“Ukraina shumë shpejt do ta njohë Kosovën” – Kush po e paralajmëron thyerjen e akullit për njohjet e reja?

Politika

“Ukraina shumë shpejt do ta njohë Kosovën” – Kush po e paralajmëron thyerjen e akullit për njohjet e reja?

Nga: P. Rudi Më: 23 gusht 2023 Në ora: 23:07
Kryeministri Kurti në foton e përbashkët me disa liderët evropianë në takimin joformal në Athinë

Kanë kaluar më shumë se tre vite që kur Albin Kurti erdhi në pushtet, por që njohjet e reja nuk erdhën për Kosovën.

Izraeli është shteti i fundit që ka njohur Kosovën, njohje kjo që erdhi pjesë e marrëveshjes me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike, e nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, 2020, në praninë e presidentit të atëhershëm amerikan, Donald Trump.

Së fundi, kryeministri Kurti mori pjesë në darkën me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në Greqi, darkë kjo me ftesë të Kryeministrit të rizgjedhur të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. E në këtë darkë i pranishëm ishte edhe presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy.

E kjo po shihet si sinjal që Greqia dhe Ukraina mund të jenë vendet e radhës që do ta njohin shtetin e Kosovës.

Së paku kështu thotë për “Bota sot” Luan Gacaferi, anëtar i kryesisë së partisë Guxo, e cila është në koalicion me Lëvizjen Vetëvendosje në qeveri.

Image
Luan Gacaferi

“Unë mendoj se zt. Kurti, si KM i vendit duhet të marrë pjesë në çdo takim i cili do t'i shërbejë sado pak interesit tonë shtetrorë e sidomos lobimit për njohje nga ato vende qe akoma nuk e kanë njohur shtetin e Kosovës! E ndër ato shtete është edhe Greqia si vend i BE-së, por edhe njohjen nga Ukraina, shtetit të Kosovës! Unë mendoj se Ukraina shumë shpejt do ta njohë Kosovën si shtet, kurse sa i përket Greqisë jam skeptik në këtë drejtim por mbetet të shihet në të ardhmen!”, thotë Gacaferi.

Sipas tij, kjo do ishte thyerje e akullit që ka kapluar procesin e njohjeve.

“Mendoj se nëse Ukraina, shtetin e Kosovës, kjo do ishte me të vërtetë një thyerje akulli në momentin e duhur dhe kohën e duhur, duke e njohur popullaritetin dhe simpatinë e Ukrainës nëpër botë!”, shprehet Gacaferi.

Për fund, ai kritikon edhe qasjen e opozitës ndaj kryeministrit Kurti, opozitë kjo e cila sipas Gacaferit, si mjet lufte ka zgjedhur shpifjen.

“Kurse sa i përket opozitës me duhet t'a them se çdo opozitë e ka detyrë mi kritiku qeverinë, por t'a kritikoi e jo të shpif, sepse pastaj kjo i kthehet në autogol, ngase populli nuk han bari dhe e dallon kritikën nga shpifja! Apo siç do thoshte njëherë Winston Churchill: Opozita duhet të bëjë kujdes qe kur t'ja futi ndeshkamzen qeverisë t'a bëjë pa e parë populli ashiqare, sepse pastaj kjo e irRiton popullin tej mase! Problemi është se për momentin opozita e ka vetëm hallin e vetë dhe asnjë sekondë të vetëm hallin e Kosovës”, thekson Gacaferi.

“Unë uroj që opozita në një të ardhme të afërt të kthjellët, të ofrojë alternativë për qytetarët e Kosovës, sepse në të kundërtën Kosova rrezikon të mbetet pa opozitë ose do kemi një opozitë sipas asaj shprehjes: m'ka q'u nona mi lagë gojën!”, përfundon për “Bota sot” Luan Gacaferi, anëtar i kryesisë së partisë Guxo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat