“Rriten apetitet serbo-ruse për konflikt”/ Kritikohet ashpër qasja e ndërkombëtareve

Politika

“Rriten apetitet serbo-ruse për konflikt”/ Kritikohet ashpër qasja e ndërkombëtareve

Petrit Rudi Nga Petrit Rudi Më 23 gusht 2023 Në ora: 10:07
Pamje nga tensionet e fundit në veri të Kosovës

Analiza e publikuar së fundi ka mediumi amerikan, CNN, jep alarmin për Ballkanin Perëndimor. CNN shkruan se perëndimi me qasjen e butë që po ndjekë ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po rrezikon destabilizimin e Ballkanit.

“Vuçiq ka refuzuar të marrë pjesë në të gjitha raundet e sanksioneve të BE-së kundër Putinit dhe ka vazhduar të ndjekë interesat e veta në rajon me gjithnjë e më pak përgjegjësi, duke nxitur konflikte përtej kufirit për të larguar vëmendjen nga pakënaqësia në vend. Pasojat e një qasjeje të tillë u ndjenë më së shumti në Kosovë, e cila fitoi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, pas luftërave të përgjakshme ballkanike të viteve 1990. Por, Beogradi – dhe shumë serbë etnikë në Kosovën veriore – ende refuzojnë të njohin sovranitetin e tij, duke tensionuar marrëdhëniet midis fqinjëve”, shkruan ndër tjerash CNN.

Apetitet e Serbisë

Se ka rrezik për destabilizim e thotë edhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Gurakuç Kuçi.

“Rreziku që frytet e “politikës së paqësimit” të perëndimit ndaj Serbisë do destabilizojnë Ballkanin Perëndimor e sidomos Kosovën janë të nivelit të alarmit sikur frytet që politika e njëjtë ka sjellë ndaj Putinit”, shprehet Kuçi për “Bota sot”.

Image
Gurakuç Kuçi

Sipas tij, lëshimet që po bëhen ndaj Serbisë, do të rrisin apetitet e kësaj të fundit dhe Rusisë.

“Qasja se duhet bërë lëshime ndaj Serbisë siç janë bërë e po bëhen tani në dëm të Kosovës do rritë apetitet serbe dhe ruse dhe nuk do ketë efektin e pritur nga perëndimi se Serbia do ndahet nga influenca e Rusisë dhe do bëhet partnere e sinqertë e Perëndimit. Fakti se Serbia asnjëherë nuk mori ndëshkimin e duhur ndërkombëtar për krimet në vitet e ’90 por edhe më herë ndaj shqiptarëve dhe të tjerëve në Ballkanin Perëndimor, e bënë atë vetëm edhe një subjekt të bindur se strategjia e tyre për krijimin e Serbisë së Madhe me çdo kusht është duke funksionuar në formë të përsosur”, deklaron Kuçi.

Më tej, Kuçi kritikon ashpër qasjen e evropianëve karshi Serbisë.

“Evropa e ka dashur një Serbi të fuqishme qoftë edhe me dhunë në vitet e ’90 atëherë kur nuk reagonte ndaj krimeve të Serbisë në Bosnjë dhe këtë na e rrëfen në kujtimet e tij Bill Klinton, i cili tregon se sa i tronditur ishte me qëndrimet e evropianëve karshi mos-ndëshkimit të dhunës së Serbisë”, deklaron doktor Gurakuç Kuçi.

Shala: Të dhënat tregojnë për rrezikshmëri të lartë

Po ashtu edhe eksperti i sigurisë, Drizan Shala thotë se ka rrezik për një destabilizim të rajonit tonë.

“Mediumi si CNN amerikan, BBC angleze janë mediume që burimet e tyre janë institucionet që bëjnë analiza dhe hulumtime në përmasa institucionale. Dhe informacionet e marra dhe produkti i dalë nga projeksionet e këtyre informacioneve po japin që Ballkani Perëndimor ka potencial të lartë të përshkallëzimit, deri te një konfrontim i armatosur në mes rrymave të ndryshme që janë instaluar në këto shtete të këtij gadishulli”, thotë Shala për “Bota sot”.

Sipas tij, ndërhyrja direkte e SHBA-së, ka bërë që ky përshkallëzim në Ballkan të shtyhet së paku edhe për një vit.

“SHBA si promotor i demokracisë më liberale në botë, ka dhënë kahjën përmes involvimit në formën më të drejtpërdrejt duke bashkërenduar dhe vepruar me çdo qeveri për t’i pamundësuar qasjen e politikes së Putinit apo të Xi Xhinping-ut. Dhe mbi këtë ajo ka lëshuar një dekret për të monitoruar më gjitha mundësitë e saja që kjo rrëshqitje mos të ndodhë në këtë pjesë të Evropës duke e shtyrë edhe për një vit kalanderik”, shprehet Shala.

Më tej, Shala jep edhe shembujt që tregojnë sinjalet e potencialit për destabilizim të Ballkanit Perëndimor.

“Prandaj që nga ndryshimet politike botërore si pasojë e 2014-ës në Krime e tutje, mekanizmat e sigurisë ndërkombëtare kanë marr informacione sistematike duke parë që rreziku është i lartë ku janë vërejtur tentimi grushteti në Malin e Zi në 2016 nga formacionet inteligjente ruse, si dhe situata aspak të lehtë në Maqedoninë e Veriut ku tensionet në kanë qenë në rritje që prej zgjedhjeve të kontestuara në prill 2014, në të cilat partia në pushtet konservatore VMRO-DPMNE e Gruevskit mundi partinë ish-komuniste Social Demokrate të Zoran Zaev (SDSM), edhe atë për të katërtën herë me radhë. Opozita deklaroi se zgjedhjet ishin manipuluar dhe vjedhur nga pushteti, siç quhet, diktatura e Gruevskit dhe që u shpërfaqen në 2019 në Parlamentin e këtij shteti duke sulmuar për të vrarë ish udhëheqin e LSDM-së dhe përfaqësuesve të shqiptarëve”, nënvizon Shala.

“Ndërsa me ardhjen në pushtet të VV-së nga marrja e vendimeve shtator 2021 e tutje e kemi një situatë e cila doli nga kontrolli disa herë, për të cilën është dashtë të intervenojë edhe Ambasadori Amerikan (korrik/gusht 2022) përmes tërheqjes se vërejtjes për vazhdimin e qëndrimeve të gabuara politike të kësaj qeverie”, shpjegon Shala.

Për fund, ai paralajmëron se mund të ketë një ofensivë të re serbo-ruse.

“Por situata është komplikuar më tutje pas avancimit të gabimeve politike, ku tani në 2023 mund të jemi prapë në një ofensivë të re nga strukturat e Rusisë dhe Serbisë etj, për të tentuar ta marrin influencën në Kosovë përmes trazirave dhe kështu rajoni të fillojë një fazë ta re të tensioneve në ish territoret e RSFJ. Faktori ndërkombëtar është duke parë me shqetësim gjithë këtë situatë duke shpresuar që përmes veprimeve të saja në drejtim të sanksioneve për qeveritë që nuk zbatojnë politikë progresive demokratike të përcaktuar sipas dekretit nga Shtëpia e Bardh dhe Presidentin Amerikan”, përfundon për “Bota sot”, eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat