“Tmerrohet Vuçiq”, zbardhen detaje pas dorëheqjeve të policëve serbë – ja roli i BIA-s serbe!

Politika

“Tmerrohet Vuçiq”, zbardhen detaje pas dorëheqjeve të policëve serbë – ja roli i BIA-s serbe!

Nga: A.M. Më: 20 gusht 2023 Në ora: 22:05
Aleksandar Vuçiq

Së fundi, disa pjesëtarë të policisë së Kosovës nga radhët e komunitetit serb kanë dhënë dorëheqje, rreth një muaj nga fillimi i punës.

Kjo ka nxitur reagime të mëdha, jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë.

Ndërkomëbtarët i kanë kritikuar ashpër këto dorëheqje duke thënë se janë të shqetësuar me këto vendime.

Kujtojmë se, pjesëtarët e rinj të policisë filluan punën mes tensioneve në veri të Kosovës të cilat u rritën në fund të muajit maj kur kryetarët shqiptarë të komunave veriore të Kosovës, morën detyrën me mbështetjen e policisë pas zgjedhjeve lokale të muajit prill të cilat u bojkotuan nga serbët.

Bazuar në këto, ka dyshime të forta se këto dorëheqje po ndodhin pas presionit dhë kërcënimeve që Beogradi zyrtar po ushtron ndaj tyre.

Opinionisti Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot” komentoi këto dorëheqje të policëve nga komuniteti serb.

Fillimisht, ai u shpreh se vetë pjesëmarrja e disa serbëve në konkurset e Policisë së Kosovës, dëshmon se ka qytetarë serbë në veri që nuk mbështetin qëndrimet e Listës Serbe.

“Vetë paraqitja e disa serbëve lokalë në veri, në konkursin për t'u pranuar në shërbimin e Policisë së Kosovës si dhe pranimi i detyrës së policit në këtë shërbim, dëshmon qartë se një pjesë e komunitetit serb në veri nuk është më dakord me qëndrimet e Listës serbe për vazhdimin e bojkotimit të organeve shtetërore të Kosovës, dhe kjo do duhej të ishte hap inkurajues drejt shtensionimit të situatës së komplikuar në veri.

Kjo për faktin, sepse pa integrimin dhe inkuadrimin e minoritetit serb në institucionet e shtetit të pavarur të Republikës së Kosovës, është vështirë të thuhet se situata e sigurisë dhe stabiliteti politik në veri mund të arrihet vetëm me dialog”, deklaroi opinionisti.

Image
Opinionisti Rexhep Elezaj

Po ashtu, Elezaj potencoi se Beogradi po tmerrohet nga fakti se ka serbë në veri që po ndryshojnë qëndrimet dhe po e pranojnë faktin se Kosova është e pavarur.

Sipas tij, për këtë shkak shteti serb po ushtron presione dhe kërcënime përmes agjëntëve të BIA-s ndaj policëve serbë, e që më pas këta të fundit u detyruan të japin dorëheqje.

“Prandaj, duke e parë se qëndrimi i serbëve lokalë në veri po ndryshon në favor të pranimit nga ana e tyre, të faktit se Kosova është shtet sovran dhe i pavarur, dhe se rruga më e mirë për ta dhe familjet e tyre është inkuadrimi në organet shtetërore të Kosovës, duke e parë se serbët në veri të Kosovës janë lëkundur sado pak nga qëndrimet e tyre raciste dhe armiqësore ndaj Kosovës dhe shqiptarëve, Beogradi zyrtar, i tmerruar nga këto sjellje të një numri jo të vogël të serbëve në veri, ende pa e filluar mirë punën e policit, ata do detyrohen që të japin dorëheqje për shkak të presionit dhe kërcënimeve që ua kanë bërë agjentët e BIA-së si dhe individë nga Lista serbe, me urdhër të Beogradit.

Se, policët serbë të dorëhequr ditëve të fundit nga detyrat e policit të SHPK-së, të cilat detyra sapo i kishin marrë, ka folur publikisht edhe ministri për Kthim dhe Komunitete pranë qeverisë së Kosovës, z. Nenad Rashiq, i cili publikisht ka pohuar se policët në fjalë, kanë dhënë dorëheqje për shkak të kërcënimeve që u janë bërë nga ana e Beogradit përmes shërbëtorëve të tij në Kosovë”, theksoi ai.

Krahas kësaj, opinionisti tregoi se si duhet të veprojnë institucionet e Kosovës në këto raste, kur ka dorëheqje.

“Ndërsa, lidhur me pyetjen tuaj, se çfarë masash duhet ndërmarrë për parandalimin e këtyre dorëheqjeve, mendoj se qeveria e Kosovës nuk mund të ndërmerr kurrfarë masash, ngase serbët në veri të Kosovës përveç se gjatë gjithë kohës kanë qenë të manipuluar nga Lista serbe dhe Beogradi zyrtar, ata serbë të cilët kanë bashkëpunuar me organet e shtetit të Kosovës janë shpallur tradhtarë të kauzës serbe, siç kanë qenë të kërcënuar me jetë, shumë prej të cilëve iu janë djegur makinat, u janë mbyllur lokalet ose kanë ngelur pa punë”, nënvizoi Elezaj.

Ndër të tjera, tha se duke marrë parasysh këto zhvillime Kosova duhet të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar, dhe t’ua bëjë me dije atyre se shteti serb qëndron prapa destabilizimit të situatës në veri.

“Po ashtu, mendoj se as SHBA-ja dhe as BE-ja nuk mund të bëjnë ndonjë veprim për ta ndaluar dorëheqjen e policëve serbë, ngase shantazhet ndaj serbëve që pranojnë të punësohen në institucionet e Republikës së Kosovës bëhen në mënyrë shumë perfide, ku ndërhyrja e faktorëve ndërkombëtarë është gati e pamundur. Por, gjëja më kryesore të cilën duhet ta bëjnë shërbimet përkatëse të qeverisë së Kosovës, është puna me faktorët ndërkombëtarë për t'ua bërë të ditur, se kush qëndron pas kërcënimeve ndaj policëve serbë që duan të punojnë në SHPK, duke e identifikuar faktin, se shkaktari kryesor dhe i vetëm i destabilizimit të situatës në veri të Kosovës, është Beogradi zyrtar në krye me vet presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe askush tjetër”, përfundoi Rexhep Elezaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat