“Propozimi interesant” i deputetit të PDK-së, a duhet të ketë Kosova qeveri gjithëpërfshirëse?

Politika

“Propozimi interesant” i deputetit të PDK-së, a duhet të ketë Kosova qeveri gjithëpërfshirëse?

Naile Ejupi Nga Naile Ejupi Më 26 gusht 2023 Në ora: 08:07
Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka kërkuar formimin e një Qeverie tranzitore gjithëpërfshirëse

Masat ndëshkuese të vendosura nga Bashkimi Evropian që nga 28 qershori, vazhdojnë të mbesin në fuqi dhe kjo derisa Kosova i përmbush të gjitha kriteret e komunikatës së 3 qershorit.

Ndaj këtij veprimi nuk pajtohen nga pozita, por edhe presidentja e vendit ka kërkuar largimin e tyre, ndërsa nga opozita përpos “kritikave”, kanë filluar të dalin edhe propozime që sipas tyre Kosova mund të dalë nga situate e rëndë që është future.

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka kërkuar formimin e një Qeverie tranzitore gjithëpërfshirëse.

“Mendoj që përkundër faktit se ka një tendencë nga partitë opozitare, të cilat kanë dalë me tri opsione për zgjidhjen e situatës politike. AAK-ja po kërkon mocion dhe qeveri gjithëpërfshirëse. Mendoj që duhet të shkohet me qeveri tranzitore, gjithëpërfshirëse, LDK po e takon shoqërinë civile me gjetë një rrugë pa Kurtin, kurse PDK ka vendos një moratorium sa i përket votimit të ligjeve ndërkombëtare , që do të duhej të çonte tek një kompromis politik”, është shprehur Berisha në një intervistë për median vendore.

Ai ka shtuar se Qeveria gjithëpërfshirëse duhet ta çojë deri në fund mandatin e Qeverisë “Kurti”.

“Ky kompromis do të duhej të ishte një qeveri gjithëpërfshirëse. Mendoj se kjo qeveri duhet të mbahet në pushtet, me i mbush krejt detyrimet dhe obligimet që i ka marrë në fushatën zgjedhore. Ka krijuar detyrime edhe me marrëveshjet e fundit në Bruksel dhe Ohër. Tani po e sheh se me këto ujdi e ka cenuar sovranitetin e vendit. Partneret nuk bëjnë tolerancë me marrëveshjet ndërkombëtare”, ka potencuar Berisha.

“Derisa Vetëvendosje ka shumicën në kuvend s’do të ketë as qeveri tranzitore, e as zgjedhje të reja”

Analistët politikë ndajnë mendime të ndryshme sa i përket kësaj deklarate.

Analisti politik, Blerim Burjani thotë se me Lëvizjen Vetëvendosje nuk do të ketë qeveri tranzitore.

Sipas tij, ajo nuk ka përfitim për qeveri të tillë.

“Kosova mund të ketë nevojë për qeveri gjithëpërfshirëse, por VV jo. Me Vetëvendosjen s’ka kurrfarë qeverie tranzitore, ky subjekt nuk pranon dështimin, por vazhdon të ec sido që mundet vetëm, edhe pa përkrahje nga opozita. Derisa Vetëvendosje ka shumicën në kuvend s’do të ketë as qeveri tranzitore, e as zgjedhje të reja, kjo pasi që ajo nuk ka asnjë përfitim nga një qeveri e tillë, pra nuk ka nevojë për qeveri tranzitore, por për zgjedhje të reja. Nëse Vetëvendosje do të vetëdorëhiqej, apo do ta humbte shumicën, apetitet e opozitës rriten për zgjedhje, në të kundërtën nuk ka asgjë”, shprehet Burjani.

Image
Blerim Burjani

Zgjedhjet e fundit parlamentare të mbajtura më 14 shkurt në vitin 2021, kanë nxjerr fituese Lëvizjen Vetëvendosje si partia më e votuar në histori, duke fituar shumicën parlamentare në Kuvend.

Sipas analistit Gazmir Raci, Kosova ka një qeveri stabile që nuk e ka pasur asnjëherë, me një mbështetje shumë të madhe popullore.

Tutje, ai thotë se duhet të zbatohet plani franko- gjerman dhe nuk është koha për zgjedhje.

“Qeveria duhet të ndihet e përgjegjshme, opozita duhet të kërkojë përgjegjësi nga qeveria”

“Unë mendoj se nuk është koha për zgjedhje, por është koha që dialogu me Serbinë të marrë drejtim dhe të zbatohet plani franko- gjerman sa më shpejt që të jetë e mundur. Kosova ka një qeveri stabile që nuk ka pasur asnjëherë në histori deri më tani, me një mbështetje shumë të madhe popullore, natyrisht që ka sfida edhe kjo qeveri dhe sfidat më të mëdha i ka në ç’kapjen e krimit të së kaluarës, e siç po duket ka shumë probleme në administratë për këtë punë. Natyrisht që qeveria duhet të ndihet e përgjegjshme dhe opozita duhet në çdo moment të kërkojë përgjegjësi nga qeveria, por jo sipas kësaj metodologjie që e mendon opozita se mund të vijë në pushtet duke e rrëzuar përmes faktorëve të jashtëm, e kanë provuar një herë përmes faktorëve të jashtëm por kanë dështuar shumë keq, andaj opozita duhet të jetë alternativë e qeverisjes aktuale e qeverisjes aktuale, por duket se ka probleme të mëdha në promovimin e një alternative serioze”, deklaron Raci.

Image
Gazmir Raci

Ai ka kërkuar që BE t’i largojë masat ndëshkuese ndaj Kosovës dhe kjo e fundit të mos bëj asnjë veprim derisa nuk hiqen ato.

“Sa i përket Bashkimit Evropian është koha urgjente që të hiqen këto masa ndëshkuese, sepse Kosova e ka zbatuar planin e Bratistllavës në shumicën e elementeve të saja, dy herë e ka ulur përqindjen e policisë në dhe përreth objekteve me nga 25 për qind, brenda dhe në objekte. Ka filluar procesin e përgatitjes për organizimin dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, prandaj si sinjal pozitiv duhet ta bëj këtë sa më shpejt dhe Kosova nuk duhet të bëj asnjë veprim derisa nuk hiqen këto masa nga Bashkimi Evropian”, shton Raci.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat