“Risi në politikën shqiptare në Ballkan”, avokati shqiptar paralajmëron “lëvizje të mençur” të presidentes Osmani në Tiranë

Politika

“Risi në politikën shqiptare në Ballkan”, avokati shqiptar paralajmëron “lëvizje të mençur” të presidentes Osmani në Tiranë

Nga: A.Zh Më: 26 gusht 2023 Në ora: 10:09
Vjosa Osmani, Albin Kurti dhe Edi Rama

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të shkojë për një vizitë në Tiranë, me 4 shtator.

Mediat shqiptare raportuan dje se Osmani do të pritet me ceremoni shtetërore nga presidenti shqiptar Bajram Begaj.

Kjo është vizita e parë që pas anulimit të mbledhjes së dy qeverive në Gjakovë dhe refuzimit që kryeministri i Kosovës Albin Kurti i bëri homologut nga Tirana Edi Ramës, në takimin informal me liderët e rajonit.

Vizitja e Osmanit vjen pak ditë pas Samitit të Athinës, në të cilin mori pjesë Kurti, por jo edhe i paftuari Rama. Në këtë takim, mungoi edhe Begaj.

Vizitë të duhur në kohën e duhur, e vlerëson avokati shqiptar Spartak Ngjela këtë lëvizje të presidentes Osmani.

Ai në një bisedë për gazetën “Bota sot”, ka shprehur bindjen se Osmani do të sjellë në një raport të drejtë çështjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë. Ngjela akuzon individë të caktuar se punuan për të çuar në rrugë qorre çështjen e shqiptarëve.

“Duhej bërë, sepse kjo mosmarrëveshje midis Tiranës dhe Prishtinës është kryer nga individë që kanë dashur të ecin në një rrugë qorre.

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, kam bindjen se do ta sjellë sërish çështjen e marrëdhënieve Shqipëri-Kosovë në një raport të drejtë. Fakti që presidentja Vjosa Osmani vjen në Tiranë, kjo flet për një lëvizje në kohën e duhur për të sheshuar kontradiktat midis dy kryeministrave shqiptarë.

Kjo që ka ndodhur, nuk duhet të ndodhë më, sepse shqiptarët nuk duhet të krijojnë sjellje të tilla politike, në një kohë që të dy shteteve shqiptarë në Gadishullin Ilirik u duhet një qartësi e madhe mendore në marrëdhëniet e tyre me njëri-tjetrin”, ka thënë avokati Ngjela për “Bota sot”.

Ai konsideron se marrëdhëniet e ngushta Kosovë-Shqipëri, janë interes i konsolidimit të çështjes shqiptare si etni.

“Historisë së Shqipërisë si etni historike e konsoliduar tani, i duhet që shumë shpejt të fillojë marrëdhënie të reja shumë të ngushta bilaterale me Kosovën. Dhe këto marrëdhënie të reja, janë në interesin e madh që ka çështja shqiptare për konsolidimin e vetvetes si etni shiptare; prandaj çdo kontradiktë midis kryeministrave ose qeverive shqiptare në Gadishullin Ilirik bie ndesh me shqiptarizmin”, ka pohuar avokati.

Ai parashikon që pas vizitës së Osmanit, do të ketë risi në politikën shqiptare në Ballkan dhe në Evropë.

“Vjosa Osmani bëri dje një lëvizje të mençur në favor të çështjes shqiptare. Dhe unë mendoj me bindje se pas kësaj vizite të guximshme të zonjës Osmani, do të kemi risi në politikën shqiptare në Ballkan dhe në Evropë. Kjo kohë është koha e shqiptarëve, dhe prandaj duhet ruajtur dhe duhet mbrojtur nga çdo intrigë që mund të bëjnë kundër nesh kundërshtarët tanë të antishqiptarizmit në Gadishullin Ilirik”, ka theksuar Spartak Ngjela për gazetën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat