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, ka thënë të premten se sanksione nga Gjermania dhe Franca janë afër dhe se pas përshkallëzimit në veri të Kosovës, e kanë ftuar kancelari gjerman Olaf Scholz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, dhe siç ka deklaruar “ata kanë qenë shumë i zemëruar” në atë takim sepse i kanë ofruar diçka që dukej “e pamundur”.

“Serbët nuk kanë dashur të marrin pjesë në zgjedhje, unë i kam mbështetur, dhe ata kanë thënë kushti është që serbët të marrin pjesë në këto zgjedhje”, ka thënë Vuçiq.

Në anën tjetër, analisti Xani thotë se pret që masa të ngjashme të vendosen edhe ndaj Serbisë.

Sipas tij, masat e ndërmarra nuk janë veprime që hiqen brenda ditës, apo vendosen brenda ditës.

“Besoj se BE-ja këto masat do t’i përdor si mekanizëm presioni ndaj Kosovën për të ardhmen me qëllim që të bind sa më shpejt që të pranohen marrëveshjet dhe të ketë rezultate në dialog. Pres një gjë të tillë të ndodh edhe ndaj Serbisë, të ketë masa të ngjashme, pra nga fundi i vitit kur do të ketë një dinamikë më të shpejtë të dialogimit dhe këto masa do të hiqen vetëm kur të kemi një rezultat konkret të dialogimit, të kemi një marrëveshje finale që pastaj do të zbatohet. Pra, masat që janë marrë nuk janë veprime, që hiqen brenda ditës, apo vendosen brenda ditës, por janë kalkulimet strategjike që përdoren nga ndërkombëtarë si mjet presioni dhe si mjet mbikëqyrje në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit”, pohon Xani.

Ndaj masave ndëshkuese të martën ka folur edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila thotë se kanë qenë plotësisht jo-proporcionale me veprimet e institucioneve të Kosovës.

Përgjatë një vizite në Komunën e Dragashit, Osmani ka vlerësuar se masat e kanë dëmtuar procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga blloku evropian.

“Nuk është përgjigje e cila e nxit bashkëpunimin dhe koordinimin, përkundrazi është përgjigje e cila më së shumti i bën dëm procesit të dialogut dhe e vendos atë komplet jashtë binarëve në të cilët do të duhej të ishte, ku të dyja palët do të duhej të trajtoheshin në mënyrë të barabartë”.

Zogaj: Qeveria Kurti duhet të mos hezitojë por, ta kuptojë seriozitetin e BE-së

Ndërsa, analisti politik Skënder Zogaj, thotë se qëndrimi i BE-së është definitiv dhe i pandryshueshëm.

Image
Skënder Zogaj

Sipas tij, Kosova duhet të jetë pjesë funksionale e të gjitha projekteve dhe detyrave strategjike të BE-së.

“BE-ja ka qenë vazhdimisht shumë e qartë dhe decidive: Kosova duhet të funksionojë si shtet ligjor dhe të realizojë obligimet kushtetuese ndaj qytetarëve të saj dhe të jashtme, në mënyrë që Bashkësia ndërkombëtare të mund të përmbush detyrat e saj monitoruese dhe ndërmjetësuese në kontekstin e përmbushjes së kushteve për integrim në BE! Ky qëndrim i BE-së, është definitiv dhe i pandryshueshëm, prandaj, kot diskutohet, nuk ka asnjë lloj mundësie të anashkalohet e aq më pak të ndryshohet! Shkurt e trup: Kosova duhet jetë pjesë funksionale e të gjitha projekteve dhe detyrave strategjike të BE-s. Rezultat i mos përmbushjes së këtyre kërkesave Kosovës iu vunë masat, me plot arsye!”, nënvizon Zogaj.

Sipas tij, nëse dikush nënvlerëson seriozitetin e kërkesës së BE-së për masat, sanksionet mund të shtohen dhe rëndohen.

“Kush mendon ndryshe e ka gabim dhe nuk ia do të mirën Kosovës! Qeveria Kurti duhet të mos hezitojë por, ta kuptojë seriozitetin e BE-s, e cila ka detyra më të rëndësishme se Kosova dhe, nuk ka kohë që ta lus Kosovën. Peter Stano, Lajçak e të gjithë miqtë tanë po e kërkojnë me insistim duke treguar se nuk ka heqje të sanksioneve pa përmbushjen e të gjitha kërkesave të Brukseslit. Nëse dikush nënvlerëson seriozitetin e kërkesës e ka gabim sepse, sanksionet mund të shtohen dhe rëndohen dhe, pasojat mund të jenë tragjike! Kryeministri Kurti nuk duhet të ndikohet nga disa qëndrime sharlatanë të disa zyrtarëve të lartë rreth tij, të cilët ose vërtetë janë tepër të paditur, ose janë qëllim-këqij dhe dalin me deklarata që, i shkojnë në disfavor platformës kryeministrore, e cila sa e kam analizuar unë, Kosovën e sheh pjesë të partneritetit me BE-në dhe SHBA-të, nga të cilat Kosova duhet të kërkoj siguri vetëm për mbrojtjen e sovranitetit shtetëror dhe territorial. Për të tjerat duhet të punojmë dhe të bazohemi në vetvete!”, shton Zogaj.

Masat e vendosura për Kosovën më 28 qershor janë pezullimi i punës së organeve të MSA-së dhe programi i fondeve IPA.

“Kemi pezulluar përkohësisht punën e organeve të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Kosova gjithashtu nuk do të ftohet në ngjarje të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre të fokusuara në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Programimi i fondeve për Kosovën në kuadër të ushtrimit programor IPA 2024 është vënë gjithashtu në pritje”.

“Propozimet e paraqitura nga Kosova në kuadër të Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (ËBIF) nuk janë dorëzuar për shqyrtim në Bordin e ËBIF më 29-30 qershor. Komisioni ka njoftuar autoritetet e Kosovës më 28 qershor”, thuhet në përgjigjen e një zëdhënësi të BE-së.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat