Prapavija e kërcënimeve të Serbisë për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut pse njohën Kosovën/ Kërkohet rritja e nivelit të inteligjencës

Politika

Prapavija e kërcënimeve të Serbisë për Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut pse njohën Kosovën/ Kërkohet rritja e nivelit të inteligjencës

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 25 gusht 2023 Në ora: 10:14
Edi Rama- Bujar Osmani- Jakov Milatoviç

“Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, “Keni bërë një gabim që t’u bjerë kokës, ashtu siç u godit Ukraina. Ju keni hapur kutinë e Pandorës”, këto ishin deklaratat e Ministrit të Mbrojtjes të Serbisë, Milosh Vuçeviq, i cili ditë më parë në një televizion në Beograd, kërcënoi “hapur” vendet që njohën Kosovën.

Ai tha se “ka një mbështetje të madhe ndërkombëtare për krijimin e Shqipërisë së Madhe, duke shtuar se kjo nuk është çështje vetëm e Serbisë, por edhe e fqinjëve të saj”.

Këto deklarata u dënuan “ashpër” nga Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, gjersa sipas analistëve e njohësve të sigurisë, këto tregojnë se Serbia nuk ka hequr dorë nga “apetitet” dhe se ato shërbejnë për të ngritur politikën shoveniste serbe dhe t’i motivojnë kriminelët.

Mulliqi: Politikat serbo-ruso-mëdha janë duke e kërcënuar rajonin e Ballkanit me luftë

Analisti politik, Skënder Mulliqi, thotë se Serbia është parë rast jetik për krijimin e mini Jugosllavisë ku do të përfshiheshin Mali i Zi, Republika Srpska në Bosnjë, veriu i Kosovës dhe Maqedonia e Veriut.

“Serbia nuk ka hequr kurrë dorë nga elaboratet e Qubrilloviqit dhe Garashaninit , ASH-së , Dobrica Qosiqit etj, për realizimin e projektit shovinist serbo- madh’ të idesë për botën serbe. Kërcënimet e Serbisë për realizimin e këtyre projekteve fashiste u intensifikuan pas ndërhyrjes ushtarake të Rusisë në Ukrainën sovrane. Serbia është duke e pa si rast jetik për krijimin e një mini Jugosllavie ku do të përfshiheshin Mali i Zi, Republika Srpska në Bosnjë, veriu i Kosovës dhe Maqedonia e Veriut. Serbia kurrë nuk e pranoi referendumin për shkëputje të Malit të Zi. Millosheviqi me luftën e fundit krijoi rrethanat që serbët në Bosnjë të fitojnë Republika Srpska. Serbia nuk u pajtua as me pavarësinë e Kosovës, sikur nuk i kanë hequr as apetitet pushtuese ndaj Maqedonisë së Veriut. Politikat serbo-ruso-mëdha janë duke e kërcënuar rajonin e Ballkanit me luftë. Ngjarjet në Cetinje me klerikët serbë dhe zgjedhja e Millatoviqit për president të ri të Malit të Zi, shihen si mundësi nga pushteti shovinist i Beogradit, për t’i kthyer politikat e vjetra ruso- serbe në këtë shtet, edhe pse Mali i Zi është anëtar i NATO-s, ashtu siç është edhe Maqedonia e Veriut. Presidenti serb, Aleksandër Vuçiq që shumë kohë i ka instrumentalizuar strukturat paralele serbe në veri me Listën Serbe në planet e tyre që edhe me luftë ta ndajë Kosovën. Vuçiqi po kërcënon me kthimin e ushtrisë dhe policisë serbe në Kosovë. Edhe Malin e Zi dhe Maqedoninë e kërcënoi hapur në një televizion kombëtar serb, Ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviq, i cili ishte zgjedhur kryetar i Partisë Përparimtare të Serbisë”, shprehet Mulliqi.

Image
Skender Mulliqi

Pas deklaratave të ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, ka reaguar Presidenti i Malit të Zi Jakov Milatoviq i cili i konsideroi “të papranueshme çdo përpjekje nga aktorë të huaj (qofshin nga rajoni apo pjesë të tjera të botës) sikurse tha ai, për të ndërhyrë drejtpërdrejtë ose tërthorazi në krijimin e qeverisë në Mal të Zi”.

Edhe deputeti dhe anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike të Socialistëve të ish-presidentit Milo Gjukanoviq, Andrija Nikoliq tha se zoti Vuçeviq po i bie daulleve të luftës me qëllim të destabilizimit të rajonit.

Ndërsa, Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se refuzojnë kërcënimet e Serbisë me hakmarrje ndaj Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi pasi që e kanë njohur Kosovën.

Osmani ka shkruar në rrjete sociale se presin sqarime nga ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, i cili ka thënë se “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut e kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, duke theksuar se “kjo paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të një vendi dhe duke kërcënuar me destabilizimin e rajonit”.

“Maqedonia e Veriut refuzon ndërhyrjen dhe vërejtjet e papërshtatshme nga zyrtarët fqinjë. Ne qëndrojmë për stabilitet dhe bashkëpunim rajonal, duke përfshirë Serbinë dhe Kosovën. Në pritje të sqarimit nga ministri i Mbrojtjes i Serbisë”, ka shkruar Osmani.

Të vonshme i ka konsideruar reagimet, analisti Mulliqi, gjersa shton se kërcënimet e hapura, shkaktimi i problemeve, ndikimi në punët e brendshme të shteteve fqinje nuk ndalohen nga ana e Serbisë.

Sipas tij, BE duhet të ndryshojë qëndrim të deritanishëm.

“Prej marrjes së mandatit e deri më sot, ministri Vuçeviq disa herë ka ngritur në nivelin më të lartë përgatitor ndërhyrjen ushtarake rreth kufirit me Kosovën, duke i armatosur edhe serbët në veri. Është e çuditshme se si kreu shtetëror i Malit të Zi, dhe i të Maqedonisë së Veriut reaguan me vonesë për kërcënimet e hapura të Vuqeviqit. Presidenti i Serbisë sa për sy e faqe i kërkoi falje Maqedonisë së Veriut për deklarimin e Vuqeviqit , por jo edhe Malit të Zi. Gjithashtu është e çuditshme, se si BE-ja dhe Amerika po i tolerojnë kaq gjatë politikat e tilla luftënxitëse në rajon të Serbisë dhe të Rusisë. E kam thënë edhe një herë tjetër, se BE-ja duket si po ka frikë nga Putini. Kjo gjë edhe po bënë që Vuçiqi dhe Putini janë duke vazhduar me politikat luftënxitëse në rajon dhe veçmas ndaj Kosovës. Kërcënimet e hapura, shkaktimi i problemeve, ndikimi në punët e brendshme të shteteve fqinje nuk po ndalohen nga Serbia. Bashkimi Evropian padyshim se duhet ndryshon qëndrimin e deritashëm, nga se veprimet e Serbisë në raport me fqinjët e saj, janë anti demokratike, të cilat po e kërcënojnë paqen në rajon dhe më gjerë. Deklarata e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, se “Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi mund të përballen me probleme dhe se nuk do të jenë të qeta edhe nëse janë anëtare të NATO-së”, duhet të jenë alarmuese për NATO-në, por dhe për BE-në. Politikat e tilla për realizimin e idesë të “botes ruse” siç e tha drejtuesi i paramilitareve te “Grupit Vagner” në Afrikë, dhe të idesë për ” botën serbe”, siç po pretendon Vuqiq, Dodik, Daciq e të tjerë, duhet të ndalohen një herë e mirë nga bota demokratike, se janë duke u luhatur seriozisht themelet e saj”, shton Mulliqi.

Elezi: Mesazhet e Serbisë janë përpjekje për të minuar demokracinë në rajon

Ndërsa, eksperti i sigurisë Bedri Elezi këto deklarata të Vuçeviqit i konsideron si vepra penale të nxitjes dhe urrejtjes.

Sipas tij, këto lloj mesazhesh kanë për qëllim forcimin e politikës shoveniste të Serbisë dhe qeverisë së saj.

“Deklarimet e tilla siç ishte i kryetarit të Partisë Progresive Serbe, Millosh Vuçeviq dhe ministrit të Mbrojtjes, të cilëve kanë thënë se “Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë ofenduar Serbinë me njohjen e pavarësisë së Kosovës”, mund të themi se janë deklarime të cilat janë faktikisht të sanksionuara me kodin penal të Republikës së Kosovës sepse janë të njëjtat shkaktojnë vepra penale të nxitjes dhe urrejtjes dhe po ashtu kanë për qëllim përçimin e mesazheve mund të themi nxitëse mes popujve, gjithashtu është një përpjekje për ta destabilizuar situatën e sigurisë në rajon. Ne jemi të vetëdijshëm që kohëve të fundit Federata Ruse përmes shërbimeve të saja sekrete dhe shërbimeve sekrete serbe në Kosovë kanë punuar në vazhdimësi për ta destabilizuar stafin e sigurisë në gjithë Ballkanin me qëllimin e vetëm që vëmendja ndërkombëtare të largohet nga lufta e Ukrainës dhe e njëjta të bartet në Ballkan, në qendrën të Evropës si një situatë që do të duhej të kishte parasysh faktori ndërkombëtar nëse ka zhvillim në drejtim të njohjes së pavarësisë së Kosovës nga vendet e tjera. Prandaj, këto lloj mesazhesh kanë për qëllim forcimin e politikës shoveniste të Serbisë dhe qeverisë së saj, e cila padyshim që akoma po udhëhiqet nga struktura kriminale që kanë kryer krime lufte në Kosovë, në viti 1999/98 dhe më parë dhe janë struktura që në vazhdimësi kanë bërë përpjekje për të minuar demokracinë në rajon, demokracinë këtë që po investon kaq fuqishëm në rajon Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimi Evropian, apo mund të themi blloku i paqes që dëshirojnë ne të kemi një Ballkan të qetë”, pohon Elezi.

Image
Bedri Elezi

Sipas tij, deklarime të tilla shërbejnë për ta ngritur moralin e grupeve kriminale.

“Prandaj këto deklarime duhet të konsideruar si deklarime fillimisht për të ngritur moralin të grupeve kriminale dhe shoveniste serbe në rajon si p.sh. në Maqedoni, në Mal të Zi, në Bosnje dhe po ashtu edhe të serbëve lokalë në Kosovë që eventualisht edhe motivohen për mbështetje të aktiviteteve të dhunshme që mund të zhvillohen në rajon për të mundësuar aktivitetet të dhunshme që mund të zhvillohen nga shërbimet serbo- ruse të cilat në vazhdimësi dihet se kanë bërë përpjekje për destabilizimin e rajonit”, thekson Elezi.

Ai kërkon që Kosova të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar, gjersa shton se kjo e fundit duhet të bëjë ngritjen e nivelit të inteligjencës në nivelin më të lartë.

“Në rastin konkret mendoj që politika e Kosovës, përkatësisht qeveria e Kosovës duhet të konservoj të gjitha këto deklarata dhe përkohësisht e njëjta duhet të bashkëpunojë ngushtë me faktorin ndërkombëtar ShBA dhe BE dhe e njëjta të tregojë qartë përpjekjet e bëra zyrtare për destabilizimin jo vetëm të Kosovës, por edhe të rajonit. Ne duhet të kemi parasysh një çështje tejet të rëndësishme, të ngrisin nivelin e inteligjencës në nivelin më të lartë dhe po ashtu të ushtrojmë aktivitete operative në zona ku mund të zhvillohen aktivitete apo takime për të nxitur edhe më tutje urrejtjen ndëretnike dhe po ashtu për të organizuar takime apo diskutime në kuadër të përpjekjeve për luftë-nxitje apo destabilizimin e Ballkanit e rajonit.

Niveli i inteligjencës së Republikës së Kosovës dhe bashkëpunimi i asaj me ndërkombëtarët rajonalë duke i marrë parasysh këto deklarata duhet të jetë në nivel më të lartë të mundshëm dhe duhet të kenë projekte të përbashkëta për të hulumtuar apo hetuar çdo përpjekje që korrespondon me idenë sikur që janë këto deklarata”, përfundon Elezi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat