Kurti në Athinë dhe mundësia për njohje – Analistët: Nuk është ky qëllimi!

Politika

Kurti në Athinë dhe mundësia për njohje – Analistët: Nuk është ky qëllimi!

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 23 gusht 2023 Në ora: 08:14
Liberët ballkanikë në Athinë

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, të hënën organizoi një darkë joformale për liderët e vendeve të Ballkanit dhe më gjerë të Evropës.  

Në darkën e cila u mbajt në hotelin “Britania e Madhe”, morën pjesë Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, presidenti i Ukrainës Volodimir Zelensky etj.  

Në këtë takim ishte e ftuar edhe Kosova, që u përfaqësua nga kryeministri Albin Kurti.  

Por, ndryshe nga Kosova, në këtë takim nuk është ftuar kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.   

Në takim me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Kurti ka diskutuar për de-eskalimin e situatës në veri.  

“Ai kujtoi takimin e Bratisllavës me 10 korrik për de-eskalim dhe theksoi se për rreth dy muaj nuk ka asnjë incident e as protesta të dhunshme në katër komunat në veri të Kosovës, ndërkohë që kemi edhe numër të shtuar të punëtorëve në ndërtesat komunale. Kosova ka zbatuar zotimet e saj dhe është e rëndësishme që BE të largojë masat”.  

Nga ana tjetër, në vigjilje të këtij samiti të martën u zhvillua një takim “kokë më kokë” ndërmjet Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. 

Sipas zyrës së shtypit të kryeministrit së Kosovës, fillimisht Kurti e uroi homologut grek për rizgjedhjen e tij kryeministër dhe mandatin e ri qeveritar duke ofruar bashkëpunim të ngushtë në tema të interesit të përbashkët. 

Kryeministri tha se Kosova dhe Greqia gëzojnë marrëdhënie të mira të cilat po përmirësohen vazhdimisht si në rrafshin ekonomik përmes rritjes së shkëmbimeve tregtare ashtu edhe në rrafshin politik përmes vizitave të shpeshta të krerëve institucional të të dy shteteve. 

Kryeministri Mitsotakis e falënderoi Kurtin për pjesëmarrjen në darkë dhe tha se është i interesuar të forcojë lidhjet ekonomike teksa shprehu interesim për sektorë të ndryshëm të ekonomisë. 

Por, a mund të konsiderohen këto sinjale për njohje të Kosovës nga shteti grek!?  

Elezaj: Nuk besoj se qeveria e këtij shteti e ka në plan këtë njohje  

Analisti Rexhep Elezaj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se ky do të jetë pa dyshim një takim i rëndësishëm, por që nuk beson se do të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, por ndoshta për de-eskalimin e situatës në veri.  

“Së pari, Greqia është anëtare e BE-së e cila ka obligime dhe detyra në kuadër të saj, kështu që organizimi i darkës joformale, ose darkës së punës në Athinë, ku janë ftuar të marrin pjesë liderë të vendeve të Ballkanit perëndimorë si dhe disa vende tjera, mes tyre edhe kryetari i Këshillit të Evropës, Charles Michel dhe presidentja e Komisionit Evropian, znj. Ursula von der Leyen, do jetë pa dyshim, një takim i rëndësishëm për vetë vendet e këtij rajoni, ku në rend të parë do diskutohet për luftën në Ukrainë, sidomos për format dhe mundësit e ofrimit të ndihmave për popullin ukrainas, gjë të cilën e dëshmon vetë pjesëmarrja e presidentit të saj, V. Zelenkyt në këtë takim.  

Ani se në këtë darkë nga nikoqiri është ftuar të merr pjesë kryeministri i Kosovë, A. Kurti, nuk besoj se aty do të diskutohet për çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, mbase mund të flitet për de-eskalimin e situatës në veri, por pres se do ketë takim të veçantë mes Kurtit dhe Vuçiqit, ngase aktualisht pala serbe nuk është aspak e interesuar për vazhdimin e dialogut, sidomos për implementimin e marrëveshjes së Ohrit, meqë presidenti serb, përveç se aktualisht është duke u ballafaquar me presion të madh diplomatik nga BE-ja dhe SHBA-të, ai me shmangiet dhe manipulimet e tij diplomatike po blen kohë sa më shumë të jetë e mundur, me qëllim që dialogun me Kosovën ta shtyn deri në pafundësi”, thotë Elezaj.  

Image
Analisti Rexhep Elezaj

Derisa, për një njohje të mundshme të Kosovës nga Greqia, analisti nënvizon se në bazë të qëndrimeve që ka ky shtet karshi Kosovës, nuk do të ketë njohje, duke shtuar se grekët po mundohen ta fshehin fokusin që disa shtete po i japin çështjes çame.  

“Në pyetjen tuaj, se a pritet që Greqia ta njeh pavarësinë e Kosovës, them se duke i njohur në përgjithësi qëndrimet antishqiptare të Greqisë gjatë shekullit 20-të, nuk besoj se qeveria e këtij shteti e ka në plan këtë njohje, aq më pak tani në kohën kur çështja çame po merr gjithnjë e më shumë vëmendjen e disa shteteve mike të kombit shqiptar, plagë dhe gjenocid të cilin zyrtarët grekë do bëjnë gjithçka është e mundur që kjo çështje të mos ngritët si temë në mes dy shteteve, por as në nivel rajonal dhe ndërkombëtar. Pra, grekët do bëjnë çdo gjë që kjo çështje të mos hapet kurrë si një realitet i fshehur për më shumë se 79 vite (1944-47), kur regjmi grek vrau dhe dëboi me dhunë mbi 2 milion shqiptarë nga Çamëria”, përfundon ai.  

Duhanaj: Takimi nuk do të sjellë ndonjë zhvillim të ri përtej zhvillimeve të cilat tashmë i kemi të njohura  

Edhe analisti Leon Duhanaj, thotë se njohja nga Greqia është çështje e cila nuk mund të parashikohet nga opinioni i gjerë.  “Për mendimin tim, edhe ky takim, darkë formale në 20 vjetorin takimit të Selanikut, nuk do të sjellë ndonjë zhvillim të ri përtej zhvillimeve të cilat tashmë i kemi të njohura. Se a do ta njeh Greqia shtetësinë e Kosovës dhe kur do ta bëj, kjo është çështje e cila nuk mund të parashikohet nga opinioni i gjerë”, thotë ai.  

Kurse, për mos ftesën e Ramës në këtë takim, Duhanaj, potencon se është tantim për ndikim politik në punët e brendshme të Shqipërisë.  

Madje, sipas tij, është Greqia ajo e cila vazhdimisht e shantazhon procesin integrues të Shqipërisë.  

Image
Leon Duhanaj

“Ndërsa, arsyeja pse nuk i është bërë ftesë edhe Kryeministrit të Shqipërisë z. Edi Rama, për mendimin  tim, është përpjekje për ndikim politik, në punët e brendshme të Shqipërisë. Greqia vazhdimisht e shantazhon procesin integrues të Shqipërisë me përpjekjen për ta shtyrë agjendën e ndikimit të saj në shtetin shqiptar. Mendoj që kjo qasje është e papranueshme dhe se do të duhej ndërhyrja e BE-së në ketë pikë.  Po ashtu, mendoj se Greqia, do të vazhdojë me përpjekjet e saj që ta shfrytëzoj procesin integrues të Shqipërisë për ta kushtëzuar me shtrirjen e ndikimit të saj nacionalist në Shqipëri. Është tejet e çuditshme që një shtet i BE-së  siç është Greqia, akoma vepron me ligj të luftës karshi Shqipërisë. Në ketë kontekst, mendoj që nuk mund të pritet diçka e mirë, veç të urojmë që Shqipëria sa me parë të bëhet anëtare e plotë e BE-së, për të pasur mundësinë reale të mbrojtjes së interesave nacionale”, përfundon analisti.  

 
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat