“Alarmon” aktivisti: Mund të ketë pezullim të vizave dhe pasoja të mëdha për Kosovën dhe Serbinë

Politika

“Alarmon” aktivisti: Mund të ketë pezullim të vizave dhe pasoja të mëdha për Kosovën dhe Serbinë

Nga: Naile Ejupi Më: 23 gusht 2023 Në ora: 14:59
Albin Kurti- Aleksander Vuciq

Janë vendosur tash e dy muaj, por masat ndëshkuese ndaj Kosovës vazhdon të mos largohen.

Pezullimi i punës së organeve të MSA-së dhe program i fondeve IPA, janë disa nga masa ndëshkuese të BE-së që i janë vendosur Kosovës tash e dy muaj.

Edhe pse Kosova është pajtuar për zgjedhje të reja në katër komuna në veri të saj dhe reduktimin e njësisë policore, këto nuk mjaftojnë për BE-në.

Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, për heqjen e masave të Bashkimit Evropian, Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha kërkesat e Brukselit të pashtruara në komunikatën e 3 qershorit.

Stano ka nënvizuar se në fillim të qershorit Bashkimi Evropian qartazi ka precizuar cilat janë detyrat e Kosovës. Në këtë rast ai përsëriti se Prishtina zyrtare duhet t’i tërheqë të gjitha forcat policore nga ndërtesat komunale, t’i largojë kryetarët e komunave nga këto ndërtesa dhe mundësojë veprimtarinë e tyre nga objektet alternative si dhe shpallë zgjedhjet e jashtëzakonshme për katër komunat në veri, me pjesëmarrjen e serbëve lokal.

Stano konfirmoi se BE mirëpriti marrëveshjen a korrikut të arritur në Bratislavë në mes të zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi dhe emisarit evropian për dialog Miroslav Lajçak por pranoi se kjo nuk mjafton për heqjen e masave të cilat janë vendosur në mes të muajit qershor.

“Të gjithë këta janë hapa shumë të rëndësishëm, hapa në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të mëtejshëm”, porositi zëdhënësi i Bashkimit Evropian.

Vetëm pas përmbushjes së kushteve drejt de-përshkallëzimit, Stano konsideron se palët mund ti kthehen procesit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me theks në zbatimin e marrëveshjes së arritur në shkurt dh aneksin e dakorduar në mars në Ohër. Pa përparim në dialog, porosit Peter Stano, nuk ka përparim në BE.

Plotësisht të saktë e konsideron këtë veprim aktivisti politik në Zubin Potok, Miko Bisevac, i cili thotë se marrëveshjet ndërkombëtare dhe detyrimet duhet të përmbushen plotësisht.

Sipas tij, çdo përmbushje selektive ose e pjesshme e asaj që është rënë dakord, çon në disa probleme të reje, konflikte dhe përshkallëzim.

“Vendimi i BE-së është plotësisht i saktë sepse marrëveshjet ndërkombëtare dhe detyrimet e marra duhet të përmbushen plotësisht. Çdo përmbushje selektive ose e pjesshme e asaj që është rënë dakord, çon në disa probleme të reja, konflikte dhe përshkallëzim, dhe kjo është aktualisht më pak e nevojshme. Më saktësisht, këto ngjarje janë rezultat i asaj që është rënë dakord por nuk është zbatuar”, shprehet Bisevac.

Tutje, sipas Bisevac nëse do të ketë lëvizje të njëanshme mund të ketë pasoja për të dyja vendet dhe një prej pasojave sipas tij, është pezullimi i vendimit të vizave për Kosovën.

“Pas të gjitha ngjarjeve, përfaqësuesit e BE-së e kuptuan se nëse kjo krizë vazhdon, ne do të kthehemi dhjetë vjet mbrapa dhe do të jemi shumë më larg nga Bashkimi Evropian, drejt të cilit të gjitha vendet e rajonit përpiqen për anëtarësim. Nëse vazhdon me lëvizje të njëanshme dhe shmangien e zbatimit të gjithçkaje që është nënshkruar, sigurisht që mund të ketë pasoja edhe më të mëdha për Beogradin dhe Prishtinën, dhe pasojat do t'i vuajnë vetë qytetarët. Kam frikë se kjo mund të çojë edhe në pezullimin e vendimit për anulimin e vizave”, thekson Bisevac.

Image
Miko Bisevac

Zgjedhjet e parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës të banuara me shumicë serbe, në Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan, dhe Mitrovicë e veriut, po  kërkohen me ngulm nga komuniteti ndërkombëtar si një nga kushtet kryesore për shtensionim të situatës në veri. Përderisa nuk ndodh kjo, si duket Bashkimi Evropian do të mbajë masat ndëshkuese ndaj Kosovës që përfshijnë: suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimin e vizitave bilaterale. Sipas qeverisë në Kosovë është çështje ditësh kur do të përfundojë baza ligjore sa i përket afateve dhe procedurave lidhur me shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat në veri të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat