A mund ta bllokojë situata në veri anëtarësimin e Kosovës në KiE? Njohësit japin ‘parashikime’ jo të mira

Politika

A mund ta bllokojë situata në veri anëtarësimin e Kosovës në KiE? Njohësit japin ‘parashikime’ jo të mira

Më: 21 gusht 2023 Në ora: 18:27
Logoja e Këshillit të Evropës. Fotografi nga arkivi.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshill të Evropës mund të zvarritet për shkak të situatës në veri dhe masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, thonë njohësit e rrethanave politike.

Dinamika e procesit të normalizimit Kosovë-Serbi

Pas kalimit të fazës së parë të anëtarësimit në Këshill të Evropës, Profesori universitar, Arben Fetoshi, thotë se kjo çështje varet edhe nga dinamika e procesit të normalizimit Kosovë-Serbi.

Image
Arben Fetoshi

Sipas tij, jo vetëm në rastin e anëtarësimin në KiE, por marrëveshja për normalizim vazhdon të jetë kusht për avancimin e Kosovës në planin ndërkombëtar.

“Progresi në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit pashmangshëm ndikon dhe kjo lidhet fillimisht me shtensionimin në veri. Përveç anës procedurale që lidhen me vlerësime të ekspertëve dhe raportuesve të Asamblesë Parlamentare, hapat drejt anëtarësimit do të diktohen nga vullneti politik i shteteve anëtare të KiE-së, të cilat e miratuan aplikimin si reflektim të marrëveshjes së arritur Kosovë-Serbi. Pra, krahas pengesave në fushën e zbatimit të ligjit e të drejtave të njeriut siç është vendimi për rastin e Manastirit të Deçanit, zhvillimet sa i përket lirisë së medieve apo gjendja te komunitetet pakicë, anëtarësimi do të varet edhe nga dinamika e procesit të normalizimit Kosovë-Serbi. Jo vetëm në rastin e Këshillit të Evropës, por marrëveshja për normalizim vazhdon të jetë kusht për avancimin e Kosovës në planin ndërkombëtar, për shkak të implikimeve nga pesë shtetet mos njohëse të BE-së”, deklaron ai.

2/3 e votave?

Nga ana tjetër, njohësi i rrethanave politike, Arbnor Sadiku, vlerëson se situatat e fundit në veriun e vendit, mund të rrisin një dozë skepticizmi tek disa vende të cilat janë anëtare të KE-së.

Image
Arbnor Sadiku

Pavarësisht faktit që, sipas tij, anëtarësimi në KiE për Kosovën është më i lehtë, sepse kërkohet vetëm 2/3 e votave.

“Dihet se çdo anëtar i Këshillit të Evropës duhet të pranojë parimet e sundimit të ligjit dhe zbatimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut për të gjithë personat brenda juridiksionit të atij shteti. Kosova këto vlera dhe drejta i posedon mirë të shkruara me Kushtetutën dhe ligjet e saj, por, krizat e fundit në veriun e Kosovës mund të rrisin një dozë skepticizmi tek disa vende të cilat janë anëtare të KiE-së, dhe kanë pasur mëdyshje, edhe pse anëtarësimi në KiE për Kosovën është më i lehtë, sepse kërkohet vetëm 2/3 e votave, e jo vota e të gjithë anëtareve sikurse ne disa organizata apo programe ndërkombëtare”, deklaron ai.

Ndryshe, më 12 maj të vitit 2022 Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Aplikimin në selinë e Këshillit të Evropës, në Strasburg, e ka bërë ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës, Donika Gërvalla.

Më 16 mars të këtij viti, Federata Ruse është përjashtuar nga ky Këshill, për shkak të nisjes së luftës ndaj Ukrainës.

Në mungesë të Rusisë, dy të tretat e shteteve anëtare të kësaj organizate e njohin pavarësinë e Kosovës.

Çka është Këshilli i Evropës?

Këshilli i Evropës është një organizatë ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit në Evropë, me seli në Strasburg të Francës.

Është themeluar më 1949.

Këshilli mbron lirinë e shprehjes dhe të mediave, barazinë dhe minoritetet në vendet anëtare.

Kjo organizatë ka realizuar edhe fushata për mbrojtje të fëmijëve, kundër gjuhës së urrejtjes si dhe për të drejtat e romëve, të cilët përbëjnë komunitetin më të madh në Evropë.

Këshilli i Evropës u ndihmon vendeve anëtare që të luftojnë korrupsionin dhe terrorizmin si dhe që të kryejnë reformat e duhura gjyqësore.

Grupi i saj i ekspertëve për kushtetutë, i njohur si Komisioni i Venecias, ofron këshilla ligjore për shtete të ndryshme në botë.

Duke qenë organizatë ndërkombëtare, Këshilli i Evropës nuk mund të bëjë ligje, mirëpo ka aftësi të nxisë zbatimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, të arritura nga vendet anëtare për tema të ndryshme.

Dy trupat kyçë të Këshillit janë: Komiteti i Ministrave dhe Asambleja Parlamentare.

Çka përfiton Kosova nga anëtarësimi në Këshill të Evropës?

Anëtarësimi në KiE do t’u mundësonte qytetarëve t’i drejtohen Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe do të forconte subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës.

Vendet anëtare të Këshillit të Evropës

Shqipëria, Andorra, Armenia, Austria, Azerbajxhani, Belgjika, Bosnje-Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Qiproja, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjeorgjia, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Irlanda, Italia, Letonia, Lihtenshtajni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Monako, Mali i Zi, Holanda, Maqedonia e Veriut, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Moldavia, Rumania, San Marino, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Turqia, Ukraina, Mbretëria e Bashkuar.

Vende vëzhguese janë: Kanadaja, Izraeli, Japonia, Selia e Shenjtë, Meksika dhe Shtetet e Bashkuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat