Mesazhet nga Athina: Kështu e “demaskoi” Viola von Cramon - Vuçiqin/ Analistët japin një paralajmërim

Politika

Mesazhet nga Athina: Kështu e “demaskoi” Viola von Cramon - Vuçiqin/ Analistët japin një paralajmërim

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 24 gusht 2023 Në ora: 10:17
Viola von Cramon, Aleksandar Vuçiq dhe Volodymyr Zelensky

Në takimin joformal të mbajtur në Athinë, ku mori pjesë edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti, një takim “kokë më kokë” u zhvillua ndërmjet presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky.

Por, nga ky takim u ngritën dyshimet se cili mund të ketë qenë diskutimi ndërmjet tyre?

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon ka reaguar e shqetësuar lidhur me takimin e presidentit serb, Aleksandër Vuqiç, me homologun ukrainas, Volodymyr Zelenskyy në Athinë. 

Ajo mendon se Vuçiç i ka ushtruar presion Zelenskyy-t për ta furnizuar me armë Ukrainën në këmbim të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës. 

“Saktë: ka shumë gjasa që Aleksandar Vuçiq ra dakord të takohet me Volodymyr Zelenskyn për të ushtruar kryesisht presion mbi Ukrainën: armët për mosnjohjen e Kosovës.

Unë shpresoj se Zelensky  kupton se çfarë rreziku politik mund të sjellë një marrëveshje e tillë.

Pavarësia e Kosovës dhe stabiliteti janë gjithashtu në interes të Ukrainës”, ka thënë ajo.

E kësaj deklarate i ka reaguar presidenti serb, Vuçiq i cili ka theksuar se nuk ka asnjë vend në botë që mund t’i bëjë presion Ukrainës.

“Epo, ajo grua tha se Vuçiqi është një superfuqi botërore që, imagjinoni, po i bën presion Ukrainës. Nuk ka asnjë vend në botë që mund të bëjë presion ndaj Ukrainës, përveç, sipas Viola von Cramon, Aleksandar Vuçiqit dhe Serbisë. Nëse nuk do të ishte trishtuese, do të ishte qesharake.

Kjo tregon se sa shumë ajo e urren Serbinë dhe politikën e pavarur dhe liridashëse të saj”.

Kelmendi: Sllavomëdhenjtë ortodoks po marshojnë në Ballkan

Profesor Muhamet Kelmendi në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se veprimi i Vuçiqit është i kapshëm se Ukraina nuk ka rezerva e municion sa duhet për luftën atje, derisa thotë se ka armë të prodhimit rus.

E gjitha kjo, raportohet të ketë ndodhur në takimin në Athinë.

“Lidhjet e trekëndëshit Athinë, Beograd dhe Moskë ekzistojnë.

As anëtarësimi i Greqisë në UE nuk e largon Athinën nga lidhjet ortodokese. Mbi këtë u paraqiten pretendimet territoriale të shtetit grek ndaj Shqipërisë. Edhe Beogradi e zgjeroi veprimtarinë e vet. Po bëhet presion i madh mbi Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Po me këtë logjikë ortodokese sllave patëm edhe takimin në Athinë midis Vlodymyr Zelenskit dhe Aleksander Vuqiçit. Armët që i prodhon shteti serb de-fakto i nevojiten Ukrainës.

Ukraina ka armë të prodhimit rus, e që municion dhe mjete rezervë nuk ka sa duhet. Në Serbi prodhohen disa armë ruse, mjete rezervë dhe municion të prodhimit rus. Këto nevojiten për armët e Ukrainës. Në këtë anë, qëndron mendimi i raportueses për Kosovën me Parlamentin Evropian, z. Viola von Cramon, për takimin dhe presionin e Aleksander Vuçiç mbi Presidentin e Ukrainës, z Volodymyr Zelenkin, për të mos-njohur shtetin e Kosovës. Kjo, në këmbim me armët, mjetet rezervë dhe me municionin, me të cilat Serbia do të furnizojë Ukrainën. Një veprim i tillë është i kapshëm dhe nga krimineli Vuqiç i pakalueshëm në takimin që pati në Athinë”, shprehet ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Tutje, ai thotë Beogradi shkon edhe më larg, duke akuzuar Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, duke kërkuar që të tërheqin njohjen e Kosovës, duke shtuar se me gjuhë të tillë kërcënoi edhe Ukrainën për mosnjohjen e Kosovës.

 “Aty ishin disa shtete të Ballkanit. Mori pjesë edhe Kosova me Kryeministrin Kurti.

Nuk ishte Edi Rama. Athina po akuzon shtetin shqiptar për gjoja pozitën diskriminuese të minoritetit grek në Shqipëri. Si bazë e paraqiti rastin e Bejletit që ndodhet në arrest. Kuptohet se raportet janë keqësuar. Kurti shkoi në Athinë. Ishte rregullim i binës politike apo hap drejtë njohjes së Kosovës!? Njohja e Greqisë për Kosovën është larg. Vuçiq e përdori këtë binë për interesat serbosllave. Beogradi akuzoi Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Kërkoi që të tërhiqen njohjet për Kosovën.

Me të njëjtën gjuhë kërcënoi edhe Ukrainën. U tha: “Njohja e shtetit të Kosovës është humbje e madhe për Ukrainën". Veprimet e tilla sllavomëdha e detyrojnë Prishtinën dhe Tiranën të jenë afër dhe të qarta; kompakte në qëndrime dhe të bashkuara në veprime.  Nuk tolerohen fërkime e konflikte. Koha është e rëndë”, përfundon ai.

Mulliqi: Nuk duhet marrë si shqetësuese deklarimet e Vuçiqit

Analisti Skënder Mulliqi, në një përgjigje për “Bota sot” ka thënë se luftënxitësi në Ballkan po e shfrytëzon çdo mundësi për mosnjohjen e Kosovës.

“Në kuadër të takimeve të Athinës ndërmjet burrështetasve të ndryshëm, ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiçi, i cili u takua me homologun ukrainas, Zelenskin, që është edhe temë e këtij shkrimi, ku nxiti ky takim reagime të ndryshme si në opinion ndërkombëtar, ashtu edhe nga Viola Von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, si dhe nga deputetja britanike, Alica Kearns. 

Dihet se në të gjitha takimet me ndërkombëtarë kështu edhe me Zelenskin, luftënxitësi në Ballkan, Aleksander Vuçiçi, e shfrytëzon çdo mundësi kundër shtetit të Kosovës. Kishte disa paralajmërime më herët se ka mundësi që Ukraina ta njohë shtetin e Kosovës, dhe pikërisht takimet e Athinës i ka shfrytëzuar Vuqiç, që të ushtron presion mbi Ukrainën për mosnjohje të Kosovës, si kundër-shpërblim që të dërgojë armë. Kjo është një demagogji e radhës të Vuçiqit, i cili po kryen misionin e diktatorit rus, Vladimir Putin në Ballkan”, thotë ai. 

Image
Skender Mulliqi

Tutje, ai thotë se Von Cramonn, në deklarimet e saj ka qenë parimore, duke shtuar se takimi i Vuçiqit me Zelenskyn ishte gjoja takim produktiv, sepse Ukraina e di mirë se Serbia ka shkaktuar gjenocid.

“Von Cramon është ajo që disa herë ka qenë parimore në deklarimet e saj, rreth qasjes destruktive të Serbisë dhe presidentit të saj, Vuçiq për përshkallëzimet e pareshtura të situatës në veri të Kosovës. Se serbët dhe Serbia i përdorin gënjeshtrat sa herë që kanë nevojë për to, është edhe takimi i tij me Zelenskin, dhe cilësimi së gjoja takimi ishte produktiv. Presidenti ukrainas e dinë mirë pozicionimin politik të Serbisë karshi luftës në Ukrainë dhe e dinë mirë se Serbia është ajo që ka shkaktuar gjenocid me rastin e shpërbërjes me dhunë të ish-Jugosllavisë. 

Edhe deputetja britanike Alicia Kearns, që është kryetare e Komitetit të Punëve të Jashtme në Parlamentin e Britanisë së Madhe, për “Kyiv Post” ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të Vuçiqit, e po ashtu ka reaguar edhe deputeti ukrainas Oleksander Merezhko. Kearns tha se Vuçiqi nuk po heq dorë nga dhuna kundër shteteve fqinje, dhe se ka refuzuar që t’i bashkohet sanksioneve kundër Putinit”, shprehet ai. 

Në fund, ai thotë se nuk duhet marrë si shqetësuese deklarimet e Vuçiqit në këtë rast, duke shtuar se Ukraina ka zbutur qëndrimet ndaj Kosovës që nga nisja e luftës.

“Nuk duhet marrë si shqetësuese deklarimet e Vuçiqit, pas takimit me Zelenskyn në Athinë, siç po e cilësojnë disa si takim ku Vuçiq mund të ndikojë në Ukrainë që ajo mos të ndryshon qëndrime politike rreth Kosovës si dhe vendeve të tjera të rajonit tonë. Ukrania dihet se nuk e ka pranuar pavarësinë e Kosovës deri më tash, por pas shpërthimit të luftës, ka një qasje shumë më pozitive ndaj vendit tonë. Zelenesky ka preokupime të mëdha, se po mbrohet nga një agresor mizor dhe i madh siç është Rusia, prandaj duhet kuptuar rrethanat nëpër të cilët po kalon ky shtet. Mendoj, se në një kohë të përshtatshme Ukraina do të pranon shtetin e Kosovës”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat